The Guardian për E.Hoxhën e Fevziut: Antipati ekstreme, libri i njëanshëm. Nuk përmend zhvillimet gjatë diktaturës

The Guardian për Enver Hoxhën e Fevziut: Antipati eksteme ndaj Hoxhës si person, libri i njëanshëm. Nuk përmend zhvillimet gjatë diktaturës.

Gazetari britanik, Jonathan Steele, ka botuar në gazetën e njohur “The Guardian” njw recension mbi biografinë e Enver Hoxhës shkruar nga Blendi Fevziu, e cila është përkthyer në anglisht me titullin: “Enver Hoxha: The Iron Fist of Albania”.

Jonathan Steele
Tirani i Republikës Popullore
Në vitin 1973, kur diktatura e Enver Hoxhës ishte në kulmin e saj, unë hyra në shtetin më të izoluar të Europës si profesor universiteti. Gazetarëve iu mohohej dhënia e vizave prandaj duhej të aplikoheje n mashtrime për ta kaluar kufirin.

Njëra ndër përvojat më të paharrueshme gjatë udhëtimit dyjavor me autobus ishte vizita në kinemanë e hapur të qytetit detar të Durrësit. Filmi kryesor ishte një version me zë kërcitës i “Henrit të Pestë” me Laurence Olivier, që vazhdoi me komedi të shkurtër të Norman Wisdom. Me kapelën e tij të shtrembëruar prej stofi, censuruesit e Partisë së Punës së Shqipërisë supozonin se ai ishte shembull i betejave inspiruese të individit nga klasa punëtore angleze. (Materiali I përkthyer nga Klana Kosova tregon se:)Momenti më i rëndësishëm ishte ai i lajmeve. Në to u shfaq ceremonia e hapjes së Kongresit të Grave të Shqipërisë. Një rend i gjatë grash prisnin të përshëndeteshin nga Enver Hoxha.

I veshur me rroba me ngjyrë të hirtë, me kapele të gjerë, ai e përqafonte secilën delegate – gjatë dhe me kujdes të posaçëm. Kjo skenë dukej sikur e kombinonte sjelljen e një Doni mafioz me praktikën mesjetare droit de seigneur (të drejtën e feudalëve që të flinin me vajzat të cilat po përgatiteshin për natën e tyre të parë të martesës), krejtësisht ndryshe prej jetës familjare të liderëve puritanë që udhëhiqnin me shtetet tjera komuniste në atë kohë.

Lajmet jepnin vetëm aspektet e shkurtra të jetës politike në Shqipëri.

Për ta zbuluar se çfarë në të vërtetë ndodhte në qarqet e partisë nën kontrollin e Enver Hoxhës duhet tw lexojmë biografinë e tij të hulumtuar mirë nga Blendi Fevziu. Pa marrë parasysh nëse Enver Hoxha kishte apo jo shumë femra, biografia ofron argumente të shumta se ai ishte tiran.
Tri dekada pas vdekjes së Stalinit, periudhë gjatë të cilës terrori i paparashikueshëm i kishte lënë udhë një represioni më të përballueshëm në Bashkimin Sovjetik, Shqipëria e Enver Hoxhës vazhdonte praktikat më të këqija të autokracisë – eliminimet, torturat, pranimet degraduese të fajësisë dhe ekzekutimet. Ato kishin të bënin më shumë me shokët e vjetër brenda Byrosë Politike se sa me qytetarët e thjeshtë. Nga gjashtë bashkëthemeluesit e partisë, vetëm njëri vdiq në shtratin e shtëpisë. Të tjerët u vranë apo u burgosën.

Blendi Fevziu e bazon katalogun e tij të horrorit mbi arkivat e partisë që janë hapur tani, si dhe në intervistat me djemtë, vajzat dhe bashkëshortet e viktimave të Enver Hoxhës, të realizuara për televizionet shqiptare apo enkas për këtë libër.

Ndër rastet më të pamëshirshme është ai i Mehmet Shehut, i cili për shumë vite ishte kryeministër, deri në vetëvrasjen e tij në 1981, një natë para mbledhjes së Byrosë Politike në të cilën ai do të akuzohej. Krimi i tij? Nuk e kishte parandaluar djalin e tij të fejohej me vajzën e personit që e kishte kushëri të afërt një antikomunist i cili jetonte në Amerikë dhe shpesh e denonconte Enver Hoxhën në televizionet perëndimore.

Letra lamtumirëse e Shehut për “Shokun Enver” ishte zbuluar në vitin 2003. Në të shkruante: “Mund të më quani si të doni, unë nuk mund t’jua ndaloj! Por, unë po e jap jetën për partinë. Dëshira ime e fundit është: Ruajeni partinë dhe socializmin…”. Martesa nuk u bë, ndonëse Fevziu lë të nënkuptohet se arsyet e vërteta të ndarjes së Hoxhës dhe Shehut mund të kenë qenë mospajtimet për politikat.

Përkundër stilit pompoz të jetesës, Enver Hoxha, adhurues i Agatha Christie, kishte dëshirë të kalonte kohë i vetëm me libra. Ai e kishte një bibliotekë të madhe dhe rregullisht blinte libra nga katalogët e dërguar prej botuesve francezë. Familja e diktatorit njëherë i kishte alarmuar njerëzit e sigurimit për “zhdukjen” e tij: pastaj e kishin gjetur në bibliotekë, në orët e hershme të mëngjesit, me një libër në dorë dhe batanije mbi supe. Gjithashtu, Enver Hoxha wordpress shkroi shumë. Mbajti ditar, shkroi apo diktoi më shumë se 60 vëllime të kujtimeve, dhe kishte marrëdhënie të ndërlikuar me shkrimtarin e njohur ndërkombëtarisht, Ismail Kadare, i cili vazhdoi të jetonte në Shqipëri edhe nën sundimin e tij.

Në kujtimet e saja, gruaja e Hoxhës thotë se Enveri shpesh e humbte durimin e tij me shkrimet e Kadaresë, por i kishte ardhur në mbrojtje në kohëra kritike.

Jashtë Shqipërisë, Hoxha adhurohej nga disa radikalë perëndimorë për denoncimin e çdolloj imperializmi, nga ai jugosllav e deri te sovjetik, kinez dhe amerikan.

Bir i një imami, ai u vlerësua në disa qarqe edhe për mbylljen e të gjitha xhamive dhe kishave, duke e shpallur Shqipërinë shtetin e parë ateist në botë. Guximi i tij për t’u prishur me aleatët e fuqishëm u bë legjendar. Në mars të vitit 1948, Politbyroja e tij politike e miratoi bashkimin mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, por më pas diktatori i kuptoi planet e jugosllavëve për ta zëvendësuar atë me një koleg, Koçi Xoxen. Kur Stalini e denoncoi Jugosllavinë disa javë më vonë, në përpjekje për ta krijuar një fuqi rajonale që do ta lidhte Shqipërinë, Bullgarinë dhe Greqinë, Politbyroja shqiptare e braktisi bashkimin dhe kritikoi ashpër Marshal Titon e Jugosllavisë. Të gjithë ekspertët jugosllavë u dëbuan. Koçi Xoxe u ekzekutua.

Dymbëdhjetë vjet më vonë i erdhi radha Moskës. Enver Hoxha e përsëriti dënimin e krimeve të diktatorit dhe kultit të personalitetit nga ana e Hrushçovit në vitin 1956, por nuk i pëlqeu afrimi i udhëheqësit të ri sovjetik me Titon. Në vitin 1960, në një takim të partive komuniste në Moskë, Enver Hoxha u rreshtua me kinezët. Më vonë, në vitin 1978, ai u prish edhe me Pekinin në shenjë proteste ndaj “revizionizmit” të Deng Xiaopingut pas rivendosjes së marrëdhënieve me Amerikën.

Blendi Fevziu i trajton mirë këto çështje. Por, por sa i përket debateve për politikat e brendshme shqiptare dhe aktivitetet e Enver Hoxhës gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai fatkeqësisht është njëdimensional.

Antipatia e tij ekstreme ndaj Enver Hoxhës si person, dhe ndaj komunistëve në përgjithësi, e ngushton shkrimin e tij në ofendues. Ai nuk shkruan asgjë për përparimin socioekonomik të Shqipërisë në 15 vitet e para të regjimit komunist dhe transformimin e shtetit nga një vend feudal, diktaturë të bazuar në fise, në një shtet modern, me tharjen e kënetave bregdetare, çrrënjosjen e malaries, fushatat e suksesshme kundër analfabetizmit, zgjerimin e shërbimeve shëndetësore, si dhe zhvillimin e industrive të nxjerrjes së burimeve, edhe pse me një fuqi punëtore gjysmë-ushtarake.
Libri pothuajse nuk e përmend fare shkatërrimin e krijuar prej okupimit italian fillimisht, e pastaj nga ai gjerman, që ishte trashëguar nga qeveria e pasluftës.
Analizimi i rivalitetit mes komunistëve dhe përkrahësve të Ballit Kombëtar në periudhën e rezistencës gjatë luftës është tendencioz.
Blendi Fevziu thotë se Enver Hoxha i frenoi partizanët e tij ashtu që gjermanët të përqendroheshin në vrasjen e nacionalistëve antikomunistë.
Historiografia shqiptare është fushë e vështirë, por dominojnë mendimet – përfshirë edhe atë të Reginald Hibbert, i cili ishte zyrtar ndërlidhës i kohës së luftës mes Britanisë dhe rezistencës shqiptare, e më vonë diplomat eminent- që e përkrahin vijën e kundërt. Shumë “nacionalistë” bashkëpunuan me gjermanët dhe ishin partizanët komunistë ata që i bënë luftimet më të mëdha – kjo ishte arsyeja që ata ishin grupi i cili e mori kontrollin e vendit pas çlirimit.
Enver Hoxha nuk ishte më i guximshmi as më efikasi mes partizanëve, por u bë udhëheqës falë fatit dhe dinakërisë mashtruese.
Popullariteti i tij ishte autentik dhe i përhapur gjerësisht, së paku për një kohë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *