Një vit pa Frankon, flet Tefta Radi: Më mungon çdo gjë e bukur!

Realizohet dokumentari “Jetë e trazuar” për kantautorin Françesk Radi. Bashkëshortja e tij rrëfen një vit pa të. Në dokumentar prezantohet jeta e tij, nga Festivali i 11-të, deri në ditët e fundit. Në nderim të tij nesër inaugurohet një monument pranë Liqenit Artificial

“Një vit lamtumire Franko!”. Ky shënim i bashkëshortes së tij, dëshiron të bëjë bashkë mëngjesin e nesërm të gjithë ata që e deshën, si njeri dhe artist, kantautorin Françesk Radi. Një bust për të, do të inaugurohet në orën 09.00 pranë amfiteatrit te Liqeni Artificial, në vendin që ai deshi më shumë në këtë qytet, sepse ishte vendi që me kitarën e tij krijoi meloditë e para.

“Pranë amfiteatrit tek Liqeni Artificial, atje ku me kitarën e pandashme krijoi meloditë e para, këngëtari do të kujtohet përmes muzikës dhe një monumenti kushtuar figurës së tij. Ju presim ta vendosim sërish Frankon mes nesh, ashtu si dikur”,-shprehet më tej Tefta Radi. Busti është realizuar nga skulptori Ardian Pepa me mbështetjen e familjarëve.

Ndërsa, në pasdite, ora 17.00 në ambientet e kinema Milenium do të transmetohet dokumentari “Jetë e trazuar për të ndjekur rrugëtimin e një ëndrre, që edhe pse e prerë do të tingëllojë gjatë. Kush e njohu Frankon e deshi, kush e deshi qau, e kush qau nuk i tha dot lamtumirë, por thjesht mirupafshim Mik. Askush nuk vdes në këtë jetë kur jeton në zemër e melodi”, shkruan bashkëshortja e tij.

Tefta Radi ka qenë pranë tij gjatë gjithë jetës, por sot edhe pse ka kaluar një vit nga ndarja e kantautorit nga jeta, ajo ka të vështirë të që të flasë gjatë për shkak të gjendjes së saj. “Momentalisht jam shumë e lënduar, që të flas gjatë. Por jam e lumtur, që në nderim të figurës së tij është realizuar një dokumentar emocionues, që flet për tërë jetën e tij”, shprehet për gazetën “Shekulli”-n, spikerja e njohur.

Ajo na tregon se në këtë dokumentar të realizuar nga Radio Televizioni Publik Shqiptar flitet për jetën e Françesk Radit, por jo vetëm. Përmes jetës së tij vjen e gjithë koha, duke nisur që nga vitet 70-’80, kur nisi censura në artin shqiptar. “Jeta ka qenë e vështirë në këtë vit pa të, tmerrësisht e vështirë. Më mungon gjithçka e bukur. Kujtimet janë kujtime dhe jeta është jetë, por ajo që më mungon është gjithçka e bukur”, rrëfen zonja Radi.

Në dokumentarin “Jetë e trazuar” ndër artistët që flasin janë: Robert Radoja, Bujar Kapexhiu, Josif Papagjoni, Sadik Bejko, Zhani Ciko etj.
Profesor Sadik Bejko është njohur me kantautorin, kur ishte redaktor muzike në Radio Televizionin Shqiptar, asokohe Radi trokiti në dyert e RTSH-së për të provuar talentin e tij, për të regjistruar këngën “Adresa” (1971). Ishte një këngë, të cilën e kishte krijuar vet. Tekstin e kishte shkruar moshatari i tij, Kastriot Gjini. Por, kantautori do të bëhej shumë i njohur edhe me këngët e tjera, që do të këndonte më vonë. Profesor Sejko mendon se zëri i tij i veçantë, ishte i pasur me tonalitete pak a shumë të muzikës moderne edhe asaj të lehtë, që anonin nga muzika italiane. “Kujtoj se asokohe kishte një problem për të hyrë në radio. Thoshin se, në timbrin e tij ka diçka nga Adriano Çelentano. Kjo nuk lejohej në atë kohë”, tregon Sejko.

Por, jo vetëm kaq! Bashkëpunimi me profesor Sadik Sejkon do të vazhdonte edhe më vonë, madje për t’u kujtuar vite e vite më pas për ngjarjet, që pasuan në artin dhe në muzikën shqiptare. Festivalin e 11-të në RTSH Françesk Radi interpretoi këngën “Kur dëgjojmë zëra nga bota”.

Kjo ishte kënga hapëse në këtë festival. Tekstin e saj e ka shkruar profesor Sadik Bejko. Festivalin e hapi kjo këngë, sepse kërkohej një këngë me tematikë. “Ishte me tematikë për arsye, sepse trajtonte një temë ndërkombëtare. Atëherë, pothuajse e gjithë e majta botërore dhe Shqipëria shqetësoheshin për luftën në Vietnam. Por, pavarësisht se nuk ishte këngë e ashpër, por ishte e butë dhe e angazhuar u tha se kishte tone propagandistike. Shqetësimi dhe lufta, që bëhej në Vietnam shqetësonte edhe të rinjtë në Shqipëri. Kjo temë ishte gati, gati në pohim me propagandën e kohës. Megjithatë, kënga u mor si shkas që Françesk Radi të shkonte për disa vite në Pukë”. Sigurisht që kjo këngë ka qenë pretekst për shkuarjen e tij në Pukë, mendon profesor, sepse ai shihej pak si vëngër edhe për tematikën e dashurisë, që sillte në këngët e tij.

Më poshtë, teksti i këngës: “Kur dëgjojmë zëra nga bota”. “Mora shokët shkuam në park,/ Ishte mbrëmje, ishte qetësi. /Me kitarën ulur në një stol, /Nisa një këngë për shokët e mi. /Ah, ky zëri nuk dilte i lirë, /Dhe kitara nuk binte lehtë. /Më thanë shokët: Ç’farë ke ti në këtë natë/ Në këtë mbrëmje nuk kam gjë të fshehtë. /Në Vietnam o shokë /Bombarduan prapë’ sonte /Shqetësimin tonë/Me kitarë ta këndojmë. Merr kitarën shokët më thanë /Heshtja parkut jo, nuk i shkon /Me kitarën ulur përsëri /Nisa një këngë për shokët e mi…”.
Në përshkrimin e Bejkos, Radi është ka qenë një natyrë të butë, e tërhequr edhe melankolike, që nuk krijonte probleme. Ai e kujton, si një njeri të ndrojtur me bukuri dhe me urtësi të shpirtit, që edhe pse iu desh të kalonte disa vite të jetës së tij në Pukë, (Fushë Arrëz), arriti sërish që edhe në ato zona të krijote muzikë, derisa u kthye në Tiranë. Këngët e tij vazhdojnë që t’i mungojnë publikut, por megjithatë repertori që ai ka lënë pas, na bën të kuptojmë vlerat dhe kontributin, që i ka sjellë Radi muzikës shqiptare.

Një nga zërat e dokumentarit “Jetë e trazuar” është edhe kritiku i artit Josif Papagjoni, i cili ruan kujtimet e tij me të, duke e konsideruar si një mik të vyer të rinisë së tij, që nga Fushë Arrëzi deri në Tiranë. Ata kanë fjetur së toku në një dhomë në Fushë-Arrëz asaj kohe të acartë pas plenumit të IV-të PPSH (1973-1974), fillimisht në një barrake druri vrima-vrima e pastaj në një studio në prapaskenë në Pallatin e Kulturës. Shkëmbenin dëshpërimet mes tyre, por dhe shpresat, energjinë, humorin, artin.
Dhe aty, mes borës dhe erës, në gjithë vështirësitë e menduara të asaj kohe, me gjithë frikërat dhe pasiguritë, ai merrte kitarën dhe këndonte në dhomë këngë të Adriano Çelentanos e këngëtarëve të tjerë italianë. “Ende e kam në vesh zërin e tij paksa të ngjyruar, krejt origjinal, dhe atë tipin e njeriut të urtë, babaxhan, me kokën varur mbi tastierë, në një përhumbje të bukur. Dhe ky imazh, me atë miqësi e respekt gati të shenjtë të krijuar atëherë, në vitet e vështira të rinise sonë, më ndoqi gjithë jetën, duke mbetur një adhurues i muzikës së tij, por dhe i miqësisë që kam pasur”, ka rrëfyer profesor Papagjoni për kantautorin.

Biografia
Françesk Radi (1950-2017) lindi në Tiranë. Kreu Liceun Artistik dhe Akademinë e Arteve. Fillimisht nisi që të punojë në Estradën e Shtetit, si kitarist dhe kantautor. Në moshën 22-vjeçare, pas studimeve të larta, mori pjesë në Festivalin e 11-të të Këngës në Radio-Televizion. Teksti i këngës “Kur dëgjojmë zëra nga bota”, i Sadik Bejkos, ishte një protestë për luftën në Vietnam. Shqipëria ishte në krahun e popullit vietnamez. “Ishte një këngë rrok. Ne ishim mësuar që temave politike t’iu këndonim me marshe, me himne. Kënga bëri përshtypje në qarqet e larta. Madje ministri i asaj kohe, deklaroi në një mbledhje: “Françesk Radi, i këndon Vietnamit, me kitarë si amerikanët”.
Pas këtij interpretimi e larguan nga Tirana, për prirjet moderne që ishin parë në muzikën e tij, dhe për 8 vjet ka punuar në Shtëpinë e Kulturës Fushë-Arrëz. Në vitin 1992 nisi punë në Radio Tirana si solist, instrumentist, gjatë kësaj kohe ka kompozuar dhe kënduar shumë këngë në festivalet e ndryshme. Në festival u kthye me këngën “Një nënë, fëmijët, koha dhe unë” (1993) me tekst të Romina Power. Një vit më vonë këndoi bashkë me Mariza Ikonomin “Telefonatë zemrash”. Disa nga këngët e tij janë “Rroku i burgut” (1996), “Jeta s’të lë fëmijë” (1997), “Erdha erdha” (1998), “Ky fat na ra” (1999), “Zemër trembur s’kam jetuar” (2002), “Syri i saj po më verbon” (2003) etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *