Nikaia, qyteti i jashtëzakonshëm ilir që mbulohet nga ferrat dhe shkatërrimi

“Nikaia është një qytet antik që thuajse nuk njihet. Ndoshta shumica as nuk e di që ekziston. Asnjë projekt nuk e ka përfshirë në listën e investimeve, duke e lënë këtë vend si një cep të rëndomtë”.

Duhet të kthehesh e të rikthehesh disa herë, për të gjetur rrugën që të çon në fshatin Klos, në zemër të Mallakastrës. Kjo, sepse aksi që të drejton sipër, vetëm i tillë nuk mund të quhet.

Klosi është një nga qendrat e banuara më me vlerë, e që kërkon të tregojë historinë e tij shekullore. Rrënojat janë të dukshme, edhe pse ngrenë krye me vështirësi mes shtëpive, gjelbërimit e erozionit. Makina nuk shkon më tej, tani duhet të përpiqemi vet të gjejmë ndonjë cep për të kaluar. E ky nuk është një mision i lehtë.

“Për të shkuar drejt qytetit antik ka vetëm një mënyrë: të hidhemi me kujdes gardheve, shtigjeve, ferrave, në të njëjtën mënyrë siç do të duhet të kalojnë edhe turistët. Sigurisht, duke pasur kujdes, që të mos lëmë ndonjë copë rrobë në këto ferra”.

Për këtë vend, edhe informacioni ka qenë gjithmonë i paktë, edhe pse vlerën e ka të jashtëzakonshme. Kudo duken gjurmë, e mes tyre, me vështirësi duhet të skërmitemi edhe ne…

Ky vendbanim antik mendohet se ka lindur që në shekullin e VIII para Krishtit. Këtu ishin të vendosur Bylinët, e pasi u rritën e u shumuan, u hodhën në kodrën ngjitur për të themeluar Bylisin e famshëm.

Fisi ilir, rrënjët i ka këtu në këtë vend, që sot dergjet i braktisur. Qyteti shtrihet në mëse 17 hektarë, ku monumentet janë të shumta. Shëtitorja, stadiumi, godina të tjera antike, e mes tyre edhe teatri, ku mendohet se qëndronin më shumë se 1700 vetë.

Qyteti ka një plan urbanistik të krijuar sipas stilit arkitektonik të Hipodamit, më i njohuri në Antikitet. Më shumë se kushdo, ndoshta ky teatër duket sikur kërkon të flasë, i gdhendur në gurë. Me një hijeshi të veçantë, që i dallohet edhe sot, ai është një ndër treguesit e rëndësishëm të zhvillimit që kishte kjo qendër.

“Dikur, në këtë teatër viheshin në skenë veprat e autorëve antikë, ndërsa sot ka vetëm heshtje dhe asgjë tjetër. Nuk dihet përsa kohë, këto shkallare që vijnë nga Antikiteti do t’i mbijetojnë erozionit dhe dëmtimeve të shumta, që dallohen kudo në këtë vend, ku dikur qëndronin aktorët, ku qëndronte publiku, e ku sot qëndron vetëm shkatërrimi dhe asgjë tjetër”.

Duket edhe më e dhimbshme, kur mendon se kjo zonë duhet të merrte e të kishte një zhvillim të jashtëzakonshëm. Dy qytete antike, Nikaia e Bylisi, kaq pranë, e ndërkohë vizitorët janë kaq pak. Sidomos këtu mes këtyre monumenteve, që shumica as nuk i njohin, të një qyteti që dikur ishte i dyti për nga rëndësia në Koinomin Bylin.

“Nga njëra pjesë e qytetit në tjetrën, duhen kaluar gardhishte të tjera. E sigurisht, askush të mos pretendojë për tabela orientuese, fundja çdo të duheshin tabelat në këtë vend të rëndësishëm arkeologjik? Është e vështirë të mos bësh ironi në këto kushte”.

E gjithë hapësira e qytetit antik është e parcelizuar, e ndarë me gardhishte dhe e kthyer në kullota për bagëtinë. Ndërkohë, qeramika të ndryshme mbeten të hedhura e të çapërluara, si mos më keq. Ndër muret mes qytetit, dikur ka pasur edhe mbishkrime, por edhe ato sot nuk mund të gjenden më. Përtej dallohen edhe muret rrethuese, që ende flasin me madhështinë e tyre.

“Shikoni këto mure, që tregojnë jo thjesht teknikën e lartë të përdorur për kohën, por edhe fuqinë e madhe që ka pasur dikur ky qytet. Për fat të keq, një pjesë e këtyre trakteve, e këtyre gurëve të mëdhenj, gurëve çiklopikë kanë përfunduar poshtë në greminë, e të njëjtin fat rrezikojnë të kenë edhe këto trakte të tjera muresh që kanë mbetur, sa kohë nuk dihet se kur janë bërë ndërhyrjet e fundit restauruese. Shumë shpejt, duke pasur parasysh që askush nuk reagon, ndoshta edhe këto mure do t’i humbasim”.

Në atë pjesë të fshatit, që përfshihet brenda territorit arkeologjik, pamja bëhet edhe më e dhimbshme. Fakti që askush nuk ka ardhur për t’u kujdesur, për të drejtuar apo ndihmuar banorët, ndihet…

Sigurisht, ata do të ndërtonin shtëpitë e tyre, sepse nuk mund të qëndronin në të tilla që ishin duke rënë, por institucionet përkatëse duhet të kishin ofruar ndihmën dhe mbështetjen e tyre, që kjo të mos dëmtonte trashëgiminë vlerëshumë të këtij vendi.

“Kudo në Klos mund të gjesh elementë të tillë të trashëgimisë historike, të cilat janë përdorur dikur, apo përdoren edhe sot, për të mbajtur në këmbë, çati shtëpish, haure për bagëtinë apo kotece, apo më keq për të ngritur hardhitë e rrushit. Në zonën përreth, mund të gjesh kudo mure të vjetër me gurë çiklopikë, të cilët janë shkrirë me llaç e me tulla. E në këtë situatë është e vështirë të mendosh se, në një vend tjetër, trashëgimia historike dhe kulturore do të keqtrajtohej dhe shkatërrohej në këtë mënyrë. Ky është një realitet tërësisht shqiptar”.

Banorët, një pjesë e mirë kanë gjetur monedha apo mbetje arkeologjike të tjera, të cilat druhen t’i tregojnë. Do të duhej që dikush të vinte e të merrte në dorëzim këtë qytet antik, jo thjesht të gërmonte e të nxirrte në pah edhe monumente të tjera, por edhe të ruante ato ekzistuese.

Në fakt, që prej vitit 1975, asnjë arkeolog nuk është dikur më këtyre anëve. Sot gjendja është katastrofike, aq sa edhe fjala turp nuk do të mjaftonte. Të trajtosh në këtë mënyrë një qytet të tillë antik është tragjike.

Nikaia mbijetoi mes shekujsh, mes dallgëve e ndryshimeve të mëdha historike, pa ditur se do të vinte në një kohë – për fat të keq, – edhe më të ashpër: atë të 25 viteve të fundit, ku askush nuk ka dashur t’ia dijë për të./Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *