Ismail Qemali mason? Studiuesit pro e kundra

Një prej kumtesave të mbajtura në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka qenë ajo e studiueses hungareze Zsófia Turóczy, e cila është marrë me teorinë që Ismail Qemali ka qenë mason. “Në prezantimin tim dua të merrem me shqiptarët, të cilët janë paraqitur në historiografinë përgjithësisht si masonë: Ibrahim Temo dhe Ismail Qemali. Unë dua ta shpjegoj e diskutoj gjendjen e hulumtimeve mbi këtë çështje, sepse kërkimi aktual i ka ende informacionet kundërthënëse për këtë lëndë dhe dua këtë ta plotësoj me kërkimet e mia. Unë përpiqem tu përgjigjem këtyre çështjeve: Çfarë argumentesh janë pro dhe kundra, që ata ishin masonë? A ishin rrjetet e masonëve me rëndësi për aktivitetet e tyre në kontekstin historik dhe në identitetin e tyre kombëtar e kulturor? Çfarë roli mund të ketë luajtur masonëria në Rilindjen Kombëtare?”, citohet të ketë thënë studiuesja, sipas faqes së Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, shkruan Fatmira Nikolli.

Në kumtesën e titulluar “Masonët shqiptarë në Perandorinë Osmane?”, ajo ka thënë se objekti i disertacionit të saj është rrjeta e masonëve në Evropën Juglindore në fund të shekullit të XIX dhe në fillim të shekullit XX. “Masonëria ishte (dhe është deri tani) një lëvizje shoqërore dhe politike me rite mistike, që lindi në Evropë në shekullin XVIII midis aristokracisë dhe borgjezisë. Nga njëra anë masonëria ndiqte idetë utopike: Ajo deshi ta përmirësonte botën dhe të krijonte një vëllazëri universale mbi baza të Revolucionit Francez ‘Liri, Barazi, Vëllazëri’, nga tjera anë masonëria u përpoq të ushtronte ndikim mbi proceset shoqërore, politike dhe kulturore në shërbim të organizatës së masonërisë ose e para të shtetit ose të kombit të vet”, ka thënë Zsófia Turóczy. Konkretisht, studiuesja në kumtesën e saj është marrë me dy figura të Rilindjes Kombëtare: Ismail Qemali dhe Ibrahim Temo.

“Çështja qendrore e studimit tim është: A ishte masonëria një bashkësi utopike ose arenë për luftërat për pushtet? Vëmendja kryesore përqendrohet mbi Mbretërinë e Hungarisë dhe Perandorinë Otomane. Masonëria në Perandorinë Otomane është përhapur qysh në shekullin XIX dhe besohet të kishte masonë ndër shqiptarë veçanërisht nga personat më të veçantë të Rilindjes Kombëtare dhe në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, por edhe në shërbim të Perandorisë Otomane dhe midis Xhonturqit, ngaqë idetë iluministe të rilindasve shihen si ndikim i frymës masonike në inteligjencën shqiptare të kohës”, ka deklaruar Zsófia Turóczy.

Deklaratat janë bërë në Prishtinë të martën nga studiuesja hungareze Zsofia Turoczy në edicionin XXXV të Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës. “Si myslimani i parë që ndiqte gjimnazin e njohur grek ‘Zozimea’, fliste shumë gjuhë, ishte një nga më të arsimuarit në administratën turke të asaj kohe dhe bëri karrierë të madhe si diplomat osman. Prandaj u shkëput prej Portës së Lartë dhe prej idesë osmane dhe bëri luftën për një shtet shqiptar të pavarur. Ky nuk është një burim i sigurt, por sipas Lozhës së madhe të Shqipërisë ai ishte mason”, ka thënë Turoczy. Ajo ka thënë se sipas librit të Necip Alpanit, kryeministri shqiptar bashkë me admiralin amerikan Lang dhe ambasadorin britanik Charles Gordon ishin masonë.
REAGIMET
“GSH” ka kontaktuar dje prof.Nevila Nikën, ish-drejtore e Arkivit Qendror të Shtetit për ta pyetur për çështjen. Nika ka mohuar të ketë hasur ndonjëherë një teori të tillë. “Nuk e kam hasur asnjëherë këtë hipotezë. As në dokumente, as në letra, as në libra, ku kam lexuar kritika të ndryshme nga kundërshtaret e Ismail Qemalit, por në asnjë prej tyre, nuk është përmendur ndonjëherë Ismail Qemali si mason. Unë kam hasur për shembull që Terenc Toçi përmendej si pjesë e Grand Lozhës së Orientit, por jo për Ismail Qemalin”.
Të njëjtin qëndrim ka pasur edhe studiuesi Niko Kotherja. Ai tha dje se nuk e ka hasur asnjëherë të shkruar një hipotezë të tillë.
Më tej “GSH” ka kontaktuar pinjollin e familjes së Ismail Qemalit, Darling Vlorën. Në një prononcim për “GSH” ai tha se nuk ka dijeni për një teori të tillë. “Janë thjesht mendime të pabazuara. Në ‘kujtimet’ e tij Ismail beu nuk thotë asnjëherë që mund të ketë qenë mason. Ai ka pasur mjaft miq, personalitete të njohur të kohës, burra shteti mjaft përparimtarë, që kanë qenë masonë, por për vetë atë nuk ka asnjë dëshmi që ta vërtetojë. Në ‘kujtimet e tij Ismail beu nuk e përmend asnjëherë që mund të ketë qenë mason’, tha dje Darling Vlora, stërnipi i Ismail Qemalit.
Vetëm Auron Tare i kontaktuar nga “GSH”, tha se e ka hasur një teori të tillë në dokumentet angleze, ku ai përmendej si pjesë e Lozhës së Orientit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *