Rijetëzimi i monumenteve/ Vaso Tole: Gabimet e ministrisë dhe antiligjshmëria

Vaso Tole ka qenë një ndër hartuesit e ligjit për Trashëgiminë Kulturore. Tani, ai është sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave. Në takimin e djeshëm, ai foli me shënime dhe pika të qarta sa i takon rijetëzimit të monumenteve të kulturës, Udhëzimit të fundit të ministrisë mbi këtë- pra edhe bashkëpunimit publik-privat dhe u ndal edhe në disa nene të ligjit aktual. Mbasi shprehu kënaqësinë që kohët e fundit trashëgimia është shndërruar në kryefjalë, ai tha se ka nene që përcaktojnë konretisht se çfarë është rijetëzimi dhe n cilat objekte jepen me qira. “Forumi ka konstatuar paligjshmëri në udhëzimin e fundit të ministrisë. IMK duhej të hartonte përpara një dokument me kushtet e kriteret e rijetëzimit e pastaj të bënte udhëzimin, duhej të ekspozonte listën e monumenteve që jepen dhe listën e objekteve që nuk jepen me qira- kisha, xhami, kala”, tha Tole, duke vënë theksin edhe tek fakti se Udhëzimi flet për ngritjen e një organizmi që konkuron Këshillin Kombëtar të Restaurimeve.

Çfarë thotë ligji

Vaso Tole foli pëqr dy nene që janë tejet të rëndësishme në Ligjin e TRAshëgimisë. “Ligji 9048, date 07.04.2003 ‘Për trashëgiminë kulturore’, neni 39 parashikon: «Monumentet e kulturës mund të rijetëzohen për qëllime administrative dhe social-kulturore me kusht që funksioni i ri të mos dëmtojë vlerën e monumentit. Kushtet dhe kriteret paraprake të rijetëzimit dhe të shfrytëzimit të monumentetit të kulturës miratohen nga Instituti i Monumenteve të Kulturës’. Ligji 9048, datë 07.04.2003 ‘Për trashëgiminë kulturore’, neni 29, pika 6 përcakton qartë se: … Monumentet e Kulturës së Kategorisë së I-rë dhe të II-të në Qendrat Historike, Qytetet-muze dhe asamblet-muze mund të shfrytëzohen edhe për funksione të tjera, që nuk cënojnë në asnjë mënyrë vlerat e tyre. Aty mund të vendosen institucione shtetërore ose private, si muze, biblioteka, atelie monumentesh, fototeka, galeri artesh dhe ekspozita të ndryshme”.

Pas citimit, Tole theksoi se: 1-përpara daljes së Udhëzimit është detyrim i IMK-së që referuar ligjit të hartonte dhe aprovonte: ‘Kushtet dhe kriteret paraprake të rijetëzimit dhe të shfrytëzimit të monumentetit të kulturës’. Gjithësesi ligji nuk parashikon nxjerrje Udhëzimi”.

Mandej, ai vuri në dukje se “Ligji bën fjalë për rijetëzim monumenti dhe mirëpërcaktim të funksioneve të reja të monumentit për qëllime social kulturore. Pra është e qartë që bëhet fjalë kryesisht për ndërtesa banimi pasi përcaktohet që këto monumente janë objekte të Kategorisë së I-rë dhe të II-të në Qendra Historike, Qytete-Muze dhe asamble-muze, pra në qytete”.

ÇFARË i MUNGON UDHËZIMIT

Në këtë pikë, sipas Vaso Toles, Udhëzimi i Ministrit duhet që të mirëpërcaktonte:

1-Listën konkrete të objekteve me status monument kulture, kryesisht ndërtesa në qytete, referuar nenit 29 të cilat Ministria propozon që të rijetëzohen duke ju dhënë funksion të ri, duke përmendur faktin që termi “Monument kulture” kupton:… objektin ose ndërtimin me vlera kulturoro-historike që mbrohet nga shteti.

2-Udhëzimi duhet të listonte me domosdo monumentet e mundshme për rijetëzim të shpërndara në gjithë Shqipërinë.

3-Udhëzimi duhet të përjashtonte disa kategori monumentesh nga dhënia me qera si: Kisha, Xhami, Teqe, Kala e kështjella etj, dhe jo të krijojë idenë sikur jepet gjithçka me qira.

Po ashtu, ai tha se “4- udhëzimi duhet të mirëpërcaktonte edhe partnerët e mundshëm të ndarë sipas kategorive: a- Listën e pronarëve të objekteve “Monument Kulture” të cilët janë të interesuar për objektet MK në pronësi të tyre, të mundshme për rijetëzim; b- Listën e institucioneve shtetërore të interesuara për përdorimin e monumenteve për qëllime social kulturore, duke përfshirë vetë Ministrinë e Kulturës, ministritë dhe instituionet qëndrore të qeverisë shqiptare, pushtetin vendor etj; c- Kategoritë e bankave dhe të bizneseve, që natyra e veprimtarisë së tyre  lidhet me rijetëzimin e  mundshëm të Monumenteve etj.

LIGJI DHE UDHËZIMI

A ka një përplasje mes ligjit pëqr trashëgiminë dhe udhëzimit për dhënine me qira të monumenteve?  Vaso Tole, theksoi dje se “ligji nuk bën fjalë për konҫesione dhe m2, por për MONUMENTE që rijetëzohen. Për këtë, vlera e një momumenti nuk matet kurrësesi me m2 por me rëndësinë që ka ai për trashëgiminë tonë kulturore. Udhëzimi nuk ka bazë ligjore kur flet për ngritjen e një KOMISIONI PER MENAXHIMIN E PASURIVE KULTURORE. Nuk mundet që me Udhëzim Ministri të ngresh një strukturë që nuk e parashikojnë aktet ligjore dhe nënligjore. Për më tepër, në këtë mënyrë anshkalohet Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, pasi ligji, në nenin 39, pika 2 ja jep këtë të drejtë Këshillit Kombëtar të Restaurimit, i cili duhet të miratojë paraprakisht kontratën, kur ka një të tillë që nënëshkruhet mes palëve për rijetëzimin e monumentit etj, etj……”.

TË ARDHURAT
Si njohës i mirë i fushës dhe ish-drejtues në minsitri vite më parë, Tole tha se  ka një dispozite të ligjit të Trashëgimisë e cila do të rriste interesin dhe fondet në dispozicion të restaurimit të monumentit. “Ministria e Kulturës, duhet të konkretizonte në kushtet e mungesës së fondeve shtetërore për restaurimin e monumenteve, një dispozitë të ligjit të trashëgimisë e cila së paku do të 10-fishonte fondet për restaurimin e monumenteve”. Sipas tij, kjo dispozitë, nxit shtetin që të ndërmjetësojë pranë bankave për sigurimin e kredive me kushte lehtësuese për pronarët e monumenteve dhe shteti nga ana e Tij të paguajë interesat e këtyre kredive. “Asnjë here deri më sot, nuk është parë me largpamësi zbatimi i kësaj dispozite e cila do të silltë një ndryshim rënjësor të gjendjes së monumenteve në pronësi private”, tha ai, duke cituar edhe nenin përkatës:

“Neni 37- 1. Kur pronari joshteteror i monumentit te kulturës nuk ka fonde për kryerjen e punimeve te restaurimit, pas planifikimit te këtyre punimeve, shteti ndërmjetëson pranë bankave për përfitimin e kredive afatgjata me kushte lehtësuese si dhe merr përsipër shlyerjen e interesit të kredisë.

  1. Kur pronari kundërshton kredinë dhe kur monumenti është ne rrezik shembje, punimet e restaurimit bëhen edhe pa pëlqimin e tij nga drejtoria rajonale e kulturës kombëtare nëpërmjet drejtorive rajonale të monumenteve të kulturës, ose edhe nga subjekte te tjera te licencuara për këtë qëllim. Pas përfundimit te punimeve, pronari detyrohet te paguaje pjesën e vet te shpenzimeve, ne përputhje me nenin 36 te këtij ligji”.

Fatmira Nikolli, Gazeta Shqiptare

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *