Gjatë diktaturës komuniste shqiptarët mundoheshin që stresin që u jepte ai regjim ta hiqnin nëpërmjet anekdotave, shkruan ish-drejtori i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, Kastriot Dervishi. Ai shton se në jo pak raste, regjimi këto i trajtonte si agjitacion e propagandë. Anekdotat ishin një mjet i fshehtë agjitativ me të cilat viheshin në lojë dukuri të regjimit komunist. Sjell sot për shembull (bashkëlidhur, pjesë të përzgjedhura) një raport të një organi vendor. Komiteti i Partisë së Punës së Rrethit Dibër, me një shkresë të datës 6.4.1973 drejtuar Komitetit Qendror të Partisë së Punës, njoftonte opinionet që qarkullonin në popull. Komiteti ishte i shqetësuar sepse këto anekdota në pamjen e parë dukeshin si humor për të kritikuar të metat, por në të vërtetë “dëmtonin formimin e opinionit të shëndoshë revolucionar”. Informacionet e këtij lloji, si praktikë silleshin nga Sigurimi i Shtetit për komitetet e partisë. Ato bënin pjesë në informimin e rregullt njëmujor që vinte te komitetet në fjalë në lidhje me ato që mendonte populli, në të vërtetë jo aq i lumtur sa ç’dilte në fjalimet programatike e propagandistike të kongreseve e plenumeve entuzuaste komuniste