Shkatërrimi i trashëgimisë si amnezi kulturore

Nga Kliti Kallamata- Restaurator

Shkatërrimi i trashëgimisë kulturore nuk është thjesht një shkatërrim material.
Shpesh filmat e Hollivudit, kur kërkojnë të trembin audiencat me skenarët e tyre apokaliptike, kanë tendencën për të përdorur shkatërrimin e ndërtesave dhe strukturave që portretizohen si ikona, apo imazhe simbolike të krijuara përgjatë periudhave historike. Në një film, për shembull, publiku e kupton që New Yorku është kthyer në një djerrinë, jo sepse ai sheh një djerrinë, por vetëm sepse pishtari i mbajtur lart nga Statuja e Lirisë spikat dukshëm duke dalë nga rëra që tashmë ka mbuluar gjithë qytetin. Në një film tjetër Ura Golden Gate paraqitet e shqyer nga një valë batice; e në një tjetër libri i fundit i mbetur në Tokë përbën qëllimin e vazhdimësisë së jetës të atyre që kanë mbijetuar në të.

Pse këto imazhe janë kaq shumë më të efektshme se sa dhe pamjet më tragjike të një njeriu kur vdes? Kjo ndodh sepse ato flasin jo thjesht për shkatërrimin e një monumenti, por për shkatërrimin e një qyteti të tërë, të një shoqërie, të një kombi, të një qytetërimi dhe të një mënyre të jetuari. Shkatërrimi nuk përfaqëson vetëm shkatërrimin e atyre që jetonin pikërisht në momentin kur u shkatërruan këto monumente, por atë të gjeneratave të tëra.

Tashmë të gjithë atyre brezave të sportistëve, trajnerëve, sportdashësve që kanë debutuar, apo brohoritur gjatë 80 vjetëve në këtë stadium u kanë mbetur vetëm fotografitë.

Ashtu sikurse kemi shkatërruar shumë qytete e rrugë antike, kala e ura mesjetare, kisha bizantine e lagje të tëra me vlera historike tashmë po shkatërrojmë edhe ato pak gjëra që kemi nga arkitektura moderne. Ne nuk u lemë gjë brezave që vijnë dhe ata rriten pa njohur të kaluarën e këtij vendi. Rriten me amnezi kulturore. Rriten pa identitet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *