“Meqë është dita e kremtimit, paraqes këtu imazhin më të vjetër që trashëgojmë nga kisha e hershme kushtuar ‘Zojes së Këshillit të Mirë’. Në fakt, në këtë pikëpamje, ajo konsiderohet si PAJTORJA E SHQIPËRISË (basorelievi, i vitit 1531, ndodhet në fasadën e një ndertesë historike ne Venecje – kisha në fjale eshtë ndërtesa në sfond, nën kështjellën e Shkodrës)”, shkruan arkitekti Artan Shkreli.
Zoja e Shkodrës apo Zoja e Kshillit të Mirë, është një ikonë e Shën Marisë me Jezusin fëmijë. Kjo ikonë gjendej në kishën kushtuar Sh. Marisë në Shkodër. Sipas dëshmive të ndryshme të asaj kohe, thuhet se ikona braktisi kishën rrëzë kalasë së Rozafës me 25 prill 1467, pak para pushtimit të qytetit nga turqit, që kërcënonin çshenjtërimin e kishës dhe mori rrugën fluturimthi duke kaluar detin drejt Italisë, e mbajtur nga dy engjëj. Kjo ngjarje u ndoq nga dy shtegëtarë shqiptarë, Gjorgji dhe De Sclavisi. Në Itali, ikona e Zojës së Shkodrës u vendos në kishën e Gjenacanos, një kishë ndërtuar që në shekullin e dhjetë. Këshilli i katërt i peshkopëve shqiptarë, i mbajtur në vitin 1895, e shpalli Zojën e Shkodrës “Pajtore të Shqipërisë”. Shkodranët e shprehin në këngë mjerimin që pushtoi qytetin pas shtegtimit të Figurës së Zojës dhe pushtimit osman:
“Qysh at ditë që na u largove, Te tana të zezat na kan ra”. Dita e Zojës së Shkodrës është 26 prilli.
Sa i takon kësaj ikone, artisti Adrian Paci ka realizuar një video mjaft domethënëse vite më parë. “PilgrIMAGE” (Pelegrinazh) e vitit 2005, ndërton një urë vizuale ndërmjet banorëve të Shkodrës dhe një ikone të shenjtë – Zoja e Këshillit të Mirë në Xhenaxano, Itali. Legjenda thotë se ikona u transportua në Itali në shek. XV nga engjëjt.
Videoja bashkon në mënyrë ideale qytetarët e Shkodrës me imazhin e shenjtë dhe, anasjelltas, ikona me pasuesit e saj përmes projektimit të njëkohshëm të një grupi besimtarësh shqiptarë në kishën e Xhenaxanos.