Më 1947 u botua në Kajro libri “Historia e artë e figurave dhe personaliteteve të shquara të Ligës Arabe” i Muhammad A. Nagjëm, që më shumë i përngjan një albumi me fotografi e biografi të shkurtra të figurave të prezantuara që kishin peshë atë kohë në botën arabe, shkruan “Koha Ditore”.
Ky libër do të dukej interesant për ndonjë historian që merret me historikun e Ligës Arabe, por për ne del më ndryshe pasi që në faqen 32 paraqitet me fotografi “Lartmadhëria e tij Ahmet Zogu, mysafir i dashur i Egjiptit”, kurse në të majtë paraqiten dy mbretër të Egjiptit: Fuadi, kandidati serioz për fronin e Shqipërisë gjatë viteve 1912-1913, dhe mbreti i Egjiptit 1922-1936, e Faruku mbreti i fundit i dinastisë shqiptare në Egjiptit 1936-1952.
Këtu shtrohen dy pyetje: Ç’bënte Zogu atëherë në Egjipt, e ç’lidhje kishte ai me Ligën Arabe që të futej në një libër të tillë?
Në lidhje me pyetjen e parë dihet se Mbreti Zog kaloi në Greqi pas zbarkimit të forcave fashiste më 7 prill 1939, prej ku vazhdoi rrugën deri në Londër si disa mbretër të Evropës vendet e të cilëve u pushtuan.
Mirëpo, në krahasim me të tjerët, Londra nuk e pranoi Zogun si mbret me të drejtë për të formuar qeveri në ekzil, por si person privat me shpenzimet e tij e pa të drejtë për ndonjë aktivitet politik, pasi që Londra e kishte përparësi lidhjen me Greqinë. Nga Londra, Zogu e përcillte Luftën e Dytë Botërore, si dhe luftën civile në Shqipëri gjatë 1943-1944, me çka komunistët arritën të merrnin pushtetin e të shpallnin Republikën në janar 1946. Mu atë kohë Zogut i erdhi ftesa nga mbreti Faruk që të kalonte në Kajro, ku do të trajtohej si mbret, pasi që Egjipti nuk e njohu Republikën Popullore të Shqipërisë.