Teqeja e Sari Salltikut në Krujë shënon fillimin e historisë së teqeve në Shqipëri. Ngritja e këtyre teqeve lidhet me misionarët bektashinj që u vendosën në këto zona gjatë udhëtimeve misonare, dekada përpara se të shfaqeshin ushtritë osmane.
Teqeja e Sari Salltikut në Krujë është themeluar që në gjysmën e parë të shek. XIV, në lartësinë 1145 m mbi nivelin e detit, në majën e shkëmbit që ngrihet mbi qytetin e Krujës. Teqeja mori këtë emer prej misionarit bektashi Sari Salltikut. Që nga viti 1967 e në vijim objekti ka pësuar dëmtime të vazhdueshme. Sot ai ruhet në gjendje rrënojë dhe gjendet vetëm një fragment muri. Në kohën kur u ndërtua, teqeja e Sari Salltikut, përbëhej nga tre ndërtesa të veçanta që dallonin për nga funksioni: një ndërtesë ku banonin dervishët punëtorë e zejtarë; e dyta për udhëtarë të rastit; ndërsa ndërtesa e tretë ka qenë e rezervuar për miq të veçantë.
Duke vlerësuar rëndësinë wordpress historike dhe arkitektonike, Instituti i Monumenteve të Kulturës ka propozuar shpalljen monument kulture të kategorisë së I-rë të objektit “Rrënojat e Teqesë së vjetër dhe shpella e Sari Salltikut”, në malin e Krujës, propozim ky i cili u aprovua nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, në mbledhjen e muajit prill 2016./pasqyre.al