Imazhet e rralla shqiptare- nga mbreti Zog te kriminelët shkojnë Amsterdam

Një ekspozitë me fotografi të përzgjedhura nga viti 1856 deri 1959, nga periudha osmane në atë komuniste, pa lënë jashtë fokusit as mbretërinë. Burra, gra, fëmijë, artistë, të burgosur, politikanë, njerëz të thjeshtë, peizazhe, zakone, rite, veshje, tradita-së bashku në Holandë. “Dinastia Marubi – 100 vite të studios fotografike shqiptare” titullohet ekspozita fotografike, që çelet në Muzeun e Fotografisë së Amsterdamit – FOAM nga data 16 shtator deri më 27 nëntor. Drejtori i Muzeut Kombëtar “Marubi”, Luçjan Bedeni, tha dje për “GSH” se ende nuk ka përfunduar përzgjedhja e të gjitha fotografive, por në Amsterdam do të ekspozohen rreth 300 imazhe. Kuratorë të ekspozitës janë Kim Noppers dhe Luçjan Bedeni, ndërsa muzeu FOAM vizitohet nga rreth 210,000 mijë vizitorë në vit. Kuratorja Noppers ishte e pranishme me një ekspozitë të përkohshme në “Marubi”, pas çeljes së këtij të fundit.
EKSPOZITA
Ndonëse ende nuk ka përfunduar përzgjedhja e të gjitha fotografive, sipas një përzgjedhjeje paraprake të bërë pas një hulumtimi, në Amsterdam do të ekspozohen imazhe nga të gjitha trevat shqiptare.
Në ekspozitën “Dinastia Marubi – Njëqind vjet të studios fotografike shqiptare”, FOAM shfaq një përzgjedhje fotografish nga arkivi e studios shqiptare Marubi, imazhe të viteve 1856-1959. “Tre breza fotografësh kanë bërë portrete në studio të një shumëllojshmërie të gjerë njerëzish, duke filluar nga borgjezia urbane, te barinjtë, imazhe nga koha e Perandorisë Osmane dhe nga Mbreti Zog, te kriminelët, aktorët e artistët e famshëm dhe piktorët”, shkruhet në sajtin e Muzeut të Fotografisë në Amsterdam.
I pyetur për fotografitë e të burgosurve, Bedeni thotë se, “të burgosurit janë fotografuar ose në burgje, ose në studio e disa të tjerë kur është bërë regjistrimi i popullsisë”. Ai shton se FOAM është muzeu më i rëndësishëm i Europës në fotografinë bashkëkohore. “I themeluar në fillimvitet 2000, ai ka arritur të vërë emër të mirë në botën e artit”, sqaron Bedeni.
Në ekspozitë do të shfaqen imazhe artistësh si Tefta Tashko, Prek Jakova, Martie Kraja, bandat muzikore etj. “Ekspozita është pjesë e një serie ekspozitash rreth studiove fotografike, që Foam ka prezantuar vitet e fundit duke përfshirë ‘Portrete nga Isfahan’, “Fotogalatasaray – Fotostudio e Maryam Sahinyan’, etj. Sipas muzuet, kjo pasqyron interesin në rritje të njëzetë viteve të fundit në fotografinë e përditshme dhe vlerën e saj si histori shoqërore dhe si art. Kjo ekspozitë është organizuar në bashkëpunim të ngushtë me Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër, Shqipëri”, shkruhet në faqen e muzeut holandez. “Ishte një kohë, diçka më pak se një shekull më parë, kur në Shqipërinë pa rrugë, pa transport, pa teatër, pa ekspozita, kishte shqiptarë që merrnin rrugën nga qoshe të tjera të vendit për të bërë një foto në studion ‘Marubi’ – këtë më rrëfente gjyshja nga ime nga Gjirokastra, tek më tregonte me krenari foton e saj e të gjyshit tim në fillim të viteve ’30″, qe shprehur ministrja Mirela Kumbaro në përurimin e muzeut, suke shtuar se: “Sot është koha kur duhet marrë avioni, trageti, apo makina, për të vizituar muzeun më të bukur të Fotografisë në Ballkan pa dyshim, por edhe me krenari do të thosha, një muze dinjitoz europian”. Ajo pat deklaruar se ky muze nuk është vetëm dinastia Marubi, por janë artistët e Shkodrës që nga Kol Idromeno, Jakova, Pici, Nenshati e të tjerë. “Tashmë, edhe pjesë të tjera të historisë së fotografisë shqiptare i janë bashkuar dhe po i bashkohen kësaj arkive, sepse besojnë te ne, siç është arkiva e pasur e fotografëve Kallfa nga Tirana, që sot ndodhet këtu, apo e familjes Mossi, që sapo na është bashkuar”, thoshte ministrja.
MARUBËT
“Rreth vitit 1850, jo shumë kohë pas shpikjes së fotografisë, italiani Pietro Marubi arriti në Shkodër, pjesa veriore e asaj që sot është Shqipëri. Aty ai ngriti studion e parë fotografike në rajon. Pas vdekjes së Pietros, asistenti i tij, Keli mori mbiemrin Marubi edhe si nderim për të. Ai e mbajti studion hapur dhe ia kaloi të birit, Gegë Marubit”, shkruhet në sajtin e muzeut holandez. Po aty, shënohet se “koleksioni me 150.000 xhama negativësh është interesant nga ana historike, sociologjike, kulturore dhe antropologjike e po ashtu nga ana artistike. Ngjarje nga historia e trazuar e Shqipërisë – nga periudha otomane te periudha komuniste, ritet sociale, kostumet folklorike dhe portrete grupesh të rëndësishme sociologjike mund të gjenden të gjitha në koleksion. Ekspozita është një prezantim i pasur i historisë së fotografisë të një vendi të izoluar europian”. Pas çeljes së muzeut, një sërë sajtesh të huaja i kanë kushtuar vëmendje. Një artikull për muzeun “Marubi” është publikuar nga “Architizer”, databaza më e madhe e arkitekturës dhe shtëpia e “A+Awards” – programi çmime globale për arkitektët më të mirë sot. Një tjetër artikull është bërë nga revista italiane e arkitekturës ‘DIVISARE’, si edhe nga Agjencia Ndërkombëtare të Lajmeve spanjolle EFE, nga revista e rëndësishme e arkitekturës “gooood.hk”, si edhe një publikim nga prestigjiozja e arkitekturës në botë, revista “Dezeen”, e cila është përqendruar te projekti arkitektonik i “Marubit”. (Fatmira Nikolli/GSH)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *