“Figura e armikut”, shqiptarët në Serbi nga heronj në njerëz të egër

Ndoshta mënyra më e shpeshtë e luftës kundër politikave të armiqëzimit janë politikat e rralla dhe të mrekullueshme të miqësisë”. Kjo është një nga fjalitë e hyrjes së redaktorëve në librin “Figura e armikut: ripërfytyrimi i marrëdhënieve serbo-shqiptare”, një botim i 24 studiuesve shqiptarë e serbë.

Nga: Fatmira Nikolli

Qëllimi i tij është rivlerësimi i perceptimeve të ndërsjellëta negative serbo-shqiptare, apo shqiptaro-serbe, paraqitja e së kaluarës së përbashkët si dhe ofrimi i një vështrimi kritik analizues mbi shoqëritë bashkëkohore serbe, shqiptare dhe kosovare. I botuar në Beograd, Prishtinë e Tiranë më 10 qershor 2016, redaktorët shënojnë se ideja për librin e nisjen e projektit mbi marrëdhëniet serbo-shqiptare lindi, siç ndodh në Ballkan, në një kafene. “Pas botimit në shtojcën kulturore ‘Beton’ të të përditshmes ‘Danas’ të dy artikujve, i pari nga Millan Milkoviq mbi mënyrën e paraqitjes së shqiptarëve në shtypin serb dhe i dyti nga Aleksander Pavlloviq mbi figurën e turkut si armik, Millani, ulur në tavolinë, hodhi idenë, se duhet nisur një projekt, i cili duhet të përfshijë intelektualë serbë dhe shqiptarë, në përgjithësi shkencëtarë dhe shkencëtare që në kuadrin e shkencave shoqërore do të duhej të analizonin së bashku marrëdhëniet midis serbëve dhe shqiptarëve”, thuhet në hyrje. Kështu ndodhi me rastin e Aleksandar Pavlloviqit dhe Rigels Halilit, të cilët për shkak të ngjashmërisë së tematikës së tyre kërkimore dhe interesit shkencor fillimisht u bënë “vëllamë shkencorë”, e pastaj shumë shpejt mblodhën një grup kolegësh e kolegesh, serbë e shqiptarë, të cilët shprehën interesin për të marrë pjesë në këtë projekt. Në libër janë përfshirë një grup i gjerë kërkuesish dhe shkencëtarësh serbë e shqiptarë nga fusha të ndryshme shkencore – historianë, sociologë, antropologë, pedagogë, kërkues në fushën e mediave dhe kritikë letrarë. Libri “Figura e armikut: ripërfytyrimi i marrëdhënieve shqiptaro-serbe” përmban 24 tekste të grupuara në shtatë pjesë, të cilat trajtojnë aspekte të ndryshme të marrëdhënieve shqiptaro-serbe nga sfera e historisë, politikës, sociologjisë, edukimit, mediave dhe filologjisë. Redaktorë të botimit janë Rigels Halili, Aleksandar Pavlloviq, Armanda Hysa, Adriana Zaharijeviq, përkthyes Anton Berishaj, Agron Bajrami, Naile Mala- Imami, Filip Vukadinoviq, ndërsa botues është Jeton Neziraj “Qendra Multimedia”, Prishtinë.

E KUJT ËSHTË KJO TOKË
Në pjesën e titulluar “E kujt është kjo tokë? Krijimi i armiqësisë serbo-shqiptare” përfshihen pesë artikuj, ku analizohen burimet e armiqësisë midis serbëve dhe shqiptarëve. Aleksandar Pavlloviq në artikullin e tij paraqet tezën se në shkrimet serbe duke nisur që nga shekulli i XVIII e deri vonë në shekullin e XIX shqiptarët paraqiteshin si heronj, luftëtarë të ndershëm dhe trima, ndërsa perceptimi i tyre si torturues e mundues ndaj serbëve, përkrah turqve, u krijua vetëm në çerekun e fundit të shekullit të XIX. Kontributi i Srgjan Atanasovskit nëpërmjet analizës së udhëpërshkrimeve të autorëve serbë nëpër Kosovë duke nisur që nga gjysma e shekullit të XIX deri në shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore, tregon se si gjatë kësaj periudhe Kosova u kthye në objekt interesimi për publikun e gjerë serb. Kërkimi i detajuar i shtypit serb gjatë periudhës së dy Luftërave Ballkanike i kryer nga Millan Milkoviqi tregon se në ç’mënyrë u kodifikua ky perceptim negativ i shqiptarëve në kulturën serbe. Duke analizuar veprat e një sërë figurash të njohura të shkencës dhe letrave serbe, si Vlladan Gjorgjeviq, Jovan Cvijiq, Vaso Çubriloviq dhe Ivo Andriq, Ana Petrov formulon një tezë provokuese mbi ekzistencën e elementëve racorë dhe kolonialë në diskursin shkencor serb të kësaj periudhe.
Pjesën II, “Përpjekja jugosllave: marrëdhëniet shqiptaro-serbe në kryqëzim perspektivash” e hap artikulli i Agron Bajramit mbi informimin shqiptarët në të përditshmen beogradase “Politika” dhe në atë prishtinase “Rilindja”.
Pjesa III, “Çfarë u mësojmë brezave të rinj? Marrëdhëniet serbo-shqiptare në tekstet shkollore” hapet nga artikulli i Aleksandra Iliq-Rajkoviq, i cili përmban një pasqyrë pedagogjiko-historike të paraqitjes së shqiptarëve në tekstet shkollore serbe gjatë një periudhe njëqindvjeçare (1887-1987). Esilda Luku në punimin e vet trajton kohën nga fundi i L.II.Botërore deri në Rezolutën e Informbyrosë, kur marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave përjetuan një lulëzim të vërtetë e pastaj u ndërprenë gati plotësisht, duke analizuar ndikimin e ideologjive komuniste dhe postkomuniste në mënyrën e paraqitjes historiografike të Jugosllavisë në tekstet shkollore në Shqipëri. Teksti i Naile Mala-Imamit jep një pasqyrë të zhvillimit të edukimit në gjuhën shqipe në Kosovë e jug të Serbisë që nga viti 1945.
KONFLIKTI
Në hyrje shënohet se Shkëlzen Gashi ofron një analizë paralele të mënyrës së paraqitjes së konfliktit në Kosovë gjatë viteve 1998- 1999 në tekstet shkollore bashkëkohore në Kosovë dhe në Serbi, çka tregon qartë ndryshimet diametrale midis dy diskurseve publike zyrtare serbe dhe shqiptare mbi këto ngjarje. Pjesa e IV “Cilët janë pakicë dhe ku? Sfidat e jetës mes shumicës së të tjerëve” përfshin tri tekste, në të cilat shqyrtohet gjendja e sotshme e pakicave serbe dhe shqiptare si dhe marrëdhëniet e ndërsjella. Duke analizuar fenomenin e martesave të vajzave nga Shqipëria veriore me serbë nga zona e Sanxhakut dhe rajone të tjera në Serbi, Armanda Hysa ngre pyetjen: A është e mundur që dëshirat patriarkale të jenë më të fuqishme sesa ato kombëtare? Ndërkohë që Marija Mandiq dhe Ana Sivaçki tregojnë se shqipfolësit në Beograd e përdorin gjithnjë e më pak gjuhën e tyre në komunikimin e përditshëm, Inis Shkreli analizon të njëjtin fenomen tek serbfolësit në Shkodër dhe në rrethina.
INTELEKTUALËT E LETËRSIA
Te pjesa V, “Intelektualët dhe lufta: Ndërmjetësit e të (pa)vërtetës kombëtare” teksti i Rigels Halilit ofron analizë të tekstit tashmë të njohur të Memorandumit të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve dhe të tekstit më pak të njohur të Platformës për Zgjidhjen e Çështjes Kombëtare të paraqitur nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, duke treguar se të dy këto dokumente kanë një strukturë të ngjashme, boshti i së cilës është vështrimi i njëanshëm dhe viktimizimi ekskluzivisht i palës së vet. Predrag Krstiq dhe Gazela Pudar-Drashko në punimet e tyre ofrojnë dy analiza të gjera, kritike dhe plotësuese të ideve dhe mendimeve të intelektualëve të ndryshëm serbë, duke nisur nga Dobrica Qosiqi e Matija Beqkoviqi e të tjerë, mbi situatën në Kosovë, si dhe shtjellojnë reagimet e tyre ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës. E afërt për nga tematika, pjesa e parafundit e titulluar “Më vrit fjalë e fuqishme: shkrimtarët nëpër linjat luftarake të kombit” i kushtohet letërsisë dhe akteve letrare dhe publike me karakter pro apo anti-luftë të shkrimtarëve serbë dhe shqiptarë. Teksti kritiko-letrar i Sasha Qiriqit merr në shqyrtim veprat e përkthyera në gjuhën serbe të autorëve nga Kosova dhe nga Shqipëria. Basri Çapiqi dhe Anton Berishaj analizojnë shembuj nga letërsia shqipe dhe ajo serbe, ku trajtohet armiqësia mes serbëve e shqiptarëve. Të dy autorët paraqesin edhe shembuj të paktë të veprave letrare, të cilat i kundërvihen kësaj tendence, ndërsa Berishaj ofron një model teoretik të sistematizimit të diskursit pro-luftarak. Tekstet e përfshira në pjesën e fundit me titull “A ka bashkëpunim pas gjithçkaje: praktika kulturore dhe politike përmes kufijve” hulumtojnë praktika shoqërore bashkëkohore, siç është statusi i trashëgimisë kulturore të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, objekt i studimit të Jelena Llonçar, apo strukturizimi i fushës së artit dhe bashkëpunimit artistik midis Serbisë dhe Kosovës nëpërmjet metodologjisë së Burdjesë (Bourdieu), të cilin në punimin e vet e paraqet Ana Bireshev. Teksti i fundit i librit me autore Adriana Zaharijeviq sjell një vështrim nga pikëpamja feministe e marrëdhënieve serbo-shqiptare. Në tekst ngrihet pyetja mbi natyrën utopike të komuniteteve, të cilat nuk ndërtohen mbi lidhjet e gjakut, apo kujtesën e përbashkët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *