Shpallen zonë e mbrojtur “Muret e Portës” në Porto Romano të shek.VI

Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, në kuadër të vënies në mbrojtje, dokumentimit dhe restaurimit të monumenteve të trashëgimisë kulturore, ka miratuar propozimin e specialistëve të Institutit të Monumenteve të Kulturës për të shpallur zonë të mbrojtur “Muret e Portës” në Porto Romano, Durrës, monument kulture i kategorisë së I-rë.

Muri i Portës ndodhet rreth 7 km në veri të qytetit të Durrësit në vendin e quajtur “Porto Romano”, ku ruhen ende mbetjet e një muri, i cili mbyllte dikur rripin e ngushtë të tokës, ndërmjet detit dhe kënetës. Në ditët e sotme ruhet vetëm një trakt rreth 60 m i gjatë dhe një kullë katërkëndëshe me lartësi 4 m.

Forma e kullave dhe teknika e ndërtimit ndryshon nga ajo e murit rrethues të qytetit të Durrësit. Kalaja e Portës u ndërtua në shek. VI. Kulla e vetme e ruajtur në murin e Portës, si nga përmasat, vendosja e shkallëve, hyrjeve etj, të kujtojnë kalanë e Rusofës në Siri, të ndërtuar nga perandori Justinian.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *