Kalaja e Drishtit, “Monumenti i Kulturës” i braktisur në rrënimin e vet

 

Bisedë me banuesit e përjetshëm të kalasë-legjendë, që shkatërrohet përditë. 9 familjet që mbajnë gjallë frymën e një ndërtesë shekullore, por që mungesa e një rruge e ndan nga pjesa tjetër e botës

 

Anila Dushi

Kalaja e Drishtit-monumenti kulturor që po shuhet. Vetëm rreth 15 km nga qyteti i Shkodrës ndodhet Kalaja e Drishtit, ndër të paktat kala në Shqipëri në të cilat ende banohet. Në një lartësi rreth 800 m mbi nivelin e detit, në ambientet e brendshme të saj ndodhen disa shtëpi banimi. Kalaja e Drishtit është ngritur në shekullin e XIII si një fortesë bizantine dhe mban statusin “Monument Kulture” që nga viti 1948. Gjendet në një distancë prej 6 km nga ‘Ura e Mesit’ mbi lumin Kir, një tjetër monument kulture tepër i njohur në Shqipëri dhe jashtë saj. Si Kalaja e Drishtit ashtu dhe Ura e Mesit përfshihen në territorin e njësisë administrative të Postribës në Shkodër.

 

Fshati i sotëm ndodhet poshtë vendgërmimit të ‘Drivatiumit’ të lashtë. Ai u ngrit në periudhën romake si një vendbanim në rrugën Shkodër-Kosovë dhe në antikitetin e vonë ishte njëra prej fortesave zinxhir të cilat mbronin Shkodrën. Në shek IX. Drishti u kthye në një fortifikim të rëndësishëm të mbretërisë së Zetës dhe varej nga Dioqeza e Tivarit. Kalaja e Drishtit u ngrit në shek e XIII si një fortesë bizantine. Qyteti arriti kulmin e zhvillimit në shek XIV, derisa arriti edhe pavarësi nga Shkodra. Në vitin 1442, Drishti ra në duar të Venedikut, më pas u mor nga Skënderbeu dhe më në fund u pushtua nga Turqit në 1478. Në Kala Kalaja gjendet në një kodër 800 metra të lartë. Brenda mureve të kalasë gjenden 11 shtëpi të fshatit të cilat formojnë një lagje.

 

Dhe pse objekt me vlera të veçanta historike e kulturore, deri para pak vitesh rruga për në kala ishte e pamundur të bëhej me mjete, ndërsa pas një investimi të fondit shqiptar të zhvillimit ajo është e asfaltuar dhe në parametra normalë. Për të shkuar tek ky objekt antik duhet të përballesh me rrugën tepër të amortizuar. Bëhet fjalë për rrugën deri tek kalaja, pasi rruga nga Mesi deri në Drisht qendër është asfaltuar para disa vitesh nga FSHZH. Por më tej rruga është plot gropa dhe kjo bën që vizitorët vendas apo të huaj të mos shkojnë deri në kala. Brenda mureve të kalasë jetojnë aktualisht vetëm 9 familje. Banesat përreth kanë shumë pak tokë, më pak se 700 m2 dhe mbjellin kryesisht qepë e lakra. Bajram Dushaj jeton në një kullë 100-vjeçare me familjen e tij, por dhe dy familje të kushërinjve të tij.

 

Bajrami tregon se pjesëtarët e tjerë të fisit kanë dalë nga kulla dhe kanë ndërtuar shtëpi diku tjetër pasi kanë patur mundësi, ndërsa tri familjet e mbetura këtu nuk kanë mundësi financiare për të shkuar diku tjetër. “Kemi 1 dynym tokë për familje dhe mbjellim sherbelë e qepë sa për të jetuar. Punojmë në bujqësi. Kemi mbjellë dhe trumzë, presh, farë rasati dhe me lekët e prodhimit kalojmë 2-3 muaj”. Kalaja e Drishtit mund të tërheqë vizitorë për turizëm kulturor pasi së bashku me Urën e Mesit, e cila përfshihet në të gjitha guidat turistike, janë atraksione turistike me vlera. Por është rruga problemi kryesor që i pengon turistët të shkojnë deri tek kalaja.

 

Banorët tregojnë se janë bërë matje për këtë segment, por deri tani nuk është ndërhyrë dhe makinat refuzojnë të shkojnë deri atje. Banorët që jetojnë akoma brenda mureve të kalasë, ose më mirë të thuhet asaj çfarë ka mbetur, ndërsa kanë shpresuar se FSHZH që bëri rrugën deri në Drisht do e çonte deri në kala, e cila ndodhet rreth 900m lartësi. Banorët merren me bujqësi në atë pak tokë që kanë dhe ndonjëri edhe me rritje bletësh. Qazim e Vera Buhaj banojnë brenda mureve të kalasë dhe tregojnë se një ngastër toke që e kanë në pronësi ndodhet poshtë kalasë. Vera është e aksidentuar dhe lëviz me vështirësi ndërsa në oborrin e banesës së tyre tregojnë një furrë buke të vjetër që quhet ‘bogë’ dhe është e bërë me baltë. Ato shprehen se pak turistë shohin të vijnë në kala por dhe po të vijnë ne nuk kemi çfarë t`u afrojmë pasi as bagëti nuk kemi”, thonë ata.

 

Në pritje të truristëve Një banor i fshatit ka ngritur një lokal, bar-kafe modest dhe është i vetmi në kala. “Jam përpjekur të bëj diçka me shpresën se kalaja do të vizitohet nga të huajt. Por ato janë shumë të pakët. Kur vijnë ndalen e pinë diçka dhe ne i mirëpresim sipas zakonit të mikpritjes. Kanë ardhur polakë, danezë, amerikanë, por janë të paktë. Kjo pasi ato zhgënjehen nga rruga dhe nga muzeu i cili është ngritur, por është bosh. Sadri Buhaj që është dhe si kujdestar i muzeut të kalasë së Drishtit, tregon se këtu vijnë pak njerëz dhe banorë janë pak, vetëm 9 familje. Është dhe një tjetër që ka qenë në emigracion në Greqi dhe ka ardhur pasi atje nuk kishte punë dhe është vendosur tek stani. Unë kam 3 vjet e gjysmë që jam kujdestar i tij por nuk jam paguar asnjë ditë për këtë. Nuk ka lekë thonë dhe nuk ke ku të ankohesh. Unë kujdesem sa mundem për objektin.

 

Ai bashkë me rrugën pedonale pranë tij kanë kushtuar 37 milionë lekë të reja. Ka përfunduar në vitin 2011 dhe ishte parashikuar të shër

bente si muze për të gjithë krahinën e Postribës por nuk ka asnjë objekt brenda Është bosh ndërsa në disa vende është shfaqur dhe lagështirë. Ka patur raste që kanë ardhur të huaj, më kanë thirrur shoqëruesit e tyre dhe kam ardhur e kam hapë muzeun. Por ato janë zhgënjyer sepse ai është bosh; pra nuk mund të jetë muze kur është bosh. Kam shkëputur energjinë elektrike pasi ka probleme. Në projekt ka qenë parashikuar vendosja e objekteve të vjetra nga zona pasi ka familje që ende i ruajnë, si tregues i kulturës së zonës. Po kështu, projekti ka patur të përfshirë dhe një lokal e një hotel të cilat nuk janë bërë”, rrëfen Sadriu!

 

Përtej vizës

 

Më tej duke shëtitur mjediset brenda kalasë së Drishtit shikon kulla të vjetra, mes të cilave dhe banesa ku për disa kohë ka jetuar Edit’h Durham, kullë kjo që është drejt shembjes. Mjerimi dhe varfëria ekstreme shoqëron familjet që jetojnë brenda kalasë së Drishtit, ndërsa kanë mungesë dhe uji. Një çezme e vetme në sheshin para muzeut bën që banorët të mbushin ujin e kufizuar. Në këto shtëpi nuk bëhet fjalë të ketë dushe apo lavatriçe, pasi nuk ka ujë. Një tjetër problem që shoqëron këtë monument kulture është dhe mos mirëmbajtja e tij. Objektet monumentale të kalasë dallohen me vështirësi pasi shkurret e bari i kanë mbuluar. Kalaja kërkon mirëmbajtje por kjo mungon. Teksa sheh saranxhat që siç tregon Sadri Buhaj, aq sa ka hapësirë ka dhe bujë brenda, apo objekte të tjera, muret e portës hyrëse, bedenat etj, kujdestari Buhaj thotë se është përpjekur t`i pastrojë nga shkurret e barërat por ato dalin përsëri, sepse objekti kërkon kujdes të vazhdueshëm.

Për banorët e kalasë së Drishtit, nuk është e mjaftueshme vetëm ndërhyrja në rrugë, pasi duhen investime të mëdha dhe në muret e kalasë për ti dhënë asaj afërsisht pamjen që ka pasur dikur.” Këtu ka shtëpi karakteristike, tipike të ruajtura që mund të tërheqin vizitorë por mungon mundësia ekonomike për të investuar dhe inkurajimi nga shteti apo organizma të ndryshëm. Ndërsa muzeu duhet të pajiset me objekte dhe të kryejë funksionin e tij”, shprehet Arben Buhaj, tjetër banor i lagjes brenda kalasë së Drishtit. Jeta në këtë vend dikur me lavdi, sot është shumë e vështirë. Edhe pse gjatë sezonit veror ka vizitorë vendas dhe të huaj, banorët e kalasë nuk arrijnë që të marrin asnjë të ardhur. Kalaja e Drishtit është një nga monumentet e rëndësishme të Shkodrës i piketuar për tu pasur në konsideratë nga politikat për turizëm kulturor në këtë zonë, pavarësisht dëmtimit të skajshëm të saj. Zona e Drishtit njihet për rëndësinë e saj ekonomike dhe kulturore që në kohët e hershme. Duke u mbështetur në gërmimet arkeologjike mendohet se Drishti ka themel ilir ose romak.(shekulli)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *