Qendra për Hapje dhe Dialog në Kryeministri, në bashkëpunim me Bashkësinë e Hebrenjve Shqiptarë, hap ekspozitën historike “Populli, Libri, Toka…”, në kuadër të sezonit “Hapësira ku jetojmë, hapësira që ndajmë dhe hapësira që lëmë pas – II”.
Në ceremoninë e hapjes marrin pjesë Kryeministri Edi Rama, përfaqësues të komunitetit hebre në Shqipëri dhe të Qendrës “Simon Wiesental-Europe”. Të ftuar, drejtues të të gjitha bashkësive fetare në vend, trupi diplomatik, përfaqësues të publicistikës, kulturës, botës akademike, shoqërisë civile dhe studentë. Aktiviteti është i hapur për median.
Ekspozita vjen në Shqipëri, si bashkëpunim i UNESCO-s me Qendrën “Simon Wiesental-Europe”. E hapur më herët në UNESCO Paris, Kombet e Bashkuara, Kongresin amerikan, Parlamentin izraelit “Knesset”, në Vatikan, Podgoricë e Prishtinë, ajo përshkruan marrëdhënien 3 500-vjeçare të bashkësisë hebraike me Tokën e Shenjtë.
Përmes ilustrimeve, fotografive dhe tabelave shpjeguese, Prof. Robert Wistrich, i Universitetit Hebraik të Jeruzalemit, rrëfen historinë e hebrenjve që nga zanafilla e Patriarkut Abraham (Atit të Popujve) deri në ditët e shtetit bashkëkohor të Izraelit.
Dr. Shimon Samuels, drejtor në Qendrën “Simon Wiesental-Europe”, bashkëorganizatore e ekspozitës me UNESCO-n, bën një paraqitje të konceptimit, formësimit dhe udhëtimit të ekspozitës anekënd botës; ndikimi i Tokës së Shenjtë në jetët e hebrenjve të diasporës, të shpërndarë në të gjithë globin dhe ruajtja e identitetit të tyre në rrjedhën e kohërave.
Shqipëria ka një vend të veçantë sa i përket marrëdhënieve të saj me bashkësinë hebreje, e vënë në provë kryesisht në vitet e errëta të kësaj të fundit. Hebrenjtë shqiptarë bashkëjetojnë në harmoni me besimet e tjera fetare, në emër të vlerave më të mira njerëzore e universale.
E vogël në numër, por e vjetër për nga historia, kjo bashkësi ruan, mbron dhe promovon interesat fetare, kulturore, historike, artistike, arsimore si dhe traditat dhe zakonet e lashta të hebrenjve shqiptarë.