Prifti françeskan kundër Nasho Jorgaqit: Fishtës i flet vepra, po komunistëve ç’u mbetet?!

Njëqind vite më parë, në nëntorin e 1916-ës, Át Gjergj Fishta e Át Vinçenc Prenushi do të ngarkoheshin për të sjellë në Shqipëri shtypshkronjën që do të përdorej mandej për botime të ndryshme, më shumë se të religjionit, të shqipes së shkruar e dokumentime të shqipes së folur. Frati françeskan At Vitor Demaj, thotë në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” se 100 vite më pas, një konferencë shkencore do të sjellë në vëmendje, gjithë ç’u botua e ç’u përhap prej saj- e mandej, kontributin në kulturë e trashëgimi, në studime, përkthime e mbledhje të visareve të kombit.

Në fund, ky 100 vjetor i Botimeve Françeskane, e gjen emrin e Fishtës, një prej themeluesve të këtyre botimeve, në mes të një debati mbi figurën e tij në kohën e pushtimit italian.
I pyetur për deklaratat e fundit të Prof. Nasho Jorgaqit mbi Fishtën, At Viktor Demaj, thotë se “Krejt vepra e Át Gjergj Fishtës mbetet nji kontribut i paçmueshëm, i përjetshëm në formimin kulturor dhe identitar të kombit tonë. Historia tregoi se vepra e Át Gjergj Fishtës i bani ballë kohës barbare të komunizmi e doli e fort tue u rikthye me madhninë dhe bukurinë e vet në majat letërsisë dhe të kulturës Shqiptare. Po këtyne komunistave të djeshëm dhe të sotëm çka do t’u mbesë në histori? Kurrgja. Me vdekjen e tyne do ti mbuloj pluhni i harresës dhe turpi historik”.
At Viktor Demaj, që është pjesë e Urdhrit Françeskan, shton se “Edhe pse i kanë dënue, burgos, pushkatue dhe ndalue veprat e atdhetarëve shqiptar ku ban pjesë edhe Át Gjergj Fishta, vijojnë ende sot, si dje, me dënue prap veprën e tyne pa kërkue asnjiherë falje”.

-Shënohet me 15 tetor, 100-vjetori i Shtypshkronjës Françeskane. Si dhe nga kush u ndërtua Shtypshkronja?

100-vjetori i shtypshkrojës i bjen të jetë në nandor të këtij vjetit, por për arsye praktike né kemi me u parapri kremtimeve nji muej përpara. Informacione të randësishme rreth shtypshkrojës françeskane kemi prej Át Benedikt Demës botue në revistën “Hylli i Dritës”. Mbasi u dëbuen ushtritë malazeze prej vendit tonë, komanda austro-hungareze merr urdhën prej Viene për me botue nji fletore ku do të paraqiteshin lajme dhe ngjarjet e administratës shtetnore të vendit tonë. Komanda ngarkon Françeskanët- Át Gjergj Fishtën e Át Vinçenc Prenushin- për me pru në Shqipni shtypshkrojën që do të përdorej për botime të ndryshme. Sigurisht u prit me gëzim të madh ky lajm prej Françeskanëve. Por kishte vështirësitë e veta, nji ndër këto vështirësi ishin edhe problemet ekonomike.

-Ku u morën pajisjet për të?

Komanda ushtarake dha fonde në formë borxhi për me ble makineritë në Sarajevë. Shtypshkroja mbërrini prej Sarajevës në Shkodër aty kah gjysa e nandorit të vitin 1916. U instalue në lokalet e kuvendit françeskan të Gjuhadolit, në nandor të vitin 1916. Drejtuesit e shtypshkrojës ishin: Oberleutnandi Vukiæ, shqiptar prej kolonisë së Borgo Erizzo afër Zare, Át Gjergj Fishta, Imzot Vinçenc Prennushi, Át Justin Rrota, Át Antonin Fishta e Át Benedikt Dema. Mbasi vdiq Át Gjergj Fishta, Poeti kombëtar, shtypshkrojës iu vu emni i tij. Me 5 dhetor u botue “Posta e Shqypnisë” për botim i parë i Shtypshkrojës Françeskane.

-Si arriti t’u mbijetojë ajo luftrave
?

Shtypshkroja ka funksionue deri në vitit 1945. Ajo i mbijetoi Luftës së Parë e të Dytë Botnore, por nuk mbërriti me i rezistue sulmit barbar të pushtimit komunist. Akti i parë që kreu pushteti kumunist, qe mbyllja e liceut dhe konfiskimi i shtypshkrojës, mbyllja e saj për mos me shtypë libra. Natyrisht të gjitha këto akte barbare shoqnoheshin me arrestimin dhe eliminimin fizik të françeskanëve e të popullsisë katolike. Kështu bllokuen çdo aktivitet që françeskanët, me kursimet e tyne, e mbanin në lamin e kulturës shqiptare. Fryma e urrejtjes së madhe dhe e hakmarrjes zgjati për 45 vjet në format e saj ma ç’njerëzore e barbare, të papame në kurrnji vend tjetër. Bashkë me eliminimin fizik të françeskanëve, u shkatërrue dhe u grabit pasunia kulturore e ruejtun me vështirësi të mëdha gjatë shekujve.

-“Lahuta e Malcis”, “Visaret e Kombit”, “Hylli i Dritës”, janë veçse disa nga botimet e kësaj shtypshkronje. A mund të na rendisni, veprat me rëndësi për Shqipërinë që u botuan prej saj?

Veprat dhe revista që ju përmendët u shtohen edhe botimi i “Kanunit të Lekë Dukagjinit” i Át Gjeçovit, “Prrallat Kombëtare” të Át Donat Kurtit, studimet gjuhësore të Át Justin Rrotës, vepra poetike dhe dramatike e Imzot Vinçenc Prennushit, revista “Zani i Shna Ndout”, “Posta e Shqypnisë”, “Ora e Maleve”, “Gjeneza e Gjuhës Shqipe” e Çabejt, vepra e Át Anton Harapit dhe natyrisht veprat e Át Gjergj Fishtës, etj. Pra, me botimet e shtypshkrojës u formësue gjuha shqipe, doli në dritë historia e kombit tonë dhe u krijue nji fjalor i mirëfilltë i terminologjisë teologjike.

-Ju do të promovoni edhe librin “100 vjet botime Françeskane”. Sa botime rezultojnë të kenë dalë në dritë në 100-vjet?

Rreth këtyne 100 viteve të Shqtypshkrojës Françeskane, dhe që sot paraqitet me Shtëpinë botuese “Botime Françeskane” kemi nji shumëllojshmëni botimesh në të gjitha fushat, si botime të karakterit religjoz, letrar, historik, gjuhësor, përkthime, etj. Vetëm këto vitet e fundi në kolanën e shkrimtarëve françeskan kemi botue për së parit herë dhe ribotue nji mori veprash me vlerë për kulturën shqiptare. Kjo gja mund të vertetohet lehtë në botimin bibliografik me rastin e 100-vjetorit të shtypshkrojës françeskane. Ky botim nxjerr në dritë jo vetëm punën që kryenin Françeskanët në kohët e kalueme, por edhe aktivitetet kulturore dhe botimet e shumta që po realizohen sot prej Provincës Françeskane Shqiptare.

-Në këtë shtypshkronjë kanë botuar edhe martirët e kishës që këtë vit, lumnohen. A mund të në përmendni botimet e këtyre martirëve?

Shumë ndër martirët e sotëm që do të shpallën të lum zyrtarisht me datën 5 nandor kanë botue vepra të ndryshme në shtypshkrojën Françeskane. Mund të përmendim kryeveprat e Imzot Prenushit dhe sidomos në lamin fetar punimin brilant “Fjala e Zotit ndër të dielë e ditë feste”, letrat baritore, ‘Visaret e Kombit’ dhe poezitë e Át Bernardin Palaj, studimet historike e filozofike të Át Gjon Shllakut e të Át Çiprijan Nikes, etj. Përveç Françeskanëve kanë botue te Shtypshkroja Françeskane, Dom Lazër Shantoja, Dom Lekë Sirdani, etj. Martirët kanë pasë krijimtari të karakterit fetar, përkthime e punime personale, por edhe kryevepra të letërsisë shiptare e asaj botnore, siç janë përkthimet dhe krijimet e D. Lazër Shantojës e Imzot Prenushit.

-Shtypshkronja ka shërbyer edhe për botime, që përtej kishës, kanë qenë botime që kanë ndihmuar në lëvrimin e gjuhës shqipe. Sot, 100 vite më pas, a mund të themi sa ka ndihmuar kjo shtypshkronjë për shqipen dhe kulturën shqipe?

Përgjigjen kësaj pyetjeje nuk mund ta japësh menjiherë. U përket studiuesve dhe të gjithëve, që mbasi të marrin në dorë punimin bibliografik, i cili paraqet nji vështrim të botimeve, të nxjerrin në dritë veprën kulturale të Françeskanëve.
Mund të pohoj me bindje të plotë, se prania kësaj Shtypshkroje si dhe puna e pakursyeshme e françeskanëve, asht themelore në formimin e gjuhës, prozës, historisë dhe etnologjisë shqiptare. Pa punën e madhe të françeskanëve dhe pa botimet e Shtypshkrojës Françeskane, gjuha, historia dhe kultura shqiptare do të ishte shumë e vorfën në të gjithë shprehinë e saj. Sigurisht me shtypshkrojën e tyne, etënve françeskanë iu çilën rrugë të reja përmes botimeve të ndryshme, të mbulueme me shpenzime të pakta dhe të pamvarshme prej kurrkuj. Shtypshkroja – shtypi, faktor i parë i kulturës së popujve të qytetnuem, shprehte për françeskanët kulturë, largëpamësi dhe liri në botime. Prandaj, Shtypshkroja Françeskane simbolikisht shpreh anët thelbësore të identitetit tonë kombëtar.

-Me rastin e 100-vjetorit, ju keni organizuar një Konferencë Shkencore. Cili do të jetë qëllimi i saj?

Kemi programue të kremtojmë dy ditë festive në nderë të 100-vjetorit të Shtypshkrojës Françeskane në datat 15-16 tetor 2016. Me datën 15 tetor në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit (salla Illyricum) do të zhvillohet nji konferencë shkencore me pjesëmarrjen e studiuesve të ndryshëm. Ndërsa me datën 16 tetor do të zhvillohet në librarinë françeskane (Rr. Kolë Idromeno – Pedonale) në Shkodër promovimi i librit “100 vjet botime françeskane”.

-Mes emrave të mëdhenj të Frannceskanëve, është Gjergj Fishta, për të cilin gjuhëtarja Ledi Shamku thotë se i detyrohemi një ndjesë për “varrin e dhunuar, ndjesë për gjuhën e ndaluar, ndjesë për njollat mbi emrin e tij, njolla të vjetra e të reja!”. Së fundmi, studiuesi Nasho Jorgaqi, ka thënë se ai ka flirtuar me fashizmin. Si një prej atyre që keni lexuar çdo gjë të shkruar të Fishtës e si vijues i traditës françeskane, a keni një koment, a një mesazh për çka thuhet për Fishtën?

Nuk kam pas ndërmend me hy në ketë çështje, sepse faktet dhe arsyeja janë me Át Gjergj Fishtën në anën e së vertetës, por për arsye se asht humbje kohe. Po mbasi ju më batë këtë pyetje, po ju përgjigjem shkurtimisht. Këtyne personave u asht dhanë përgjigje me kohë rreth kësaj çështjeje. Gjithsesi, asht për të ardhë keq se si ideologët e sistemit komunist të djeshëm, ata që kanë krye vrasje, spijunue e fut në burg njerëzit e pafajshëm vijojnë me folë edhe sot. Kjo gjendje asht nji pikpyetje e madhe për ndërgjegjën tonë kombëtare, për shoqninë tonë.
Edhe pse i kanë dënue, burgos, pushkatue dhe ndalue veprat e atdhetarëve shqiptar ku ban pjesë edhe Át Gjergj Fishta, vijojnë ende sot, si dje, me dënue prap veprën e tyne pa kërkue asnjiherë falje. Përkundrazi, vijojnë edhe sot me dhanë sentencat e tyne bash si “pionerët në rrugën e partisë”. Krejt vepra e Át Gjergj Fishtës mbetet nji kontribut i paçmueshëm i përjetshëm në formimin kulturor dhe identitar të kombit tonë. Historia tregoi se vepra e Át Gjergj Fishtës i bani ballë kohës barbare të komunizmi e doli e fort tue u rikthye me madhninë dhe bukurinë e vet në majat letërsisë dhe të kulturës Shqiptare. Po këtyne komunistave të djeshëm dhe të sotëm çka do t’u mbesë në histori? Kurrgja. Me vdekjen e tyne do t’i mbulojë plhuni i harresës dhe turpi historik.(Fatmira Nikolli- Gazeta Shqiptare)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *