Gjerak Karaiskaj (specialist i monumenteve), Frederik Stamati (restaurator), Moikom Zeqo (studiues e specialist i trashëgimisë) dhe Arbër Kadia (ish-drejtor i Trashëgimisë) vijnë në një forum në “GSH”, sa i takon fasadës së ish-stadiumit “Qemal Stafa”. Si është parë çmontimi i objektit monument kulture, a quhet ruajtje e monumentit dhe kompleksit monumental, çfarë do të thotë kjo për trashëgiminë kulturore, a kishin/kanë vlerë basorelievet – kanë qenë pak a shumë pyetjet që u janë bërë specialistëve. Numri i të pyeturve ka qenë shumë i madh, por shumica: ish-drejtorë, arkitektë, specialistë, emra të njohur që kanë mbajtur pozita me rëndësi për trashëgiminë kanë refuzuar të flasin publikisht.
Gjerak Karaiskaj: Fasada të mos jetë brenda, basorelievet pa vlerë
Problemi shikohet a do ndërtohet apo nuk do ndërtohet stadiumi i ri? Nga stadiumi i vjetër që është monument kulture, ruhet vetëm një nga fasadat, ajo kryesore. Ndërsa e gjithë pjesa tjetër është rindërtuar. Meqë një stadium i ri duhej ndërtuar për Tiranën, mënyra më e mirë është që të paktën fasada të ruhet. Me sa kemi marrë vesh, fasada është ruajtur dhe do rikompozohet te stadiumi i ri. Pjesa tjetër do ndërtohet në mënyrë të tillë që të jetë neutrale, të mos e dëmtojë këtë pamje të fasadës. Për mendimin tim, fasada e ruajtur, duhet të jetë jashtë stadiumit, jo brenda. Sa për basorelievet, janë dy pjesë pa vlerë të realizmit socialist, si shumë të tjera që u bëhet reklamë nga mediat e “pavarura”. Në përgjithësi, dy basorelievet dhe e gjitha kjo nuk kanë asnjë vlerë, krahasuar me grabitjen e shkatërrimin e hotel “Dajtit”, për të cilin nuk ndihet asnjë njeri.
Frederik Stamati: Më shumë kujdes për çmontimin, fasada nuk jeton gjatë
Fasada ishte një konstruksion që nuk mund të shkonte gjatë. Kishte edhe 25 vite jetë. Si do të inkorporohet ajo në stadiumin e ri me 100 vite jetë? Unë nuk e di se si do të lidhet fasada me stadiumin e ri, për arsye të vetëdekompozimit të betonit. Basorelievet duhet të ishin hequr me kujdes, jo ashtu si janë parë në fotografi, ato që shihen në fotografi nuk janë normale. Kur hiqen relievet, tregohet një kujdes i jashtëzakonshëm që të mos ketë asnjë gërvishtje, asnjë plasaritje. Basorelievet nuk kanë qenë të periudhës kur është ndërtuar stadiumi, ato janë shtuar më mbrapa.
Arbër Kadia: ‘Davidi kundra Goliatit’, trashëgimia e interesat e ndërtimit
Ligji ka ardhur si nevojë për të rregulluar marrëdhëniet sipas interesave të grupimeve të ndryshme sociale. Hapi i parë që ka ndërmarrë kjo qeveri është te Kryeministria, ku në fasadën monument kulture u vendos një instalacion i Parrenos pikërisht në fasadë, për të cilën ligji thotë se nuk preket. Nga ana tjetër, në qendrën historike të Tiranës aq modeste sa është, është kompleksi, sheshi ‘Italia’, ku fasada duhej ruajtur dhe duhej të ishte në anën e jashtme të stadiumit, sepse nëse futet brenda, nuk është më fasadë, e humbet vlerën e saj. E treta, përqasjen për zhvillimin modern e kemi parë te Tyrbja e Kapllan Pashës. Është i vetmi elementi i ngelur nga kompleksi i parë që i dha statusin qytet Tiranës. Që do të thotë, fatkeqësisht, Tyrbja e Kapllan Pashës (trashëgimia) është si Davidi para Goliatit, ku tyrbja/trashëgimia është Davidi përballë Goliathit/interesave të ndërtimit. Fatkeqësisht në këtë betejë Davidi nuk fiton dot.