Nga Alda Bardhyli
Takimi i tij me Alma Heimann, gjermanen që kishte vetëm disa vite që kishte mbërritur si emigrante në Nju Jork, ngjasonte me tregimet që ai kishte shkruar. Pikërisht në kohën kur mendonte se nuk do të takonte më një grua, që do të zgjonte tek ai, ca dëshira që dukej sikur ishin zhdukur, u shfaq ajo. Me flokët kafe të prera shkurt, ajo i kujtonte një profil të njohur në rrugët e Varshavës ku ishte rritur. Ajo ishte e thjeshtë dhe nuk lodhej nga shëtitjet e tij të gjata në natyrë. Asaj i pëlqente aroma që lëshonin drurët në pyll, apo lulet që kishin çelur në park. Alma i kujtonte
fytyrën e grave të vjetra polake, që i buzëqeshnin bri portës kur ai ishte një fëmijë. Kishte një shkëlqim në fytyrën e saj, që ngjante me shkëlqimin që ai ndjente brenda tij kur përfundonte së shkruari një tregim. Issac Bashevis Singer dhe Alma Heimann Wassermann, emigrante gjermane hebreje nga Munihu, u takuan në vitin 1938 dhe u martuan në vitin 1940. Kjo ishte martesa e dytë për shkrimtarin pas asaj në Poloni me Runian. Pas martesës, ai iu përkushtua të shkruarit duke shtuar dhe mbiemrin “Bashevis” në shkrimet e tij. Letërsia ishte gjithçka në jetën e Singer. Që kur ndjeu se ai mund të shkruante, gjithçka në jetën e tij u kthye vetëm në këtë qëllim, të shkruante libra. Ai lindi në vitin 1904 pranë Varshavës, në një familje shumë të vjetër hasidike. Në vitin 1935, katër vjet para pushtimit gjerman dhe Holokaustit, Singer emigroi në SHBA, për shkak të kërcënimit në rritje nga Gjermania fqinje çka e ndau nga gruaja Runia Pontsch dhe Grail Israel Zamir, i cili më pas u vendos në Moskë dhe në fund në Palestinë. Singer mundi ta takonte atë në vitin 1955. Singer u vendos në Nju Jork dhe nisi të punonte si gazetar dhe kolumnist për “The Forward”, një gazetë në gjuhën jidishte. Pas një fillimi premtues, ai nisi të ndihej i dëshpëruar dhe i humbur në Amerikë. “I humbur në Amerikë”, është dhe titulli i një novele të cilën ai e botoi më 1981. Ndër librat e tjerë të shkruar prej tij veçojmë “Skllavi”, “Magjistari i Lublinit”, “Hije mbi Hudson”, “Familja Moskat”, “Manuari”, etj. I botuar në njëzetedy gjuhë të botës, vepra e tij njihet në vendin tonë nga përmbledhja me tregime “Dashuri e vonë”, përkthyer plot stil nga Helena Kadare. Në vitin 1978, Singeri mori çmimin “Nobel” në letërsi. Tregimet e Singerit të përfshijnë me forcën e madhe emocionale që kanë, por dhe të papriturën. Ai është një mjeshtër i rrëfimit të jetës njerëzore, por dhe një piktor shumë i mirë i detajeve. Singer di të lexojë mendjet e personazheve që krijon, dhe i trajton ata me dashuri në çdo rresht. Pavarësisht se emigroi nga vendi i tij rreth 30 vjeç, Polonia ndihet në çdo rresht që ai ka shkruar. Folklori dhe kultura e këtij vendi janë pjesë e letërsisë së shkruar prej tij. Të gjitha veprat e tij, ai i shkroi në gjuhën jidishte, duke dhënë shembullin e mbrojtjes dhe respektit ndaj gjuhës së tij. “Që kur kam filluar të shkruaj, kam dëgjuar shumë gjëra dekurajuese për temat që trajtoj dhe gjuhën që përdor në to. Kanë thënë se judaizmi dhe gjuha jidish janë duke vdekur, që novela nuk është më në modë dhe se kjo e fundit do të zhduket së shpejti nga tregu letrar. Disa kritikë kanë vendosur që arti i të treguarit të historive që kanë një fillim, një zhvillim dhe një fund, siç thoshte Aristoteli, është krejtësisht arkaik. Më kanë shfaqur mendime po aq dëshpëruese mbi vlerën e folklorit në letërsinë e kohës sonë. Unë jetova në kohën e një qytetërimi që i përbuzte pleqtë dhe adhuronte të rinjtë. Por, në fund të fundit, asnjëherë nuk i mora seriozisht këto kërcënime të tmerrshme. Ngaqë i përkas një tribune të hershme, e di fare mirë se janë besimi i vjetër, shpresat e dikurshme dhe iluzionet ato që ushqejnë më mirë se çdo gjë tjetër letërsinë. Një shkrimtar nuk duhet të braktisë kurrë gjuhën amtare dhe thesaret e saj”, thotë ai. Për të, letërsia duhet të merret me të shkuarën, në vend që të planifikojë të ardhmen. Ajo duhet të përshkruajë ngjarjet dhe jo të analizojë idetë. Subjekti i saj është individi dhe jo masat. Ajo duhet të jetë art dhe të mos kërkojë të bëhet shkencë. Nga ana tjetër, besimi te Zoti dhe te Providenca është vetë thelbi i letërsisë. Ajo na thotë se shkaku nuk është gjë tjetër veçse një maskë mbi fytyrën e asaj që është përcaktuar ndërkaq. Njeriu gjithë kohën është i përgjuar nga ca fuqi, që duket sikur i dinë të gjithë dëshirat e tij, dhe komplikimet që ato sjellin me vete. Ai vendos me vullnetin e tij të lirë, por në të njëjtën kohë, udhëhiqet nga një dorë misterioze. “Letërsia është një histori dashurie dhe fati përzier bashkë, një përshkrim i uraganit të çmendur të pasioneve të njeriut dhe i luftës që ai bën me to. Kam vënë re dhe jam i kënaqur që novela mbahet gjallë sërish sot. Kjo tregon përsëri sfidën më të madhe të një prozatori dhe arritjen më të madhe të tij, nëse ai ia del mbanë të shkruajë shkurt dhe me imagjinatë. Për sa i përket gjuhës jidishte, ajo ende nuk është thithur në vorbullën e asimilimit, shenjë kjo, për mua, që tregon se kështu do të ndodhë edhe për minoritetet e tjera, gjuhën dhe kulturën e tyre”, thotë Singer. Deri vitet e fundit të jetës, ai nuk hoqi dorë nga puna si gazetar, duke shkruar dy -re herë në javë për një gazetë në Poloni në jidisht. “Unë kam hapësirën time në gazetë, ku shkruaj rreth temave të ndryshme që kërkojnë të shpjegojnë kuptimin e jetës”, është shprehur ai në një intervistë të viteve të fundit, duke vijuar se “i pëlqente më shumë puna si gazetar sesa të punonte si profesor në një universitet”. Ndryshe nga Polonia, ku shkrimtarët kishin kafenetë e tyre ku takoheshin, në Nju Jork atij iu desh të shndërronte apartamentin e madh në Brodëay, në një vend takimi me miqtë. Herë pas here ai linte mënjanë të shkruarin dhe telefononte një mik për të ngrënë drekë apo për të pirë një gotë verë. Isak dhe Alma ishin njerëz të hapur dhe nuk mund të jetonin të shkëputur nga miqtë. Sinder vdiq më 24 korrik 1991 në Florida. Ai u varros në varrezat e Cedar Park Emerson. Një rrugë në Florida ka emrin e tij. Ndërsa Universiteti i Majamit ka një bursë për studentët e rinj, për nder të punës së tij. Librat e tij vijojnë të botohen kudo në botë, dhe Singer vijon të mbetet një shkrimtar i dashur jo vetëm për lexuesit por dhe për kritikën. Ka diçka magjike në letërsinë e shkruar nga ai, diçka që të përfshin dhe të bën të ndihesh brenda në tregim. Kjo, pasi ashtu si dhe vetë shkrimtari shprehej, historitë që shkruante, nuk i mendonte para se t’i hidhte në letër, ato thjesht dilnin prej tij, sikur të kishin qenë aty prej kohësh dhe duhej vetëm momenti i artë midis tij dhe letrës së bardhë që të merrnin jetë…