Duke përkujtuar vdekjen e Át Gjergj Fishtës, Biblioteka Françeskane e sjell atë në një dialog (hipotetik) me parlamentarët e sotëm.
Gjergj Fishta (Fishtë, 23 tetor 1871 – Shkodër, 30 dhjetor 1940) i shkroi këto rreshta në vitin 1917- plot njëqind vjet më parë. Teksti, i rikrijuar, u mor në përmbledhjen “Përshndritje, Publicitikë“, Lajmëtari, 2000, Shqypnija, fq 57-59
Dhjetra sy u ngulën mbi atë burrë me shtat lisi e me sytë e Prometeut në ballë, që lëshojshin shkëndija mbi turmën e mrekulluar nga kjo ngjarje e pangjarë. Aq sa ata, të cilët e patën zhvarrosur, gjithnjë të pranishëm aty, në sallë, u penduan që e kishin lënë të dilte nga varri. Ndonëse u detyruan të heshtin.
Atëherë Frati i madh mori fjalën e tha:
Thonë t’huejt se shqyptarët i kan mêndt mâje ksulës, e duket se kan arsye; pse qe, bje fjala, e shuma nesh nder kafe, nder mejhane e festave nder shpija s’bân tjeter veçse tue pvetë palè si mas luftet do t’jesë pûna e Serbìs, e Malitzì, e Belgjit, e Rumenìs etj., e kerkujë s’i bjen nder mend me pvetë e me u interesue palè si do t’jesë pûna e Shqypnìs: mêndt mâje ksulës gjithmonë kërkojnë skâjet e shekullit e jo trollin e kufinin e vet. Kahë nuk jemi msue me mendue kurr per s’marit per Shqypnì, kshtû na duket çudë, e madjè, shumkush dron se shkon kryet me pasë per t’ja mbajtë kujdesin atdheut e Shqypnìs. Kjo punë nuk âsht e mirë, e prandej do t’mundohena me i qitë mêndt nên ksulë e, jo veç me pvetë se si do t’jesë puna e jonë mas lufte, por mâ teper edhè me diftue, permrênda caqeve t’arsyes, se si âsht dishiri i jonë qi t’jesë fati i Shqypnìs. E sa per vedi, na ktû sod duem me diftue se si e kuptojmë t’maren e t’miren e Shqypnìs e si e dishrojmë me e pa t’perparuem popullin shqyptár.
A asht e sigurtë në kête vend jeta, ndera, gjaja e shtetasve? – pyeti oratori – i ndjekun nga një heshtje e thellë….
Mâ s’parit, pra, – gjegji – na thomë se, per me u gjytetnue pernjimend Shqypnia, duhet njiherë qi ktû t’sugurohet jeta, ndera e gjâja e secillit, pse qellimi i jetës s’shoqnueshme nuk âsht tjeter veçse pronimi i paqtë i ktyne trì t’mirave prej ânet t’nierit. S’dytit duhet qi populli shqyptàr t’ket nji lirì të plotë per me zhdrivillue permrênda rrethit t’nji ligjës s’arsyeshme fuqìt e veta mendore e fizike per dobì t’veten e t’shokve. S’tretit lypset qi t’gjith t’shestuemt e t’rregulluemt e jetës s’shoqnueshme n’Shqypnì t’jet themêlue mî parime t’gjytetnìs prendimore, por me kusht qi, der kû ta bajë natyra e ktyne parsimeve, kta t’qiten n’pûnë mas gjendjes e etnologjís s’vendit e mas ndjesive t’popullit, në mnyrë qi t’ruhet paqa e zêmrave edhè karakteri komtar i shqyptarve. Kto jânë, mas mendimit tonë, kushtet mâ t’para qi lypsen per me bâ qi komi shqyptàr t’jet pernjimênd kom e kom i gjytetnuem.
Por nuk âsht mjaft me e ndertue nji shoqnì njerzsh n’kom e n’popull t’gjytetnuem…
duhet me pasë kujdès edhè qi mos shkatrrohet; prandej duhet me u mundue me i mbajtë sa mâ larg prej komit elementat e rrezikshem, t’cillët ase e brejn permrênda si mikrob e para kohet e mbysin, ase prej s’perjashtimit si parazitë, ia pijnë gjakun e e lânë m’kâmë e per hall. Kshtu, pra, per me e ruejt komin shqyptàr sidomos prej mikrobesh të permrêndshem, duhet qi Shqypnìn ta ket nên mbroje nji shtet i madh i gjytetnuem, i cilli t’ket interes me e rujtë e me e mbajtë mkâmë komin shqyptàr; e per me bâ qi komit shqyptàr mos t’i rrshasë gjâja, – qi âsht gjaku i çdo komi – nder duer t’hueja, duhet me i dhânë mnyrën e me i nîmue qi t’zhdrivillohet m’vedi e me fuqì t’veta, si me thânë, me e lanë shtet m’vedi.
Por, me gjith parsim patriotik e nacjonalistik, Shqypnì s’kishte me pasë, po kje se vêhen batakçít me e sundue.
(Fjala “batakçi” shkaktoi një ilaritet tjetër në sallë, nga ana e të dyja palëve. Po Frati vijoi të flasë e në sallë ra përsëri heshtja)…
Popujt, thotë nji shkrimtar, mâ para falin nji mizuer qi t’ket ndrydhë nên kâmë, se nji batakçí qi t’i kêt rrêjtë. Sod t’gjith po njifen si parja e kuqe: ra lufta e ja qiti shekullit zhyblat per fushë. E kshtû i dyti shêj i fortë neper t’cillin kena me mûjtë me njoftë mas paqet ase edhè para paqet se verevertè don ndokush qi t’mahet Shqypnia, âsht t’emnumemt e njerzve zyrtarë qi do t’sundojnë Shqypnìn. Me e lshue Shqypnìn nder duer t’batakçíve, âsht njapernja si me ja vjerrë ujkut mushknít m’qafë, me uzdajë se po t’i çon te shpija: ujku i han mushknít, sidomos per n’kjoftë msue ndojherë me hanger m’to.
Kshtû e vetem kshtû mendojmë na se mkâmet e mbahet Shqypnia e komi shqyptàr….
Deputeteve të të dy krahëve u mbetën ndër dhambë fjalët Euralius, Bashkimi Evropian, Opdat i SHBA-ve e emna të tjerë shtetesh të mëdhenj, të cilët i përsërisnin vazhdimisht e prej të cilëve prisnin se do të bëhej Shqipëria. E disa dreshtën se Frati po ua rikujtonte atë epitetin e famshëm, që ia kishte ngjitë dikur Evropës. Që do të mjaftonte për t’i dhënë fund çdo utopie se mund të sigurohet jeta, nderi e gjëja e liria e plotë e popullit shqiptar për të zhvilluar fuqitë e veta mendore e fizike në dobì të vet e të shokëve, nëse mbështetet vetëm mbi fuqitë e huaja e vë batakçít me e sundue!