Detaje nga libri «Për profetin dhe Hitlerin. Bota islame dhe Rajhu i Tretë» të historianit David Motadel.
Me rastin e marshimit në Mbretërinë e Jugosllavisë në pranverë të vitit 1941, gjermanët qenë të befasuar nga entuziazmi me të cilin u pritën nga pjesë të mëdha të popullsisë myslimane.
Anton Bossi Fedrigotti, përfaqësues i ministrisë së Jashtme gjermane te Armata e Dytë naziste, raportoi se ushtarët ishin të habitur që myslimanët e Sarajevës i kishin pritur aq të ngazëllyer, por menjëherë shtoi se ky reagim ishte i natyrshëm pasi që myslimanët ngaherë ishin ndër kundërshtarët më të ashpër të sunduesve serbë ortodoksë.
Fedrigotti raportoi se prijësit islamikë u kishin bërë thirrje përkrahësve të tyre t’i stolisin rrugët me flamuj dhe kësisoj të shprehnin gëzimin e tyre për hyrjen e gjermanëve.
Një ditë pas pushtimit të Sarajevës një turmë myslimanësh u brohoriti gjermanëve, kur këta hoqën një pllakë përkujtimore, e cila kujtonte vrasjen e Franz Ferdinandit nga Gavrilo Principi. Pastaj njerëzit iu bashkuan një parade ushtarake të gjermanëve, e cila u organizua përgjatë lumit Miljacka.
«Tërë atmosfera e popullsisë myslimane atë ditë tregoi se edhe këtu, larg Gjermanisë, ekziston një respekt i paparë për Führerin (Hitlerin)», shkroi Fedrigotti.
Pak ditë më vonë, me rastin e ditëlindjes së Hitlerit, prijësit myslimanë organizuan tubime masive dhe lutje në xhami, ku ishin të ftuar edhe oficerë gjermanë të Wehrmachtit(forcave ushtarake gjermane). Natyrisht këto raporte mbi entuziazmin e popullsisë myslimane duhet të lexohen me kujdes.
Gjermanët mund të raportonin vetëm për atë që shihnin; ata myslimanë që ishin kritik ndaj agresionit të Forcave të Boshtit ruheshin të mos shprehnin qëndrimin e tyre ose flisnin për shqetësimet e tyre vetëm në rrethe private. Rrjedhimisht, qëndrimet e myslimanëve nuk mund të përgjithësohen. Megjithatë, nuk ka dyshim se shumë prej tyre vërtet tregonin pak lojalitet ndaj Mbretërisë që po shpërbëhej.
Gjatë historisë myslimanët në faza të gjata kishin gëzuar sidomos të drejta religjioze dhe një masë të caktuar të autonomisë – fillimisht nën osmanët, pastaj, nga viti 1878, nën Monarkinë e Habsburgut dhe pas vitit 1918 në Mbretërinë e Jugosllavisë.
Por në krahasim me pararendësit perandorak regjimi jugosllav shpejt u tregua shumë më pak tolerant. Ndonëse myslimanët nën kreun e tyre Mehmed Spaho, themelues dhe prijës i Organizatës Myslimane Jugosllave, në periudhën mes dy luftërave botërore kishin ruajtur një pjesë të madhe të autonomisë së tyre religjioze, shumica e myslimanëve (ashtu si shumë kroatë katolikë) ndiheshin të shtypur nga hegjemonia serbo-ortodokse dhe për këtë shkak përkrahnin më 1941 shpartallimin e Jugosllavisë.
Fillimisht gjermanët pothuaj nuk u përpoqën të vënë kontakt me popullsinë myslimane në Ballkan. Në të vërtetë Hitleri kur shkatërroi Mbretërinë e Jugosllavisë në pranverën e vitit 1941 fillimisht nuk kishte treguar interesim për territoret e banuara nga myslimanët.
Ndërsa trupat gjermane pushtuan Serbinë, trevat myslimane përfunduan nën administrimin e Italisë (Mali i Zi me Sanxhakun e Novi Pazarit), Bullgarisë (Maqedonia) dhe shtetit të sapo themeluar kroat të ustashëve (Bosnjë-Hercegovina), nën sovranitetin e të cilit ranë shumica e myslimanëve të ish-Mbretërisë së Jugosllavisë. Vetëm pas eskalimit të luftës në fund të vitit 1942 gjermanët vunë kontakte më të ngushta me popullsinë myslimane të rajonit.
Shpejt u vërejt se regjimi i ustashëve me vizionin e tij fashist të një Kroacie katolike kishte pak respekt për nënshtetasit e tij myslimanë. Ndërsa Ante Paveliqi, udhëheqësi i Shtetit të Pavarur të Kroacisë, urdhëroi vrasjen e hebrenjve dhe përndjekjen e serbëve, ai së paku zyrtarisht u përpoq të përfitojë popullsinë myslimane.
Ai e shpalli islamin fe të dytë shtetërore dhe funksionarët ustashë i quanin myslimanët «lule të popullit kroat». Regjimi punësoi edhe shumë dinjitarë islamikë, para së gjithash Ismet Muftiqin, myftiun e Zagrebit, i cili ishte një përkrahës i pasionuar i shtetit të ustashëve, dhe së paku zyrtarisht i pranoi gjykatat e sheriatit, medresetë dhe vakëfet. Në qendër të Zagrebit u hap xhamia impozante e pogllavnikut (kreut të shtetit të ustashëve v.j.). Përkundër kësaj popullsia myslimane shumë shpejt u gjend në shënjestër të një lufte të ashpër civile.
Që nga fillimi i vitit 1942 rajoni gjithnjë e më shumë u fundos në një konflikt të përgjakshëm mes regjimit kroat, partizanëve komunistë dhe çetnikëve serbo-ortodoksë.
Partizanët nën drejtimin e ish-revolucionarit bolshevik dhe ushtarit të Habsburgut Josip Broz, më mirë i njohur si Tito, luftonin si kundër ustashëve ashtu edhe kundër çetnikëve. Lëvizja e çetnikëve nën Dragolub «Drazha» Mihajloviqin, e cila luftonte për restaurimin e Monarkisë dhe një shtet serbomadh, drejtohej jo vetëm kundër trupave të ustashëve dhe vendbanimeve katolike, por edhe kundër partizanëve të Titos.
Popullsia myslimane nga ana tjetër iu nënshtrua sulmeve nga të tri palët. Regjimi i ustashëve qëllimisht i angazhonte njësitë ushtarake myslimane për të luftuar partizanët e Titos dhe çetnikët dhe i shfrytëzonte ato për të kontrolluar zona serbo-ortodokse.
Së shpejti fshatrat myslimane u shndërruan në cak të sulmeve hakmarrëse. Aksionet hakmarrëse të çetnikëve kundër myslimanëve ishin veçanërisht brutale në Bosnjën lindore dhe jugore dhe në disa pjesë të Hercegovinës, ku sundimi i ustashëve ishte tepër i dobët.
Mihajloviq urdhëroi djegien e fshatrave të tëra. Njerëzit e tij ishin të njohur si mizorë që viktimat myslimane i prisnin me thikë në qafë. Vlerësimet për numrin e viktimave në mesin e myslimanëve kalonin në dhjetëra-mijëra. (Vijon) E.R.
David Motadel ligjëron historinë ndërkombëtare në London School of Economics. Libri i tij mbi botën islame dhe Rajhun e Tretë sapo është botuar në gjermanisht dhe është lavdëruar nga kritika./