Si u rrëmbye kryeministri shqiptar Koço Kota në Selanik

Mes 10 kryeministrave të vrarë të shtetit shqiptar dhe 6 prej tyre që nuk kanë varr, mes tyre është edhe Kostaq Kotta.

Dy herë kryeministër, kryetar i parlamentit, kryetar i Dhomës së Deputetëve, ministër i Brendshëm, kryetar i kryesisë së Kongresit të Lushnjes dhe pjesëmarrës në shpalljen e Pavarësisë, Kostaq Kotta mbahet mend se ishte kryeministër më 7 prill 1939, ditën që Shqipëria u pushtua nga Italia dhe që në 1945 u rrëmbye në Athinë, duke i vënë pistoletën në kokë nga një agjent i Sigurimit të Shtetit, një agjent i KGB-së ruse dhe një agjent i shërbimit sekret grek, për t’u sjellë në Shqipëri. Ironia vazhdon se ai vdiq në Burgun e Burrelit nga torturat çnjerëzore, në burgun që hodhi firmën për ta ndërtuar. Të gjitha këtë histori të trishtë e solli në emisionin Debati në Channel One të gazetarit Roland Qafoku, Harallamb Kotta, një nga pasardhësit e kryeministrit të 15-të të shtetit shqiptar.

Më poshtë është një pjesë e intervistës.

Zoti Kota, sipas të dhënave që ju keni, nga ato që keni lexuar, por edhe nga të dhënat familjare, si u rrëmbye kryeministri Koço Kotta?

Sapo kishte mbaruar lufta dhe kryeministri Koço Kotta jetonte në Selanik, në shtëpinë e vjehrrit. Ai kishte kohë që bënte jetën e ilegalit, sepse tashmë ishte armik me komunistët shqiptarë, me komunistët grekë dhe, natyrisht, armik kryesor nga sllavokomunistët jugosllavë. Ai nuk e ndoqi mbretin Zog në mërgim, por qëndroi në Greqi, duke treguar se nuk ka qenë dakord me të. Ka qenë viti 1945 kur tre persona u paraqitën befas në derën e shtëpisë, ku ai jetonte në Selanik. Një prej tyre ishte shqiptar dhe ishte agjent i Sigurimit të Shtetit Shqiptar me emrin Anton Çeti, i dyti ishte një rus, agjent i KGB-së dhe i treti një grek agjent i shërbimit sekret grek. Çudia ishte se të tre flisnin shqip. Në fillim ata u paraqitën me mirësjellje, duke i kërkuar Koços të vinin me ta në Shqipëri. Sipas tyre kishin porosi direkt nga Enver Hoxha që Koçoja të kthehej në Tiranë për të marrë një post shtetëror. Madje ata zunë në gojë që ai të rimerrte sërish detyrën e kryeministrit që kishte lënë më 7 prill 1939. Koçoja e kuptoi që kjo ishte një grackë që ata ta likuidonin dhe nuk pranoi. Por menjëherë pas këtij refuzimi të tre agjentët sekretë nxorën pistoletat dhe ia vunë në kokë. Në shtëpi u krijua një gjendje ankthi, frike e terrori, sepse gjithçka u krye në sy të gruas së tij dhe prindërve të gruas. Edhe ata e kundërshtuan marrjen e Koços, por përpjekja e tyre ishte e kotë. Menjëherë pranë shtëpisë mbërriti një furgon dhe pasi e tërhoqën zvarrë Koçon e futën në të. Prej Selanikut e sollën në Tiranë dhe nga Tirana në Burgun e Burrelit. I gjithë operacioni ishte i drejtuar dhe komanduar nga ministri i Brendshëm Koçi Xoxe. Ai ishte armiku numër 1 i Koço Kottës. Xoxi ishte një antishqiptar dhe një armik i betuar i të gjithë atyre që ishin shprehur kundër komunistëve dhe sidomos kundër bashkëpunimit me sllavo komunistët.

Ç’ndodhi më pas me kryeministrin Kotta?

Ndodhi ajo që tashmë dihet. Gjyqi special i drejtuar nga Koçi Xoxe kishte vënë në bankën e të akuzuarve personalitetet më të rëndësishme të Shqipërisë. Mes tyre edhe Koço Kottën. Por këtu pati një problem. Prokuroria kërkoi dënim me vdekje, por gjykata speciale e dënoi me 30 vjet.

Përse nuk pranoi gjykata kërkesën e prokurorisë?

Sepse jo për 30 vjet por për asnjë ditë nuk kishte prova, Koço ka thënë në sallën e gjyqit pak a shumë kështu: “Më 7 prill të vitit 1939, qeveria jonë jo vetëm që nuk u frikësua, por organizoi edhe rezistencë të armatosur, duke bërë atë që nuk e bëri dot as qeveria çekosllovake, e cila ishte shumë herë më e armatosur se qeveria e jonë. Pikërisht, atë që s’e bëri qeveria çekosllovake e bëri qeveria e vogël e popullit shqiptar”.

Pas dënimit me 30 vjet çfarë ndodhi?

Ndodhi ajo që Koçon e dërguan në burgun e Burrelit, një burg që ai e firmosi për ta ndërtuar vetë kur ishte kryeministër. Po a e dini ju që kryeministri Kotta ka ndërtuar bulevardin e madh të Tiranës, ndërtesat e ministrive dhe shumë e shumë vepra të tjera, rrugë, shkolla e ura. Dhe natyrisht do ndërtonte edhe burg. Por pikërisht aty gjeti vdekjen.

Si ndodhi vdekja e tij?

Nga të gjitha dëshmitë e bashkëvuajtësve, nga dokumente arkivore dhe nga rrëfimet e të afërmve ishte e parapërgatitur që Koçoja duhet të vdiste. Torturat ishin çnjerëzore. Në fillim ai u fut në qelinë numër 7 të burgut. Të burgosurit bënin humor me Koçon. Një prej tyre ka treguar se i ka thënë:

“Koço, mirë ta bënë që të futën këtu, sepse nuk e ke bërë të mirë këtë burg”.

Më pas u fut në qelinë pa numër. Aty gjithçka ishte në kufijtë e të paimagjinueshmes. E lanë pa bukë e ujë, i jepnin kripë, e godisnin me ç’të mundnin deri me bajonetë dhe thirrjet e tij ishin dëshpëruese. Të burgosurit kanë treguar se dëgjonin për orë të tërë fjalën bukë, bukë bukë, deri sa kjo erdhi duke u zbehur dhe më pas nuk dëgjohej asnjë zë”.(Lajm)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *