Nga Entela Hoxha
Një libër i ri nga Dr.Ermir Hoxha nën titullin “Arkitektura shqiptare e shek.XX” sjell tendencat, format, stilet e arkitekturës shqiptare, para dhe gjatë komunizmit. Nëse çdo objekt ndikohet nga shijet e arkitektit a epoka, në Shqipërinëbe njeriut të ri, ndikimi vinte nga ideologjia e regjimit. Më shumë se çdo gjë me rëndësi ishte që ato të kalonin pa kritika.
“Të vendosura ekskluzivisht në qendër a pika strategjike urbane e rurale, ato ishin reflektimi i vendosmërisë së shtetit për përçimin e ideologjisë në çdo cep të vendit. Për vetë qytetarët ato duhet të ishin pika qendrore e përjetimit të Realitetit Socialist, ku kultura dhe arti materializonin vizionin ideologjik shtetëror”-shkruan Ermir Hoxha. Ai shënon se organizimi i ri urbanistik, standardizimi dhe ndërtesat që e shënuan atë, mbetën faktori më i fortë për organizimin psikik të masave dhe habitati stereotip i njeriut të ri socialist. Sipas tij, ndërtesat shënuan në mënyrë të pashmangshme si territorin ashtu dhe përditshmërinë e disa brezave, aq sa dhe sot përbëjnë një realitet urban të paanshkalueshëm, dëshmitar i heshtur e i trishtë i një riorganizimi në emër të modernizimit.
“Arkitektura shqiptare e shekullit të XX ishte pasqyrë e një shekulli dhune e përçudnie. Ajo u imponua në pjesën më të madhe nga vullneti politik i pushtetmbajtësve, vizioni i të cilëve, shpesh i munguar, apo i keqorientuar nga aleatët strategjikë, solli një miks formash e vëllimesh që shënjuan territorin, ashtu si dhe zig-zaget politike përgjatë gjithë shekullit”.
Ardhja e vitit 1973, dhe ndikimi i kushteve në të cilat ndodhej regjimi, po aq sa edhe fakti që tashmë shpata ishte kthyer drejt arteve.
Ermir Hoxha shkruan se Muzeu Historik Kombëtar përcjell një shije hermetizmi e monumentaliteti tendencioz, fatkeqësisht në harmoni me shijen estetike dhe klimën e përgjithshme në vend. Përveç se një sipërmarrje monumentale si për projektuesit, e për financat e shtetit, ajo përbënte në esencë metarrëfimin personal të Hoxhës(diktatorit) mbi historinë, rëndësia e të cilit nënkuptohet lehtë nga dimensioned dhe vendi që ai përfton në sheshin kryesor të kryeqytetit.
Sipas studiuesit, për rreth dy dekada (’55-’75) arkitektët shqiptarë jetuan ditë deri diku të qeta. Rruga e tyre ishte e ngjashme me atë të krijuesve të tjerë, herë me përplasje e kërkesa absurde e here me mirëkuptime ngushëlluese. Por kjo nuk zgjati shumë. Ndërkaq ai thekson se pas Plenumit të IV, (1973) padyshim një pjesë e furisë shtetërore ishte rezervuar edhe për grupin e arkitektëve. Etiketimeve pararendëse për arkitekturë moderne, iu bashkëngjitën shpejt mbiemrat, “e gabuar”, “e dëmshme”, “pa asgjë kombëtare” me “tendencë luksi e gjigandomanie” për t’u mbyllur me frazën më të “dashur” për estetët, “shprehje e ndikimeve formaliste”.
Shinasi Dragoti në shtypin e kohës theksonte se: “Në projektet tona, shohim ndikimet pa vend të arkitekturës moderniste. Kinoteatri në Fier, është kritikuar me të drejtë për formën e tij aspak tërheqëse…”