Një tablo, një kokë, Goya dhe pinjolli i tij Omer

Një tablo, një kokë e sapo pikturuar dhe një birrë poshtë në klubin poshtë atelierit në bulevardin “Arago”. – E bukur kjo kokë, – i them Omerit. – Ah, – qesh ai, – kur po e pikturoja m’u kujtuan vizatimet e Gojas. Ti e di, unë gjithnjë e kam adhuruar atë… Dhe mua m’u kujtua ajo natë e studentit Omer që kishte marrë rrugën që më 1964 nga akademia e Arteve në Stamboll për të ndaluar në Porta del Sol të Madridit që të nesërmen të shkonte në “El Prado” për të parë në original tablotë e mjeshtrit të tij. Dhe ajo natë ishte një çudi e madhe… – Mirë kjo koka tënde, – i them Omerit, – por koka e Gojës që ende nuk është gjetur si i bëhet, sepse ai vdiq në jug të Francës, mërguar nga Spanja dhe kur vite më vonë u zhvarros, koka e tij nuk u gjet më…
Kjo kokë më duket se vërtitet gjithnjë në ëndrrat e Omerit dhe galaktikën e kokave të tij… Ishte një udhëtim i bukur i Omerit për tu takuar me mjeshtrin e tij pa kokë!
Goya, rruga e mundimshme drejt njohjes
Imazhet e tablove të para të Goya-s kanë mbetur te ai ende të gjalla, në të njëjtat mbresa si në vitet e rinisë, kur para tij, student, zbuloheshin portrete e personazhe të piktorit, i cili do të bëhej idhulli i tij. Ishte Francisco Goya, më i madhi dhe më demoniaku i spanjollëve. Kur profesori i atelierit në akademi u kërkoi studentëve të zgjidhnin piktorin e preferuar apo mjeshtrin e tyre model, Omeri zgjodhi menjëherë Goya-n. Pse vallë Goya-n dhe jo ndonjë tjetër? Ndoshta fryma dramatike, ngjyrat, portretet popullore… Pikërisht miti i këtij piktori nga tokat e Spanjës, nga Aragona, do ta tërhiqte të merrte që i ri rrugët drejt Madridit e Toledos, të hynte në botën e madhe e të magjishme të muzeut të El Prados për të parë nga afër atë, që vite me radhë kishte parë në albume, atë që për vite kishte ëndërruar ta shihte realisht, si pëlhurë, ngjyrë, lëvizje peneli, linjë… Mjeshtri do t’i shfaqej kështu me gjithë hiret e tij. Capricios… Disparates… Të mrekullueshme tablotë e serisë së famshme si “disparate volante”, “disparate disordonato”, “disparato ridiculo”… Më tutje Kolosi… Ç’figurë madhështore! Më pas e pa atë në kishën e “San Antonio de la Florida”… “Goya gjithë jetën ka pikturuar njeriun”… – të thotë pas një meditimi të gjatë Omeri. – “Më kujtohet kur para 20 vitesh shkova në “Metropolitan Museum” të New York-ut, ku pashë veç të tjerash dhe një vizatim-autoportret të Goya-s. Nuk di pse portreti i tij m’u përafrua me atë të Betovenit. Kishte diçka të ngjashme e dramatike në portretet e tyre. Ndoshta sepse ai ishte në pikturë po aq i madh sa Betoveni në muzikë, apo ngaqë të dy kishin jetuar të njëjtën epokë, të njëjtën dramë, të shurdhuar që të dy… ndoshta arti i tyre dramatik e tragjik!…”
Një ditë, kur Omeri më tregonte për piktakimin e parë me pikturën e Goya-s në “Museo El Prado”, unë përpiqesha ta rikrijoja dhe ndërtoja si në një mozaik, pjesë-pjesë, atë piktakim aq të pritur nga piktori i ri. Dhe kjo sepse pak kohë më parë, unë vetë kisha zbarkuar në Puerta del Sol të Madridit, duke menduar po për Goya-n, torerot e toreadorët e tij. Pikërisht atje, në Puerta del Sol, që spanjollët thonë se është vendi më i zhurmshëm i botës, mjeshtri plak kishte pikasur portretet më të fuqishme të tij, “mahat” e popullit, mëkatarët, lypësit, të varfërit, ata që kryqëzoheshin atje ku dikur zhurmonin rrugët e mëdha të Madridit, kafe Mahor, Arena, Karmeni apo Alkala dhe ku “aguadorët” shisnin ujin e freskët të çezmave Malebianca. Pikërisht aty, Omer Kaleshi kishte gjetur po ato portrete që kishte hasur në tablotë e mjeshtrit, veçanërisht në tablotë e fundit, atëherë kur piktori plak, i shurdhuar dhe duke pritur vdekjen thërriste: “Ya es hora”! („Erdhi ora për të ikur nga kjo botë!“)
Periudha pikturale e këtij piktori të madh që ndikoi fuqishëm mbi pikturën e Kaleshit, është padyshim ajo që kritikët e artit e quajnë “la peinture noire”, apo “piktura e zezë”, me krijime të piktorit në fundin e jetës së vet, të cilën disa kritikë e kanë cilësuar “la descente aux enfers”, pra “zbritja në ferr”. Janë katërmbëdhjetë tablo të vendosura në muzeun “El Prado” (më parë ato gjendeshin në shtëpinë e Goya-s në “Quinta del sordo”, apo („Shtëpia e shurdhit“), në tone të errta dhe me personazhe mjaft popullorë si, njerëz nga rruga, pleq, fallxhorë, fytyra lypësish etj., siç i shohim në Pasco del santo oficio, El aquerale, La romeria de San Isidor, etj. Portrete disi të mjegullta, me vështrim të humbur, ndjesi e atmosferë që e has në një trajtë tjetër në portetet e Omerit. Megjithatë koncepti piktural i Omerit afrohet me shumë me një nga tablotë e Goya-s të kësaj periudhe. Bëhet fjalë për El Perro apo Koka e qenit, emërtime këto të vëna nga kritika dhe jo nga vetë autori, një tablo me tone okër, ku ndryshe nga gjithë piktura e “senjor” Goya-s, piktori i madh e ka ndarë tablonë në dy pjesë, çka nuk e shohim në pikturën e tij, pra një prerje me një fill-ndarjeje ku shfaqet koka e një qeni. Çuditërisht shumica e tablove të Omerit ka pikërisht këtë ndarje, koka që nderen mbi këtë fill, apo koka që shfaqen pas kësaj ndarjeje dhe ku ndarja është përgjithësisht në pjesën e dytë të tablosë. Por ajo që të befason më shumë është përafrimi kompozicional i portreteve të Dramës ballkanike; koka që zgjaten mbi vijën ndarëse për të parë përtej dhe Kokës së qenit që zgjatet mbi ledhin-ndarës që të shohë nga ne.
Prej shumë vitesh Omeri mbetet i dashuruar pas pikturës së Goya-s. Kudo që do të shëtisë nëpër botë, ai do ta kërkojë atë në muzeumet e mëdha. Librat dhe albumet e Goya-s, të shumtë në bibliotekën e tij, janë nga gjërat e çmuara të artistit: jetëshkrime, album vizatimesh, botimi i gravurave, përmbledhje e pikturës së tij, portrete, etj. Po të shkojë në Madrid, patjetër që ai do të ndalet edhe në varrin e Goya-s në kishën e San Antonio de la Florida. “Mjeshtri flë”, – mendon Kaleshi, por vepra e tij gjigande rri zgjuar…” Një tjetër ditë, Omeri do më thoshte: “Goya punonte natën dhe unë duket se e kam imituar në këtë drejtim“. Por edhe Andre Malraux shkruante se “te Goya nuk ka dritë natyrore, por artificiale, një lloj ndriçimi teatral…”
L. Rama (18 korrik, 2017)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *