Pionieri i lëvizjes sonë kulturore patriotike të shekullit XIX dhe ideatori i alfabeti origjinal të gjuhës shqipe u përkujtua ditën e djeshme në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar me veprimtarinë me temë“220-vjetori i lindjes së Naum Veqilharxhit” .
Në këtë veprimari referuan rreth kësaj teme Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, dhe Rovena Vata nga Akademia e Studimeve Albanologjike.
Në fjalën e tij drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi tha se Veqilharxhi është ideologu i parë i Rilindjes në Shqipëri, një nga ata që u hapën udhën ideve të reja politike e kulturore kombëtare. Për më tej Dr. Dorian Koçi bëri një ekspoze të gjerë të kushteve në të cilat filloi iluminimi dhe ndërgjegjësimi kombëtar.
Koçi tha se,“punën e tij si atdhetar iluminist Naum Veqilharxhi e nisi me krijimin e një alfabeti origjinal të gjuhës shqipe, të përbërë prej 33 shkronjash. Ideja kombëtare për së pari filloi nga zhvillimi i arsimit dhe një gjë e tillë nuk mund t’i atribuohet një njeriu, por plejadës së tërë. Gjithsesi Naum Veqilharxhi ishte ai që e filloi punën e tij në një “tokë djerrë”, dhe pas 20 viteve na dha një alfabet krejt të veçantë me të cilën mund të shkruhej gjuha shqipe”, tha mes të tjerash në fjalën e tij Dorian Koçi.
Për të pranishmit që merrnin pjesë në këtë aktivitet Rovena Vata, do të shtonte se Naum Veqilharxhi ishte njeriu që kërkonte arsimimin e përgjithshëm të popullsisë, që punoi fort për të njehsuar dy dialektet e shqipes dhe që punoi gjithashtu për pastrimin nga fjalët e huaja të fjalorit shqip. Veqilharxhi ishte vetëm 27 vjeç kur filloi punën me Evëtarin, dhe ndërgjegjësimi kombëtar i shqiptarëve pas kësaj veprimtarie do të pengonte përhapjen e helenizmit në trevat ku ata jetonin. Me veprimtarinë e tij Naum Veqilharxhi fitoi dashurinë dhe respektin e bashkatdhetarëve patriotë, por edhe mërinë e armiqve të Shqipërisë. Sipas Rovena Vata, Naum Veqilharxhi me veprën e tij u bë shprehës i një kthese me rëndësi në historinë e popullit shqiptar.
“Si iluminist revolucionar, Naum Veqilharxhi kërkoi zgjimin e ndërgjegjes kombëtare dhe mendonte se mësimi i shqipes dhe ngritja e kulturës mund ta vinin atdheun në radhët e vendeve të qytetëruara”, tha në fjalën Rovena Vata.
Naum Veqilharxhi
Naum Veqilharxhi lindi në fshatin Vithkuq të rrethit të Korçës ,më datën 6 dhjetor 1797 . Më 1838 , vit në të cilin të gjithë Veqilharxhët e deklaruan veten si grekë, Naumi nuk ngurroi të pranonte origjinën e tij e të regjistrohej si shqiptar pranë autoriteteve rumune .Po në këtë periudhë ai arrin të finalizojë dhe punën e mundin e tij 20-vjeçare për krijimin e një abetareje, e cila ishte e para në llojin e saj për shqiptarët, pasi deri atëherë gjuha jonë shkruhej me ndihmën e alfabetit grek dhe atij arab.
Abetarja e parë e tij u shkrua dhe u botua në vitin 1844. Kjo abetare përmbante dhe një alfabet origjinal, por meqë ai ishte unik në llojin e tij, i vështirë për t’u shkruar dhe pa asnjë ngjashmëri me ndonjë gjuhë tjetër, nuk pati mundësinë për ta bërë popullore. Gjithsesi orvatja, mundi e puna e tij u vlerësuan maksimalisht dhe këtë e tregon dhe fakti se autorit iu kërkuan disa abetare me qëllim ndritjen e mendjes së popullit të etur për kulturë dhe dije.
Më 1824 nisi punën për përpilimin e një alfabeti të veçantë të shqipes me 33 shkronja, të pranueshëm nga të gjithë për të kapërcyer dasitë që lidheshin me alfabetet e tjera. Synoi që sistemi shkrimor t’u përshtatej veçorive të fonetikës së shqipes. Me këtë alfabet botoi më 1844 të parën abetare të shqipes, ”Evëtari”.
“Evëtari” i tij nuk gjeti zbatim të gjerë, por gjithsesi ishte puna më serioze deri në atë kohë për të pasur një alfabet ndryshe të gjuhës shqipe./ATSH