Është ekspozuar sot për herë të parë kostumi kombëtar që ka mbajtur në vajzëri Shën Tereza e Kalkutës.
Në kuadër të përvjetorit të ditës së Lumturimit në Muzeun Historik Kombëtar bashkia e Tiranës, ka ekspozuar kostumin me motive tradicionale të qytetit të Prizrenit dhe objekte të tjera të saj.
Sipas Afërdita Onuzit, Nënë Tereza e ka mbajtur në moshën 16-17 vjeçare. “Mendohet që e ka pasur e ema kur është martuar, por që ka qarkalluar brenda mjedisit familjar. E ka veshur edhe Nënë Tereza dhe ne kemi fotografi me këtë kostum. Midis vitete 60-70, nëna e Nënë e Terezës dhe motra e saj, të ndodhura në kushte të vështira ekonomike shkojnë te një mik i familjes, për t’i ndihmuar duke shitur në fondet e arkivit tonë. E shiti në arkivin tonë, por jo me emrin e tyre. Në atë kohë nuk mund të ndihmohej familja e Nënë Terezës”, tha Onuzi.
Siaps saj, këtë sekret e dinte vetëm Rruk Sojzi që e bleu dhe punonjësja e arkivit, Pandora Plaku. “Pandora më merr ne telefon dhe më thotë që dua të të besoj një sekret sepse unë jam shumë e semurë dhe dua që të mos mbetet anonim një vlerë e madhe siç është kostumi i Nënë Terezës”, tha Onuzi.
Ekspozita e organizuar nga Agjencia për zhvillimin rajonal 2 Tiranë ka pjesë të saj 54 objekte, që dëshmojnë trashëgiminë kulturore nga dy qendrat më të zhvilluara politike-ekonomike-tregtare dhe kulturore shqiptare të shek.XIX dhe fillimi i shek. XX, konkretisht të Shkodrës vendlindja e babait të Nënë Terezës dhe Prizrenit, ku ka lindur nëna e Nënë Terezës.