Historia e parë që hapi puntatën e kësaj jave të programit “Dua të të bëj të lumtur” ishte historia e Driadit dhe Ninës. Simpatia e Driadit për Ninën kishte nisur para 2 vitesh në pushimet që kishin kaluar në plazhin e Shëngjinit. Kur kishte qenë duke luajtur me vëllain e tij, Driadi ishte goditur padashje me një top. Topi e kishte goditur në fytyrë dhe ai ishte rrëzuar në rërë.
Një vajzë 6-vjeçare i kishte ardhur në ndihmë duke e ngritur në këmbë dhe duke i pastruar rërën nga fytyra. Driadit i kishte ngelur në mendje ky gjest pasi sipas tij askush se kishte bërë më parë një gjë të tillë për të.
Kjo vajzë e vogël ishte pikërisht Nina. Ai e kishte ftuar Ninën në çadrën e tij dhe kështu ishin bërë shokë me njëri-tjetrin Kur pushimet kishin mbaruar Driadi duhej të kthehej në Tiranë dhe ishte përshëndetur me Ninën me shpresën që do e takonte një ditë. Por kishin kaluar 2 vite dhe ai nuk e dinte nëse do e takonte përsëri Ninën.
Për këtë arsye ai i ishte drejtuar programit “Dua të të bëj të lumtur”, që të gjente Ninën e “humbur”. Arbana Osmani jo vetëm që i kishte gjetur Ninën por i kishte sjellë në studio 5 vajza që quheshin Nina. Në këtë mënyrë Arbana e vuri në provë Driadin për të parë nëse ai e mbante mend Ninën e vërtetë.
Arbana i drejtonte pyetje secilës prej vajzave për të zbuluar nëse ndonjëra prej tyre ishte Nina e vërtetë. Pas çdo vajze që vinte Driadi fillonte të bëhej akoma më i sigurtë që Nina që ai donte do të ishte vajza tjetër që do të vinte në studio. Madje kur erdhi vajza e katërt ai nuk priti as të zbulohej nëse ishte Nina e vërtetë, shkoi me vrap dhe iu hodh në qafë për ta përqafuar. Por ajo nuk ishte Nina e tij.
Reagimet e Driadit edhe bisedat midis tij dhe Nina-ve shkaktuan të qeshura tek publiku që ndodhej në sallë. Në fund në studio erdhi Nina që ne dhe Driadi prisnim. Ishte Nina e vërtetë, vajza që Driadi kishte kërkuar gjatë këtyre dy viteve. Ai jo vetëm që po priste me padurim që ta takonte por i tha që e donte shumë. Driadi i kërkoi Ninës që miqësia e tyre të vazhdonte dhe të kishin mundësi që të takoheshin. Përgjigja e vajzës shkaktoi shumë të qeshura në studio… “S’di ç’të them”, – u përgjigj ajo.
Në përfundim të historisë Arbana u bëri të gjithë fëmijëve nga një dhuratë.