Vasil S.Tole
Si vjet në këto ditë, bashkë me dimrin që po shkonte, ҫatia e godinës së ish-garazheve u shemb nga pesha e kohës dhe e shirave të dimrit dhe të pranverës së bashku, e bashkë me të ambjentet e degraduara dolën jashtë funksionit. Ndërtesa gati 100 vjeҫare po jepte shpirt.
Dikur në fund të viteve 1920, kjo godinë 1 katëshe fillimisht shërbeu si një stallë për kuajt e Mbretit Zog, e më pas, gjatë viteve të Luftës së II-të Botërore, hapësirat e saj u përshtaten nga pushtuesit për garazhe makinash, kështu që zhurmat e tyre ja zunë shpejt vendin hingëllimës së kuajve mbretërorë. E vendosur në krah të godinës historike e cila kishte pritur në vitin 1920 Parlamentin e Parë Shqiptar e pas Tij me rradhë, Këshillin e Lartë të Rregjencës, Presidentin e me pas Mbretin Zog, kjo ndërtesë modeste pothuajse nuk binte në sy, si për shkak të lartësisë por edhe të faktit që ajo nuk qe projektuar që në të të banonin njerëz. Pas ҫlirimit, ajo i ruajti këto funksione ndihmëse, për disa institucione, kryesisht ushtarake deri kur Akademia e Shkencave në vitin 1972 përshtati një hapësirë të vogël për libërlidhjen dhe magazinimin e botimeve të saj etj.
Nuk dua të zgjatem për rëndësinë që do të ketë për publikun vendas dhe të huaj, për Tiranën e më gjerë, një qendër e munguar deri më sot si kjo e LIBRIT AKADEMIK: rreth 300 m2, me sallë ekspozimi të mbi 600 tituj librash, ambjent promovimesh e vend takimesh i miqve të librit dhe me ambjente të sigurta magazinimi. Koha do ta provojë vlerën dhe domosdoshmërinë e saj.
Kam disa falenderime për të bërë për ata që e mundësuan këtë gjë.
Se pari dua të falenderoj publikisht dy personalitete, vizioni i të cilëve ka qenë dhe mbetet thelbësor për të sotmen dhe të ardhmen e Akademisë së Shkencave, por edhe për rijetëzimin e këtyre mjediseve në funksion të produktit shkencor akademik gjithëshqiptar. Ata janë Akademikët Jorgo Bulo dhe Muzafer Korkuti. Falë tyre u krijuan mundësitë dhe lehtësirat e duhura që në bashkëpunim më TIKA-n të rikonstruktonim fizikisht mjediset e rënuara e me pas të rimodelonim hapësirat e brendshme të LIBRIT AKADEMIK në funksion të akademikëve e studiuesve, librit shkencor dhe të lexuesve.
Një tjetër falenderim shkon për TIKAN dhe Kryetarin e saj, për Prof. Dr. Birol CETIN, për arkitektin Eltion Belaj dhe për ISUFIN, zbatuesin e punimeve.
Falenderimi i rradhës për IMK-në dhe Ministrinë e Kulturës për aprovimin e projektit të rikonstruksionit, pasi ndërhyrja u bë në një zonë monument kulture të mbrojtur me ligj, e në mënyrë të veҫantë një falenderim për zonjën Kombaro, për shpalljen me Urdhër të veҫantë të godinës së Akademisë së Shkencave si Monument Kulture” i Kategorisë së I-rë. Këto dy vendime krijojnë një sinergji mes vlerave kulturore dhe atyre shkencore të këtyre mjediseve në Qendrën Historike të Tiranës.
Më se fundi një falenderim për të gjithë punonjësit e Akademisë së Shkencave që punuan dhe i besuan kësaj nisme, për të ndërtuar tanimë për njerëzit, një tjetër të ardhme, akoma më të paqme të kësaj godine.