Nga armët te regjimi komunist, botimet që sollën të panjohurat e muzeut

Gjatë vitit 2017 Muzeu Historik Kombëtar ka botuar tre libra nën logon e tij.
“Studime Muzeologjike 7”, qëllimi kryesor i kësaj reviste shkencore është: të stimulojë debatin rreth vlerave të trashëgimisë kulturore shqiptare. Nëpërmjet revistës “Studime Muzeologjike”, Muzeu Historik Kombëtar nxit dhe inkurajon veprimtarinë kërkimore-shkencore në fushën e muzeologjisë, historisë, konservimit dhe restaurimit. Prezantimi i numrit 7 të revistës “Studime Muzeologjike” u përcoll me një debat pozitiv dhe shumë frytdhënës, lidhur me ecurinë e saj në të ardhmen. Revista përmban 12 shkrime me tema të ndryshme: Dr. Dorian Koçi, ka botuar artikullin me temë: “Dy kisha Romaiko-Gotike në Shqipërinë e Epërme”. Më pas vjen punimi i Andrea Llukanit me titull: “Ikonat e Diço Zografit në Muzeun Historik Kombëtar”; punimi i Ledio Xhorxhit me titull: “Si mundet muzeu im të ndihmojë vizitorët me probleme në shikim”. Ndërkohë që janë paraqitur me punimet e tyre edhe Prof. Dr. Luan Përzhita, Prof. As. Dr. Shaban Dervishi, Prof. As. Dr. Frederik Stamati, Prof. Asoc. Dr. Ermal H. Baze, Tatjana Alimemaj, Etleva Demollari, Alban Meta e Sokol Çunga.
Botimi “Armë të mjeshtërve shqiptarë në Muzeun Historik Kombëtar” është katalogu i ekspozitës me të njëjën titull. Kjo ekspozitë u organizua në kuadër të 105-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Katalogu përmban 47 objekte: 21 kobure, 8 pushkë, 10 vezme, 2 harbi dhe 6 jataganë. Armët ilustrohen edhe me fotografi, me anën e të cilave pasqyrohet puna artistike e armëtarëve shqiptarë. Zbukurimet e armëve janë bërë me teknikën e filigranit. Kjo vërteton se shqiptarët ishin mjeshtër në punimin dhe zbukurimin e armëve. Armët e tyre ishin të punuara me argjend, por edhe të lara me ar. Në pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar janë ekspozuar pushkë, kobure, vezme, harbi dhe jataganë.
Botimi “Nga komunizmi drejt demokracisë: tranzicioni shqiptar”, me kumtesat e konferencës shkencore “Nga komunizmi drejt demokracisë: tranzicioni shqiptar”. Kjo konferencë është organizuar në kuadër të edicionit të gjashtë të veprimtarive “Ditët e Albanologjisë” organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Muzeu Historik Kombëtar.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *