Mediat kanë përcjellë sot një artikull të një gazete angleze që flet për “një zbulim të madh në Vlorë”. Po risjellim një kujtesë një shkrim të Prof.Apollon Baçes, ish-drejtor i IMK-së për Triportin.
Triporti në syrin e Apollon Baçes
Në skajin verior të Gjirit të Vlorës, në Triport gjendet një varg i ulët kodrinor, që vazhdon prej veriut në jug dhe shtrihet deri në buzën e detit. Në veri të tij gjendet liqeni i Nartës, në perëndim dhe në jug deti, ndërsa në lindje gjendet një truall rreth 1 km i gjatë dhe 0.5 km i gjerë.
Qyteti i fortifikuar dhe skela përmenden prej Çelebiut, ku sipas tij “në perëndim të fshatit Zvërnec, në një shkëmb në buzë të detit gjendet kështjella e Jengjeçit, prej së cilës ruhen vetëm rrënojat e mureve dhe një liman shumë i madh. Me gurët e tyre, Sulltan Sulejmani ndërtoi fortesën e Vlorës.
Fakti që muret e kalasë së Vlorës janë ndërtuar me blloqe të thyera të periudhës antike, na shtyu të vëzhgojmë më me kujdes zonën e mësipërme. Gjurmët që u gjetën nga sondazhet treguan se linja e mureve ndiqte kodrën në 2/3 e lartësisë së saj, duke rrethuar një sipërfaqe prej 3 ha.
Blloqet e murit, identike me ato që qenë përdorur në kalanë e Vlorës, janë dëmtuar në mënyrë sistematike edhe më vonë, duke shërbyer si gurore për ndërtimet që kryheshin përreth. Megjithëkëtë, poshtë pasqyrës së ujit dhe në pjesët e saj të fillimit ruhen ende gjurmë, të cilat së bashku me disa sondazhe dhe një skicë të K. Paçit, na japin mundësinë që të rindërtojmë në vija të përgjithshme planimetrinë e saj.
Bankina nis në rrëzë të kodrës, vazhdon në vijë të drejtë për 650 m, duke qenë kështu një nga më të mëdhatë e kohës. Kjo gjatësi jepte mundësi të ankoroheshin shumë anije. Trualli ndërmjet dy vargjeve kodrinore që përmendëm më sipër, është i mbushur me gjurmë ndërtimi dhe fragmentesh qeramike. Togjet me skarcitete dëshmojnë për praninë e punishteve në afërsi të shpatit të kodrës së fortifikimit.
Lind pyetja: nëse Kanina, qytet bregdetar, në një zonë të përshkruar prej korrentesh të fuqishme ekonomiko–politike i ka shpëtuar vëmendjes së historianëve dhe gjeografëve antikë?
Siç dihet, në këtë zonë përmendet vetëm një qytet me emrin Amantia, me koordinata që përkojnë mjaft mirë me ato të Kaninës. Pozita e tij e kushtëzuar nga lidhja e njëkohshme me detin, në një zonë të përshtatshme për qëndrimin e anijeve dhe hinterlandin Amantin dëshmon mjaft mirë se këtu kemi të bëjmë me një qytet amant.
Zhvillimi i Amantias në shek. IV-III p.e.s dhe kthimi i saj në një nga qendrat më me rëndësi të bregdetit të poshtëm të Adriatikut, sigurisht që kërkonte një qendër buzë detit për kryerjen e tregtisë detare, qendër që sipas nesh ishte pikërisht Kanina. Vetë emri mendojmë se do të ketë mbetur i fshehur nën emrin e fisit dhe qytetit mëmë Amantie. Për sa i përket qendrës tjetër, Straboni, ndërmjet Orikut dhe Apolonisë në bregdet vendos Bylliakin, ndërsa Ptolemeu pas Apolonisë rreshton Aulonën (qytetin me rrënojat e Triportit) është jashtë dyshimit, pasi asnjë qendër tjetër nuk i përgjigjet më mirë përkufizimit të Ptolemeut.
Por në këtë zonë, siç e pamë më sipër, gjendet vetëm një qytet bregdetar, ai në Triport, e duke u nisur nga kjo, Tomashek hedh mendimin se ndoshta Aulona fillimisht ka qenë Bylisi. Ky supozim na duket i drejtë, pasi një qytet i vetmuar, pa lidhja të forta me hinterlandin, si ekonomike ashtu edhe ushtarake do të qe eliminuar me kohë prej Apolonisë fqinje, e cila duhet të ndiente mirë konkurrencën e saj tregtare.
Identifikimi i qytetit të Kaninës në periudhën e vonë antike mendojmë se mund të arrihet në sajë të listave të Prokopit. Ndërmjet fortifikimeve të ndërtuara në Epirin e Vjetër, ai përmend dhe njërin me emrin Kionin. Qenia e Kaninës pikërisht në kufirin midis dy Epireve (siç kuptohet nga burimet, ndarja tradicionale kalonte midis Ujit të Ftohtë dhe Rradhimës) na lejon të supozojmë se ajo mund të jetë vënë gabimisht në Epirin e Vjetër.
Kështjella e Sofës, mendojmë se si në kohën antike, ashtu dhe në atë antike të vonë quhej Tragjas, emër të cilin e gjejmë te Stefan Bizantini për një krahinë të Epirit (tragasai) të njohur për nxjerrjen e kripës, pra në buzë të detit, emër që ruhet dhe sot e kësaj dite për fshatin ngjitur kështjellës. Për sa i përket Aulonës dhe Orikut, ata vazhdojnë të ruajnë dhe sot trajtën e vjetër.