Sikur Pula e bukur nuk banonte më aty

Bajram Sefaj
Midis datës 9 e 16 të muajit korrik, (ky vit), në qytetin, e bukur e fotozhenik, të Pulës, në Istër (Kroaci), u zhvillua festivali tradicional i filmit. Ishte edicioni i 63-të i tij. Isha i ftuar në cilësinë e mysafirit. Menjëherë vrapova atje, në atë qytet, bukurinë përrallore të cilit e njihja mirë nga se, shumë herë, sa herë i dërguar special, sa herë në hesap (llogari) timen private.
Në pulë asgjë nuk ishte më siç ka qenë dikur. Asgjë sikur s’ishte në vendin e vetë! As amfiteatri Vespazianit, objekti më madhështor, për nga madhësia i gjashti amfiteatër i këtij lloji në botë. Ky objekt lashtësie shekullore, tremijë vjeçare, për nga eleganca dhe forma, sigurisht ndër më të bukurit në botë! As njerëzit nuk ishin ata të mëparshmit. Disi ngjanin ndryshe, disi dukeshin të ngrysur e më pak skofiarë, më pak bujarë e fisnikë, se ç’ishin më parë. Gjithçka kishte ndryshuar, ndërkohë. Fitohej përshtypja se Pula, me gjithë Istrinë e bukur, nuk banonte më aty!

Pas fluturimit havasë nga Prishtina për në Zagreb, rrugën për të arritur në Pulë e bej më autobus. Kur ja, autobusi (si papritmas) ndalet, për një pushim të shkurtër, në qytezën e minatorëve të dikurshëm (ndoshta edhe të tashëm!), Rasha, në afërsi të drejtpërdrejt me Pulën. Në një faqe bjeshke të lartë, që dominonte mbi këtë qytezë, me germa të mëdha, të dukshme e fluoreshente, shënonte TITO, bash sikur që shënon emri diktatorit tjetër sivëlla, ENVER, në sfond të malit tonë Tomor, afër Beratit tonë.
Në gazetën “Jutarnji list”, në faqen e dytë të saj, me habi lexoj (në kroatisht) tekstin e autorit, me emër e mbiemër shqiptar, me përjashtim se mbiemri i tij shënohej me Bajrusi (kroatisht) e jo Bajrushi (shqip). Kjo ishte befasia ime e parë, kurse e dyta, nuk ishte befasi, ishte gëzim e krenari. Gazeta lokale me tirazh të madh, ”Glas Istre” (Zëri i Istrisë) në faqen njëmbëdhjetë të saj, sillte bisedën ekskluzive me kompozitorin e njohur pejan, Beshkim Shehun, që prej kohësh jeton dhe krijon në këtë qytet dhe është dekan i Akademisë së Muzikës në Pulë.
Filmi i shumëpritur “Oslobodjenje Skoplja” (Çlirimi i Shkupit), film i gjatë 111 minuta, (bashkëprodhim i Maqedonisë, Kroacisë, Finlandës dhe Mbretërisë së Bashkuar). Regjinë e këtij filmi e kishin bërë Rade dhe Danilo Sherbexhija, atë e bir. Nga filmi i çiftit Sherbexhija nuk doli asgjë. Ndërsa serbja natyrale, Mirijana Karanoviq, me filmin “Grua e mirë”, kishte punuar një projekt filmik për lakmi.
Pulën e lëshova paksa i pikëlluar dhe, njashtu si tenori legjendar spanjoll, José Carreras, kur tha se kjo është hera e fundit që paraqitet para publikut të Pulës, edhe unë ia thashë lamtumirën këtij qyteti stolisur me bukuri dhe festivalit të tij!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *