Jaime Sabines
Një ditë shpresoj të shërohem prej teje
Duhet të resht së tymosuri, së piri, së menduari për ty.
Është e mundur.
Duke ndjekur udhëzimet e mësimit të radhës.
Vetes i këshilloj kohë, kreshmë, vetmi.
Si thua sikur të t’dua vetëm një javë?
S’është shumë, as pak, është mjaftueshëm.
Në një javë mund të mbledhësh
tërë fjalët e dashurisë që janë thënë mbi rruzull
dhe mund t’u vësh flakën. Do të t’ngroh
me atë flakadan të dashurisë së djegur. Edhe me heshtjen.
Sepse fjalët më të bukura të dashurisë gjenden
mes njerëzve që asgjë s’i thonë njëri-tjetrit.
Duhet djegur edhe ajo gjuha tjetër dytësore
e armiqësore e kujt dashuron. (Ti e di si ta shpreh dashurinë kur të them:
“Sa vapë bën”, “Jepmë ujë”, “Di ta ngasësh makinës?” “U bë natë”…
Mes njerëzve, në sy të familjes tënde dhe times, të thashë “U bë vonë”,
dhe ti e dije se thashë “Të dua”).
Edhe një javë për të mbledhur tërë dashurinë e kohës.
Për të ta dhënë. Që të bësh ç’të duash me të: ta ruash, ta përkëdhelësh, ta flakësh në kosh.
Është e kotë, njëmend. Dua vetëm një javë që t’i kuptoj gjërat.
Sepse gjithçka është kaq e ngjashme me daljen nga një çmendinë për të hyrë në një varrezë.
Përktheu, Beti Njuma