Albanologu shqiptar nga Ulqini, Kapllan Resuli, por që tani mbanë mbiemrin sllav Buroviç, në një intervistë për mediat serbe, ka folur për prejardhjen e shqiptarëve dhe të ardhmen e shtetit të Kosovës. Ajo që e bënë të veçantë këtë intervistë, është fakti se ai ua ka kaluar edhe historianëve dhe intelektualëve serb, sa i përket mohimit të historisë së shqiptarëve.
Akademiku, i cili jeton në Gjenevë prej disa dekadash, ka folur për historinë e Ballkanit dhe në veçanti asaj të shqiptarëve dhe të Kosovës, transmeton lajmi.net.
Ai mohon pretendimet e shqiptarëve se janë populli më i vjetër dhe se kanë origjinë Ilire. Burkoviç thotë se kjo tezë, jo vetëm që shkencërisht nuk është e bazuar, por përkundrazi shkencëtarët botërorë kanë dëshmuar se Shqiptarët nuk kanë asnjë lidhje me ilirët.
Sipas tij, akademikët austriakë dhe profesorët Gustav Weigand, Gustav Meier dhe Norbert Jokl, por edhe shkencëtarët më të mëdhenjë shqiptar Eqrem Çabej, Aleks Buda, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Shaban Demiraj, kryetar i dytë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, jo vetëm që e kanë pranuar që shqiptarët nuk janë autokton apo me prejardhje Ilire, por edhe këtë gjë e kanë dëshmuar në studimet e tyre shkencore.
“Kështu Qabej dëshmon se gjuha shqipe është formuar në Rumaninë e sotme, qysh në shekullin e gjashtë, dhe se prej atje shqiptarët kanë arritur qysh në shekullin e dhjetë në fushën Mata mbi Tiranë. Prej aty janë shpërndarë në të gjitha anët e Shqipërisë së sotme, e cila në atë kohë ishte e banuar kryesisht nga serbët. Pas pushtimit turk, këta shqiptarë kaluan edhe kufijtë e Shqipërisë së sotme dhe do të shkuan në Serbi, Maqedoni dhe Mal të Zi”, ka thënë Buroviç për “Vecernje Novosti”.
“Ashtu si gjithë popujt e botës, edhe shqiptarët kanë kulturën e tyre, e cila është e lidhur me Shqipërinë e sotme, e jo për Kosovën. Kjo kulturë daton nga fundi i mesjetës, dhe në shumicën e rasteve e kanë krijuar të huajt. Jashtë kufijve të Shqipërisë e deri tek rrënjët e tyre, nuk kemi kulturë shqiptare. Libri i parë i botuar në gjuhën shqipe është nga viti 1555, dhe atë e ka shkruar një kroat dhe është botuar nga një shtëpi ortodokse e Malit të Zi. Abetaren e parë shqipe e ka përpiluar një vllah me emrin Naum Veqilharxhi në vitin 1844, derisa abetarja e parë pas çlirimit dhe shpalljes së Shqipërisë shtet i pavarur në vitin 1913, është shtypur në Serbi, dhe e ngarkuar në kuaj është transportuar në Shqipëri. Pjesën më të madhe të monumenteve kulturore i kanë ndërtuar serbët. Se ekzistojnë themelet e ndonjë kishe bizantine aty, kjo nuk do të thotë se kishat e reja të ndërtuara janë bizantine”, vazhdon ai.
Për ardhjen e shqiptarëve në Ballkan ai thotë se ata aty erdhën si paganë, ndërsa besimin krishterë e kanë marrë pjesërisht nga serbët dhe pjesërisht nga Grekët por vetëm sipërfaqësisht, sepse thellë në shpirtin e tyre kanë vazhduar me paganizëm.
“Deri në vitin 1924 nuk kanë arritur të krijojnë kishën e tyre. Rrjedhimisht as nuk e kanë ndërtuar kishën. Aty ku kanë arritur i kanë minuar. Katolicizmin e kanë pranuar nga dioqeza e Barit dhe peshkopët serbë. As shqiptarët ortodoks as ata katolikë deri në ditët e sotme nuk kanë ndonjë shenjtorë të tyre. Të gjithë shenjtorëve të cilët ata i luten janë të huaj”, shprehet Burkoviç.
Ai thotë se “Kosova do të kthehet në krahët e prindërve të saj Serbisë dhe atë së shpejti, ndoshta edhe në ditët tona”.
Kaplan Buroviq është albanolog, i cili sot jeton në Gjenevë. Ka diplomuar albanologjinë në Shkup dhe në gjuhën dhe letërsinë shqipe në Tiranë. Për kritikat drejtuar Titizmit dhe Enverizmit ka vuajtur një kohë të gjatë nëpër burgje. Ka kaluar plotë 33 vite në burgjet jugosllave dhe ato shqiptare. Ai ka të botuara disa libra shkencorë. Këto ditë feston gjysmë shekulli që nga publikimi i romani “Tradhtia”, i cili përdoret në librat shkollore në Shqipëri. Para pesë viteve është larguar nga Shqipëria dhe i është bërë serb, rrënjë të cilat thotë se i ka gjetur përmes kërkimeve shkencore.