Monumentet e shumëpritura të shqiptarëve të shquar u ngritën krejt papritur në fundjavë në kryeqytetin maqedonas të Shkupit, menjëherë pasi ra nata, duke shkaktuar debate midis komunave.
Sinisa Jakov Marusic | BIRN | Shkup
Statujat e dy shkrimtarëve shqiptarë, të cilat ishin premtuar për vite me radhë si pjesë e Shkup 2014 të financuar nga qeveria, u ngritën pa ndonjë lajmërim paraprak në komunën Centar të qytetit të shtunën pas mesnate, duke shkaktuar një zënkë komunale.
Komuna e Centarit pohoi se nuk kishte të bënte me ngritjen e statujave dhe tha se komuna e Çairit aty pranë, e cila përbëhet nga një shumicë shqiptare, mund ta ketë bërë punën në fshehtësi dhe pa një leje të duhur.
“Nëse përcaktojmë se Çairi ngriti në mënyrë të paligjshme monumentet, ne do të kërkojmë që ajo të shpallet penalisht përgjegjëse për këtë,” tha komuna e Centarit në një deklaratë për shtyp.
“Është e qartë se Çairi nuk mund të ketë dhe nuk ka juridiksion për të dhënë leje për ngritjen e monumenteve në territorin e komunave të tjera,” shtoi ajo.
Statuja e shkrimtarit shqiptar Pjetër Bogdani u vendos në një park përballë ndërtesës së parlamentit, ndërsa tjetra, ajo e shkrimtarit dhe priftit Josif Bageri, u vendos pranë Teatrit Kombëtar të Maqedonisë.
Ka filluar gjithashtu puna për ngritjen e një statuje të tretë, në nder të Nexhat Agollit, një ministër në qeverinë e parë të Maqedonisë në vitin 1945. Statuja e Agollit do të vendoset pranë sheshit kryesor të Shkupit në Maqedoni.
Ndërsa Çairi, i cili drejtohet nga Bashkimi Demokratik për Integrim, partia BDI, partia e vogël në koalicionin qeverisës, heshti për akuzat ditën e hënën, komuna e Centarit, e cila drejtohet nga opozita, tha se ajo dyshonte se qeveria ishte e përfshirë në ngritjen në mënyrë të fshehtë të statujave.
“Qeveria e drejtuar nga partitë kryesore në pushtet, VMRO DPMNE dhe BDI, në stilin e tyre shumë të njohur, ngritën tre monumente brenda natës, gjatë fundjavës para një feste publike, larg syve të publikut,” akuzoi komuna.
Tre statujat e personazheve shqiptare duhet të ishin ngritur në komunën e Centarit në vitin 2010 si pjesë e planit luksoz të qeverisë për të riorganizuar imazhin e kryeqytetit, i njohur si Shkupi 2014.
Në atë kohë, Centari drejtohej nga një kryetar nga partia qeverisëse VMRO DPOMNE, por ai e humbi postin përballë Andrej Zernovski, i cili vjen nga opozita, dhe është kundër planit Shkupi 2014.
Qeveria e udhëhequr nga partia VMRO DPMNE e nisi projektin Shkupi 2014 në vitin 2009. Ai parashikon vendosjen e një sërë statujash përreth qytetit, si edhe ndërtimin dhe rikonstruktimin e dhjetëra ndërtesave në qendër.
Projekti ka tërhequr gjithmonë kritika nga komuniteti etnik shqiptar se në të shfaqen kryesisht heronjtë etnikë maqedonas.
E ndodhur nën presionin e partnerit të saj BDI shqiptare, qeveria në vitin 2010 ra dakord të përfshijë tre statuja që përfaqësojnë shqiptarë etnikë.
Vendosja e statujave ndodhi një ditë pasi BDI mbështeti ligjvënësit e VMRO DPMNE në parlament që votuan për të shtyrë zgjedhjet e qershorit 5 dhe për të hequr të dy ministra të opozitës nga qeveria e përkohshme, e cila fillimisht u ngarkua për të organizuar votimet.
Ata u zëvendësuan me ministra nga VMRO DPMNE.
Ditën e hënë BDI nuk qe në gjendje të komentonte apo të përgjigjej nëse këto dy ngjarje kishin lidhje me njëra-tjetrën.