Ledi Shamku-Shkreli
Sa herë që në këtë vendin tonë prishet një rutinë a thyhet nje tabu, veprimi shoqërohet gjithnjë me një duhmë erë goje! Nga ato duhma kalbëzimesh të vjetra që të neverisin. Dhe nuk di pse, por “mendimtarët” dhe gjithologët popullorë kanë shpesh këtë duhmë!
Lexova do shkrime të servirura veresie si me qenë kafja e mëngjesit për “pantallonat e teritalit” që i paskeshin veshur dikujt. Dhe u neverita! E m’u kujtua e njëjta duhme që pata dëgjuar për veten këtu e 9 vjet të shkuara.
Bruno Shllakun e njoh! Me rrënje e me degë! E kam mik. Ja njoh edhe axhën (e kush nuk e njeh Gjon Shllakun e Iliadës në shqip?!). Ia njoh edhe të vëllanë (e kush nuk e njeh estetikën e hollë të Primo Shllakut për Martin Camajn – Uliksin që nuk u kthye në Itakë). Asgjë nuk lind nga asgjëja, por pavarësisht biografisë, njoh Brunon vetë! Brunon e drejtpërdrejtë dhe pa kompromise kur është fjala për qytetërim të mirëfilltë.
Ndaj shkarrashkruesve bajatë u them t’i kërkojnë gjetiu teritalsat! Shumë nga këta në vitet ’90 i kthyen me shpejtesi mbrapç xhaketat gri të Sigurimit (oh i mbaj mend për bukuri me ato xhaketa), i veshën nga ana e hastarit dhe rendën të ngrenë dy gishtat nëpër foltore parlamenti a neëpër drejtime partie. Mund të largojnë teritalin nga vetja (sot veshin kostume kashmiri), por nuk largojnë dot veten nga teritali.
Aty i gjeni, shumicën prapë me dy gishta, gabimisht e fajësisht me simbolin e lirisë e të ndryshimit, pasi janë të parët që tremben dhe kundërshtojnë çdo thyerje tabuje, çdo ndryshim rrënjësor, shkurt çdo gjë që i kthen prapë sikundër janë: në teritalsa!
Bruno mirëseerdhe! Më gezove shumë që erdhe! Dhe falemnderit që vendose të vish! Unë të njoh dhe ta çmoj të premit shkurt që ke! Ke me ndigju boll, Bruno. Por anì, siç thoni ju nga Shkodra, mos e xêj krytë fort o mik! Dikur-dikur ka me u dlirë disi edhe kjo duhma e erës së gojës! Paç këmbën e mbarë e tërhiqe ca zvarrë, Bruno, se kemi nevojë edhe për do të tjerë si ti!