1924/ Procesverbali i debatit: Abuzimet në financa as Cour des Compts europiane nuk i gjen

GËZIM LLOJDIA
Në 22 mars pasdreke, ditë e shtunë 1924, Kuvendi Kushtetues i Shqipërisë futet në një seancë. Mbledhjen kryeson kryetari Eshref Frashëri. Në fillim të seancës lexohen emrat e të zgjedhurve që mungojnë, Ahmet Zogu, Pandeli Evangjeli, Luigj Gurakuqi. Merren në shqyrtim një procesverbal si dhe lexohen disa telegrame. Mbasi miratohet një projektligj për emisionin kartëmonedhe dhe krijimin e një Banke Kombëtare, kryetari E.Frashëri merr fjalën dhe parashtron bisedën për formimin e një komisioni nga ana e asamblesë për të kontrolluar financat e shtetit prej vitit 1920-1923. Për të sjellë këtë projekt-ligj e merr fjalën Deputeti i Vlorës M.Trajazi këtë bisedë të tij dhe debatit po i nxjerrim nga “Bisedime e Kuvendit Kushtetues.

Mbledhja e XXXIII
E shtunë më 22 Mars 1924 ora 2.30 mbasdreke, Faqe 378

Z.KRYETAR
Bisedim mbi formimin e një komisioni nga ana e Assambles për të kontrolluar Financat e Shtetit prej vijetit 1920-1923
Z.M.TRAJASI
Proponimin që bëra bashkë me shokë për formimin e një komisionit për të kontrolluem t’ardhunat e shpenzimet e Shtetit, më duket se ësht fare i nevojshëm dhe i arsyeshëm, se në ç’do shtet ka një kontroll për kontrollimin e t’atdhurave e të prishurave të Shtetit, kurse neve gjerë më sot nuk është formuar një Këshilli Kontrolluesi. Besoj se ç’do asamblesist do të përkrahin këtë proponim për formimin e një komisioni kontrollues pse edhe populli thotë se taksat jam tue paguej por nuk jam duke ditur se ku do prishen. Edhe për ti dhënë një dritë popullit që nesër të paguaj taksat ma me gëzim, ësht e nevojshme që ta ndriçojmë mbi të ardhurat e prishurat e Shtetit pse ky po vuan për bukë dhe nuk di ku venë parat e tija. Prandaj proponoj Z.kryetar, që formimi i këtij komisioni të pranohet dhe në të, të marrin pjesë nga një amblesist prej ç’do prefekture që pak a shumë janë dege.

Z. A. KËLCYRA:
Z. Kryetar! Në parim nuk jam kundra që lypet të kontrollohen shpenzimet që janë bërë këto 3 vjet, po ish-qeveritë e më parshëme sollën një enersi e një anarshi të vërtetë në budget, të cilat shkaktuan një shqetësi në popull. Në shpenzimet e asaj kohe shikojmë një gjendje kaotike të cilën një komision i përbërë prej Asamblistave nuk mund ta sqarojë. Kemi prova të përparshme, që të tilla komisione nuk kanë dhënë fruta pozitive dhe sa komisione që janë formuem, kanë vazhdue për sa kohë në punë dhe pastaj e kanë lënë m’anash dhe s’kanë bërë asnjë relacion, kështu që edhe nga komision nuk do të dalë asnjë dobi.
Sikurse thashë, bashkohem në parim për kontrollimin e financave të Shtetit, po dua që ky kontrollim të bëhet nga një organ kompetent që të ketë cilësinë e duhur e që të jetë largë atmosfera politike. Ky organ, i cili mund ta kryej këtë detyrë ësht vetëm Cour de Compts dhe deri sa mos të kemi një organ të tillë nuk do mundemi kurrë të kontrollojmë të ardhurat e të prishurat e Shtetit. Pra në vend që të shkojmë kohën kot e të formojmë një komision sikur e pronon propozuesi, do ti lutesh Kryesisë, që atë projekt ligj që e ka paraqitur Qeveria e që pak a shumë komisioni i Drejtësisë e ka biseduar e që Parlamenti i mëparshëm e ka biseduar edhe kanë qenë pranuar artikujt e parë, ta vënë në ri-bisedim. Pra jam dakord në princip me Z. e tij por jam kundra procedurës dhe si thashë dua, qe ky kontrollim të bënet prej një organit kompetent. Sa për shrregullime, nuk kam dyshime se janë bërë dhe për këtë kishe bërë fjalë një herë në Parlament, se në Përmet janë humbur në mes të Financës e t’ushtrisë afro 3000 Nap.
Të tilla gjera kanë muejt me ngja edhe gjetkë dhe akoma më tepër zyre financiare. Pra jam i mendjes të krijonet një organ kompetent i cili mund të verë pakë dritë e rregull në parat e Shtetit.

Z.M. KASSO
Hiç njeri nuk mund të ketë tjater mendje veç, që të kontrollohen financat e Shtetit, por Z. Kryetar, se një komision i emëruar nga Assamblea nuk do jetë i zoti ti arrijë qëllimit dhe nuk do ta përmbush dot detyrën. Për këtë gjë kam ndër sy Statutin i cili në art.75 flet për një Këshill Kontrollues, kështu që për me muejt me kontrollue Financat e Shtetit, lypsen njerës të posaçëm që të dijnë nga Financat. Po edhe sikur të formohet një komision nga Asambleja ky tash për tash nuk do të kuptojë gjë dhe nuk do të nxjerrë gjë në shesh. Për me kontrollues financat e shtetit lypet një organ i posaçëm e mbasi ky ky organ deri tash nuk është formuar, jam i mëndjes që përkohësisht të refuzohet deri sa të formohet Statuti i cili në një artikull të posaçëm do të prevendojë mbi mënyrën e kontrollimit të Financave.

Z.S.STAROVA:
Z.Kryetar! Proponimi i të ndercmit deputetit të Vlorës, Z. Mustafa Trajazi është shumë i arsyeshëm, por të vuëmit në zbatim është sikur se tha A. Ali Këlcyra tepër i vështirë. Arsyeja është se budgetet qysh prej prej vjetit 1921-1923 janë aprovuar po thuaj në mbarim të vjetit se si mund të rregullohet e të zbatohet, s’kam nevojë tapë shpjegime se e kupton secili. Kësisoj Financa nuk ka muejt kurrë të zbatojë budgetin edhe të pregatitë budgetin. Jam plotësisht dakord me Z. Ali Këlcyra i cili thotë se i vetmi organ i Asamblesë apo i Parlamentit, për kontrollimin e shpenximeve të Shtetit është Cour des Compts. Po unë i mendimit që me kaq nuk mjafton e që të mundemi pak a shumë ti biem në rregull Financat e shtetit kur të formohet ku këshill Kontrollues ti rekomandohet Qeverisë që deri atëherë të përgatisë budgetet konsuptive qysh prej vjetit 1920. Prandaj, tash për tash Z.Kryetar aplikimi më duket shumë i vështirë pse më duket se për këtë gjë duhet të ketë një komision të vecantë i cili të merret vetëm me këtë punë.
Z. M.TUTULANI
E kundërshton këtë mendim. Për z. Dr Nush Bushati ky propozim është ashtë një punë e mirë. Ndërkaq dëgjohen zërat nga salla.
Z. R. FICO:
Z. Kryetar! Edhe në kohë të parlamentit të parë patën qenë formue komisione për kontrollimin e disa çështjeve të veçanta, por as ato komisione nuk bënë kurrgjë. Në është se duam të bëjmë një gjë pozitive, një gjë në shesh, duhet të formojmë sa më parë Cour des Compts dhe kur të formohet ky, do të bëjë detyrën që i përket. Në qoftë se ketë punë do t’ia lemë një komisionit të formuar prej Assemblistavet, ky komision si dhe komisionet e tjerë nuk do të nxjerrin kurrgjë në shesh. Me këtë mënyrë i japim vetëm një armë në dorë gazetave, që të na shajnë e të thonë që Asambleja s’po gjë.
Z.Dr N.BUSHATI parashtron mendimet e tij që komisioni parlamentar ti jepet shqyrtimi i Financave të shtetit.

Z. A.KËLCYRA:
Z. Kryetar! Unë jam një çikë si ai dervishi filiosof dhe nuk dua ti kujtoj të shkuarat se abuzimet, që janë bërë në këto 3 vjetët e fundit, janë kaq të mbëdhaja sa për kontrollimin e tyre tjetër dobi nuk do të kemi veç humbjen e kohës e se edhe Cour des Compts po të merret me të shkuarat nuk do ti gjej fundin. Puna është këtu që të ndalojmë abuzimet për sot e tutje, se sa për të shkuarat nuk është e mundur se batakçikëllqet që janë bërë në këto 3 vjetët e fundit, jo një Cour des Compts si i yni por akoma një Cour des Compts i Evropës nuk mund të nxjerrim gjë në shesh. Pra lypet një orë e më parë të formojmë Cour des Compts dhe s’kemi nevojë të presim Statutin dhe me qenë venë në bisedim në Parlament i lutem kryesisë të na paraqesë në ribisedim ketë projekt -ligjen mbi formimin e këtij dhe komisioni i drejtësisë e ka elabouar dhe ka qenë venë në bisedim në Parlament, i lutem Kryesisë të na paraqesin në ri bisedim këtë projekt-ligjë. Duke berë ketë do ti kemi berë një shërbim të madh popullit e jo të humbasim kohën për të qitur në shesh abuzimet e shkuara.
Për të gjykuar për këtë problem e marrin fjalën edhe Faslli Frashëri, F.Vokopola.
R.Fico, bënë polemikë me Ali Këlcyrën i cili e pyet: a je avokat i qeverisë Zotrote?
R.Fico përgjigjet: Nuk jam avokat i qeverisë, po i së drejtës.

Pas pushimit prej minuta A. Këlcyra ka kërkuar të sqarojë fjala batakçillëk. Diskutojnë H.Xhemaki që në thelb pranon propozimin për formimin e një Këshillit Kontrollues. S.Starova, M.Kaso, M.Tutulani, P.A Marlaskaj, S. Vuciterna, S.Blloshmi, Dr.L.Koliqi.
Nga fjala e. Kryetarit po japim disa pasazhe: Tani po e vë në votë. Kush është anëtar që kontrolli të behët prej komisionit të posaçëm nga Asambleja sipas propozimit të Z.Mustafa Trajaziti të ngrehi dorën. Votojnë pro, kështu që mbetet në pakicë. Kush është anëtar që të viret në rendin e ditës formimi i Këshillit Kontrollues sipas Statutit edhe detyrën e Kontrollimit ta bëjë ky këshill të ngrehi dorën. Pranohet me shumicë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *