Qasja jonë ndaj repertorit të trashëgimisë komuniste mbi filmin

 

Nga Agron Tufa

Ndërhyrja tek kinematografia komuniste, si në çdo repertor të artit, arsimit dhe kulturës, që përbën trashëgiminë e komunizmit, duhet bërë me ligj, në analogji me legjislacionin e BE, si për ndalim të propagandës së drejtëpërdrejtë, ashtu dhe për abuzim me të drejtat e autorit. Janë këto dy aspekte që na shtyn të ndajmë një shqetësim të përbashkët me z. Erald Kapri.
Sigurisht që reaksioni është i pritshëm, agresiv dhe rezistencë do të ketë, ngase nga kjo preken direkt një masë e madhe shikuesish nostalgjikë e profanë, regjisorët, aktorët, skenaristët etj, etj, – pra autorët, sikundërse dhe dhjetra televizione, të cilët, në boshllëkun e humnertë të programacionit, i mbushin ekranet me filmat dhe dokumntarët komunistë të Kinostudio “Shqipëria e Re”. Nuk e di ç’rol edukativ mund të përmbushin filmat propagandistikë që nxitin urrejten midis shqiptarëve, që ushtrojnë gjenocid me luftën e klasave, fenë e besimet fetare, penat e poetët më të rëndësishëm të periudhës së para luftës së dytë botërore, që shpikin sabotatorë dhe u bëjnë jehonë gjyqeve të partisë, që shajnë e anatemojnë borgjezinë, Europën e SHBA! A po mundohemi t’i edukojmë fëmijët e brezat me frymën demokratike të lirisë, për të qenë qytetarë të denjë të vendit dhe të Europës? Atëherë ushqimi free me filmat genocidialë e prapagandistikë nuk është bash rruga e duhur. A bësoni se kështu ndahemi me të kaluarën, duke dëgjuar zërin gjysmëmashkull, gjysmëfemër të spikerëve të Enver Hoxhës, që na shpjegojnë ne realitetin socialst, frymën revolucionarë në uzina, fabrika, kooperative, ushtri, në armën e sigurimit, fjalime, pleniume, vepra të shokut Enver, etj, etj?
Nga ana tjetër qasja e propozuar nuk fshin gjithçka. Kemi theksuar se filmat duhet të perzgjidhen për të patur një seleksionim, nisur nga kritere artistike/estetike dhe, në saje të këtyre vlerave, edhe pse mund të kënë sërish aspekte propagande, të transmetohen në një orar të vonë, duke u paraprirë këtyre filmave me një bisedë 5 minuteshe. Kjo bisedë, parantezë, apo fjalë e shkurtër, të shpjegojë, që filmi të mirëkuptohet në kontekstin ideologjik të kohës, dhe se ai transmetohet për hir te vlerës artistike (aktoriale/regjisoriale). Filmat nuk zhduken. Ato mbeten në arkiva, janë të hapur për studime. Por të mos ketë transmetim free 24 orë, siç po ndodh, në më shumë se 30 kanale. Ky produkt kinematografik të futet në ligjin e të drejtës së autorit, pasi u takon autorëve e krijuesve të tyre, me të drejtë. Një zgjidhje të tillë e kanë bërë me kohë vendet ish komuniste si Gjermania Lindore, Hungaria, Çekia, Polonia, Rumania e deri dhe Bullgaria. Pra, të ketë rregull në xhungël. Përndryshe, po i ofrove shikuesit sot filma gjenocidialë apo dokumentarë të tillë, ato, sigurisht, mbajnë gjallë dhe aktivizojnë kanalin nostalgjik të komunizmit. Një pjesë e vogël e pëlqen këtë. Por ne duhet të veprojmë me ligj, që parandalon propagandën, nostalgjinë për recidivizëm, nëse duhet të distancohemi qartazi nga e shkuara jonë dikatatoriale staliniste, ashtu siç kanë bërë ish vendet e “demokracive popullore”. Të paktën për ekranet shqiptare kjo duhet të marrë fund. Sigurisht, po të pyesësh kineastët e asaj kohe apo të të dy kohëve, nuk do ta pranojnë aspak. Por dhe ata do të kenë përfitimin e tyre të të drejtave të autorit, sepse vepra e tyre vidhet me këto mënyra transmetimi.
Nëse dikush do medoemos t’i shohë, ai hyn në youtube dhe le të enjtet duke parë ditë e natë. Këto filma ndikojne jo njëlloj tek të gjithë. Tek disa kanë pasoja, të tilla si rrezatimi i Çernobilit.
Me z. Kapri jemi duke punuar për një draft-kornizë ligjore mbi repertorin e kinematografisë, të cilin draft, do t’ia propozojmë parlamentit shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *