Nga Aurenc Bebja
Francë – 12 Janar 2018
Gazeta franceze, “Ce Soir”, ka botuar, të martën e 11 prillit 1939, në faqen 3 gjashtë kërkesat e Italisë fashiste për të sunduar Shqipërinë, të refuzuara asokohe nga Mbreti Zog.
“Dibër, 10 prill. – Një personalitet shqiptar dha detajet e mëposhtme mbi kërkesat italiane të refuzuara nga Mbreti Zog, Qeveria dhe Parlamenti i Tiranës përpara pushtimit.
Këto ishin kërkesat në vijim, të cilat pasqyrojnë regjimin që Italia i rezervonte Shqipërisë së mundur :
1.Të drejtën për të zbarkuar forca ushtarake në çdo kohë dhe kudo në territorin e Shqipërisë;
2.Mbikëqyrje dhe kontroll nga autoritetet ushtarake italiane në të gjitha punët publike shqiptare : fortifikimet, rrugët, urat, portet etj.;
3.Garantim të të gjitha të drejtave civile të gëzuara nga shtetasit shqiptarë për italianët që jetojnë në Shqipëri, duke përfshirë gjithashtu të drejtën për të qenë deputet, ministër, etj.;
4.Heqjen e Ministrisë së Jashtme, interesat shqiptare jashtë vendit do të përfaqësohen nga punonjësit diplomatikë dhe konsullorë italianë;
5.Emërimin e sekretarëve të përgjithshëm italianë në të gjitha ministritë shqiptare;
6.Ministri italian në Tiranë do të jetë anëtar i qeverisë shqiptare dhe, nga ana tjetër, ministri shqiptar në Romë do të jetë anëtar i qeverisë fashiste.”