SOT 130 VITE ME PARE U LIND PADER ANTON HARAPI
… kleriku që bëri kaq shumë për atdheun dhe u ekzekutua nga diktatura komuniste si armik. Bashkë me Shtjefën Gjeqovin dhe Gjergj Fishtën, Anton Harapi bën treshen e madhe të françeskanëve shqiptarë, vatrës më bujare dhe më të përkorë të dijes, përkushtimit dhe devocionit.
Plot 130 vite më parë, më 5 janar 1888 u lind në Shirokë të Shkodrës, Padër Anton Harapi, ai që do të ishte shtylla më e qenësishme e traditës kombëtare shqiptare. Anipse roli dhe kontributi që dha u keqkuptuan dhe u keqinterpretuan nga falangat gjakatare, të cilat lypën me ngulm të përligjnin farsën e mizorisë dhe persekutimit barbar, shkruan Albert Vataj.
“A e dini se çdo ndêrtese i vihen temelet n’dhé? Edhe pse n’vàrr, ne hijshëm duhet t’jemi gurt’ e temelit t’njasaj bînaje t’cillin sot e quejm Shqypni”. Janë këto fjalë të qëndisuna me zemër të gatueme me prushin e atdhedashunisë dhe hirin e shenjt të shërbestarit, t’devotshmit të rrugës së vërtetë, diejtuesit, mendimtarit, shkrimtarit, veprimtarit politik dhe fratit françeskan Padër Anton Harapi.