Fortesa apo Kalaja e Përsqopit gjendet në Tiranë. Arkitekti Olsi Plasa dhe arkeologu Gjergji Gjuraj na rrëfejnë se kjo kala, sipas studimeve, i përket periudhës Ilire (shek.IV-III), por në të nuk ka pasur gërmime arkeologjike. Ata ndalen edhe te domosdoshmëria e ndërtimit të një rruge, në mënyrë që të jetë e vizitueshme edhe nga turistët
Nga Valeria Dedaj/Shekulli
“Bëje tënden” Mozaikun e Tiranës dhe Kalanë e Përsqopit. Një takim i thjeshtë, që organizohej nga Trashëgimia Kulturore pa Kufij, u realizua në Mozaikun e Tiranës, jo vetëm për të shpjeguar se çfarë vlerash arkeologjike dhe historike ruan ky monument kulture, i cili është zbuluar gjatë ndërtimit të bllokut të banesave “Partizani”, por edhe për të treguar përpjekjet e vazhdueshme të specialistëve, që pavarësisht mungesës së guidave turistike punojnë për ta bërë këtë monument të vizutueshëm nga turistët.
Arkitekti Olsi Plasa, specialist i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës, njëkohësisht përgjegjës pranë Mozaikut të Tiranës, bashkë me arkeologun Gjergji Gjuraj, përveçse ndalesës në Mozaikun e Tiranës, na shoqëruan edhe në Kalanë e Përsqopit, e cila i përket periudhës Ilire shek.IV-III dhe gjendet vetëm 1.5 km në lindje të Kalasë së Petrelës.
Plasa: Nuk ka asnjë lloj gërmimi, gjë që mund të na tregojë për çfarë është përdorur Kalaja e Përsqopit
Për të shkuar në Kalanë e Përsqopit nuk është e lehtë. Qysh në fillim vëren mungesën e një tabele orientuese në rrugë, e cila do të afronte më tepër drejt saj. Por nuk mbaron me kaq! Për t’u ngjitur deri te kjo Kala, teksa duhet të ngjitësh terrenin e pjerrët, në çdo hap që hedh duhet mbahesh dhe të zmbrapsësh barishtet. Megjithatë, edhe pse në këtë kala nuk janë bërë gërmime arkeologjike, studimet për të nuk mungojnë.
Arkitekti Plasa pas mbërritjes në Kalanë e Përsqopit, na tregon se, në Shqipëri nuk janë gërmuar shumë kalatë ilire. Sipas tij, më tepër ka pasur interes për gërmime arkeologjike në kalatë romake dhe helene, sesa ato të periudhës Ilire. “Kjo fortesë i përket periudhës së mirëfilltë ilire. Nuk e dimë dhe nuk ka asnjë lloj gërmimi që mund të na tregojë nëse ka qenë brenda një banesë apo është përdorur si rrugë kalimi për të mbërritur në fortesë”. Ndonëse para viteve ’90-të nuk i kanë kushtuar rëndësi arkeologët kësaj kalaje, sipas Plasës, ka shumë interes të madh arkeologjik dhe historik.
“Kjo është një mundësi që të bëhet e vizitueshme jo vetëm nga vendasit, por edhe nga turistët. Prandaj mund të realizohet me pak vullnet, sepse kalaja e Petrelës nuk është larg as 300- 400 metra larg prej kësaj. Atje mund të shkohet me asfalt, për kaq mund të vihet edhe këtu”. Megjithatë ai mendon se, qoftë edhe vetëm vendosja e një tabele orientuese do të afronte vizitorët pranë kësaj zone.
Arkitekti Plasa bashkë me Gjergj Gjuraj na tregojnë se Kalaja ose fortesa e Përsqopit daton rreth fundit të shekullit të katërt dhe fillimit të shekullit të tretë para erës sonë. “I përket fiseve taulante, por në fillim të shekullit të tretë përmenden edhe nga fiset e penesitëve. Prandaj mund të ekzistojë qysh asokohe si kala”.
Plasa na rrëfen se nga muret rrethues të kalasë tashmë ekzistojnë vetëm dy. “Të anës jugore dhe veriore, që është pjesa e fortesës; 58 metra e gjatë, 7 metra e lartë. Ndërsa trashësia e mureve është kombinuar nga; një mur i jashtëm, (2 metra i gjerë) dhe nga muret që janë punuar me dorë, të cilët kanë bazë gëlqerore”.
Blloqet arrijnë 50 deri në 80 cm. Janë të vendosur në formë të rregullt dhe janë në formë trapeziale dhe trekëndore. Kanë një puthitje të rregullt me njëri-tjetrin, por kanë një kontur rreth 2 apo 3 cm të hapur (në formë drejtkëndëshi), gjë që ka bërë të dallohet dhe të duket bukur gjithë pjesa e sipërfaqes së jashtme. “Pjesa e jashtme është e punuar 5 deri në 8 cm. Ndërsa muri i brendshëm nuk është i punuar dhe ka një ndërtim kuadratik. Pjesa e murit të jashtëm është 2 m. Ndërsa muri i brendshëm është 1 metër i gjerë dhe përbëhet nga muret tërthor, që daljen e kanë në sipërfaqe. Gjithë gjerësia e saj, shkon deri në 6 metër i gjerë dhe mban gjithë peshën e pjesës së sipërme, përfshirë edhe rrëshqitjet”.
Sipas arkitektit, pjesët tërthore, të cilat mbajnë muret kryesorë janë horizontalë dhe futen brenda tyre, duke krijuar një lloj mbrojtjeje në mënyrë natyrale, që muri të mos të bjerë.
“Themelet janë rreth 1 metër e gjysmë dhe dalin në sipërfaqe vetëm 10-15 cm. Themelet më të forta janë në zonën vertikale. Përveçse kësaj ky është muri më i ruajtur, ndërsa në pjesën veriore nuk ka pasur nevojë për mur, sepse ka qenë e fortifikuar në mënyrë më natyrale”.
Në krah të Kalasë ndodhet porta kryesore. Fortifikimi i saj shkon nga 0.7 metra deri në 2.9 metra. Në këto dy porta muret kanë qenë më të forta, sepse bënin një lloj bllokimi për të huajt që vinin. Në pjesët e tjera ka vetëm mbetje arkeologjike. “Përveç kësaj është gjetur edhe një varr monumental i bërë me qemer. Është i njëjtë me ata që gjenden në Amantia. Në këtë zonë është i vetmi i këtij lloj. Këta varre janë karakteristikë në zonën e Maqedonisë”.
Barishtet (ferrat dhe jo vetëm), të cilat e kanë mbuluar pothuajse plotësisht Kalanë, aq sa të ndihmojnë kur ngjitesh, aq edhe ta vështirësojnë zbritjen, sepse hera-herës do të duhet që të rrëzohesh dhe mbi to. Megjithatë udhëtimi në Kalanë e Përsqopit bëhet edhe më i veçantë, sepse nëpërmjet tij mund të kuptohet, sesa e lartë duhet të jetë përgjegjësia e institucioneve, por edhe e njerëzve të thjeshtë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore të vendit. Vetëm në këtë mënyrë mund të dimë më tepër rreth historikut dhe vlerave të këtyre monumenteve që gjenden kaq pranë nesh.