Nga Fatmira NIKOLLI
Nisi gjithçka nga një dhuratë. Një ditë, Robert Wilton i sjell një gjerdan nga Kosova Elizabeth Gowing. Punimi artizanal i tij, e çoi shkrimtaren britanike në shtigje që rrekeshin të hidhnin dritë mbi duart që ende punonin filigranin.
Kërkimi i saj përmblidhet mandej në një botim “The Silver Thread, a journey through Balkan craftsmanship” (Fija e argjendtë; një rrugëtim në zejtarinë ballkanike). Shpalosen në të histori që zënë fill nga minierat, te këngët danteske; nga çmimet e vjedhura në luftërat e viteve nëntëdhjetë, ku një fije e argjendtë përshkon historinë e Ballkanit. Elizabeth Gowing zbulon lidhjet e ndërlikuara në gadishull, nga lukset e vezirëve të Stambollit e nga shfaqja modeste e filigranit në malësitë shqiptare, te shkollat mbi argjendin të epokës jugosllave. Gjatë këtij rrugëtimi, ajo viziton njerëzit që jetojnë nga nxjerrja e argjendit, mjeshtrit që realizojnë krijime të mahnitshme prej shkopinjve të materialeve të papërpunuara, mbledhësit e varfër që kanë shitur edhe shtëpitë e tyre, me qëllim që të ruajnë copëza të çmuara bizhuterish të rralla dhe një brez të ri grash kurajoze, që punojnë mrekulli të brishta e delikate me metale të forta, për të siguruar pavarësinë e tyre.
Të mërkurën, në Qendrën për Hapje e Dialog në Kryeministri, edhe pse ende në anglisht, libri u promovua, me praninë e koleksionistes dhe studiueses Linda Spahiu dhe moderimin e shkrimtares Diana Çuli. Një bashkëbisedim ndërveprues mbi artin e filigranit, si teknikë e vjetër e përpunimit të argjendit në trojet shqiptare e ballkanike, solli veç të tjerash imazhin e Elizabeth si një Edith Durham e ditëve tona.
Shkrimtarja rrëfeu gjithë procesin e realizimit të këtyre gjerdanëve dhe punimeve në filigran: nga nxjerrja e tij prej tokës, e deri te krijimi i sendeve të çmuara, në forma e objekte të ndryshme. Libri i saj, nxori në hap për fat të keq edhe humbjen e kësaj tradite. “Ka tri vende ku ende prodhohet si dikur, në Pejë, në Prizren dhe në një qytet turk afër Sirisë”, – tha ajo.
NË KOMUNIZËM
Stolitë në Shqipërinë Komuniste në librin e Elizabeth, është një kapitull më vete.
Ajo ka takuar në familjen Oroshi, Pinën, e cila ka punuar në fabrikën e Artistikes gjatë komunizmit, për të ditur se me çfarë argjendi kishte punuar.
“Pina foli me dashuri për historinë e saj dhe më tregoi në një tryezë të ulët një seri pllakash filigrani të bëra me kujdes, një vazo, sende të vogla, bizhuteri, dhe një kuti të vogël, së bashku me një mbajtëse cigaresh, në argjend të bardhë”. Ajo shkruan se është tronditur nga vazhdimësia e traditës shqiptare përkundër kufijve politikë. Sipas Elizabeth Gowing, këto vepra artizanale ishin një gjuhë shumë e vërtetë e përbashkët mes zejtarëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës. “Edhe kur Shqipëria i kishte mbyllur kufijtë e saj, e mbytur në paranoja izoluese; edhe kur familjet këtu nuk kanë mundur as të komunikojnë me të afërmit në Kosovë, Pina i kishte vendosur telat e saj të filigranit te Artistikja me të njëjtën formë e me të njëjtin kuptim siç i kishin bërë Bashkimi dhe Fatimja në Prizren. Pina filloi punë në ‘Artistike’ në vitin 1966 në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçe, së pari me gjashtë muaj trajnim të papaguar dhe më pas për më shumë se një dekadë përparoi përmes gjashtë kategorish punonjësish derisa arriti në kategorinë më të mirë. E bëri punën si pjesë e një ‘brigade’ prej njëzet personash”, çka për Elizabeth Gowing ishte si të imagjinoje një ushtri të vogël të punonte në filigran.
Pina kishte punuar në brigadën e saj për më shumë se tridhjetë vjet derisa fabrika u privatizua së bashku me të gjitha ndërmarrjet e tjera shtetërore dhe më pas u mbyll në vitin 1997. Ajo foli për normën që i jepej në prodhim dhe për orët shtesë që të gjithë duhej të bënin për të siguruar se u përmbush norma – apo edhe për ndëshkimin. Pina i ka rrëfyer pa asfare hidhërim se si e gjithë puna e tyre eksportohej e njëherësh ata paguheshin shumë pak. “Në vend që të më evokonte fabrikën e Enver Hoxhës, rrëfimi i saj më kujtoi pikturat që kisha parë në Galerinë Kombëtare të Tiranës, që tregonin punën fisnike në fabrika – vajza me sy të ndritshëm që vështronin drejt së ardhmes”, shkruan Elizabeth.
Elizabeth Gowing është autorja e Travels in Blood and Honey (Udhëtime në gjak e mjaltë); si të bëhesh bletërritës në Kosovë (Signal Books, 2011), Edith and I (Editi dhe unë); në gjurmët e Edith Durham (Elbow Publishing, 2013) dhe The Rubbish-Picker’s Wife (Gruaja e mbledhësit të plehrave); një miqësi e papritur në Kosovë (Elbow Publishing, 2015). Ajo është gazetare e pavarur dhe kontribuuese e rregullt e “BBC Radio 4” “From Our Own Correspondent”. Gowing është përkthyese e disa librave nga shqipja në anglisht dhe bashkëthemeluese e shoqatës “The Ideas Partnership”, që punon në Kosovë për projekte të arsimit, mjedisit dhe trashëgimisë kulturore. Në vitin 2016, ajo u vlerësua nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga me çmimin “Nënë Tereza” për punë humanitare, dhe sivjet nga Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, me çmimin “Point of Light” për vullnetarizmin.
“Si mund t’i bëni fëmijët të shkojnë në shkollë në vend që të kërkojnë lëmoshë? Si t’i bindni shkollat që t’i pranojnë ata? Këto janë disa prej pyetjeve që shtron te libri “The Rubbish-Picker’s Wife” (Gruaja e mbledhësit të mbeturinave) Elizabeth Gowing. Këtë botim, gazeta britanike “The Indipendent” e ka cilësuar “rrëmbyes dhe të gjallërishëm”. Botimi rrëfen jetën e një gruaje rome dhe është produkt i miqësisë së saj me të. Elizabeth e ka takuar krejt rastësisht atë grua. Asokohe, fëmijët Hatemes, kishin mbetur pa u shkolluar për shkak se nuk ishin regjistruar me kohë në shkollë.