Edhe pse kanë kaluar tre javë nga ndarja e çmimit letrar “Kadare”, debatet, polemikat dhe komentet vijojnë të kenë të njëjtin intensitet, ku si rrallëherë lidhen me autorët bashkëkohorë dhe situatën letrare të sotme.
Ata që janë përfshirë janë jo vetëm studiues e kritikë, por edhe vetë finalistët e çmimit. Mimoza Ahmeti, e cila hyri në garë me romanin në dorëshkrim, “Tutori”, është finalistja që ka komentuar së fundi çmimin, por duke ngritur edhe një polemikë për faktin se autorët e rinj apo bashkëkohore nuk stimulohen, por përkundrazi, luftohen, shkruan MAPO, që transmeton shkrimin e plotë të saj.
Me ose pa dije, bota ku jetojmë është ende një ego e fortifikuar, muret e së cilës janë në mendje, por jo vetëm: ato janë edhe te fuqia e cila është pushtet. Kjo ndërtesë e egos (Bildung) u transformua në shekuj duke kaluar nga kapital diktati në një referencë sa vjen e më e vetjake njerëzore.
Letërsia e gjelbër e vë njeriun në përmasën e vetëmjaftueshmërisë. Romani i gjelbër, poezia e gjelbër nuk është vetëm ai/ajo që flet për natyrën dhe njeriun, por gjithë çfarë minimizon shkallën e mitit në kuptimin e botës dhe e përgatit njeriun për një jetë pa komplikime sociale, është ekologji, gjelbërim.
Reduktimi i egos, ky proces i pashmangshëm për vetë natyrën e numërueshme të materialit fals me të cilin është endur, të ndarjes së botës më dysh: pozitive – negative, partizan – ballist, “shef i shërbimit sekret të Shqipërisë në kohën e Zogut” apo shërbëtor i Pallatit të ëndrrave në kohën e Xhaxhit, si të gjitha llojet e gjërave që ekzistojnë prej cilësie kundërvënieje, tregon artificën me të cilin ego ngre e mban diferencë.
Kjo nuk ia heq, përkundrazi ia shton nevojshmërinë reduktimit, domethënë shprehjes së fjalës së lirë, njohjes e prezantimit në rastin e autorëve të rinj të romanit a poezisë, po dhe arteve të tjera, që janë në gjendje ta bëjnë dhe po e bëjnë këtë ndryshim cilësor me mjete arti e teknike aq mirë.
Romani është pikërisht gjinia letrare që zhvillon konceptin, duke hapur rrugë për tjetrin, veçanërisht me ndryshimin moral-ndjesor në qëndrim ndaj objektit, që është njëherësh riformulim i objektit për të gjithë. Ky proces sjell informacion të shtresave të padukshme për shtresat e dukshme dhe shndërron vetë lëndën e dimensionimit përgjatë përqafimit libër- lexues.
Ka pastaj dhe ego të rralla, që përgjithësojnë në rrallësi, po në të përgjithshmen, algoritmi narrativ lëviz në një problem që ka një vlerë të përbashkët për të ndarë, të një grupi, apo të një njeriu të vetëm, kushedi.
Të jetuarit në një botë të cilën modernët e quajnë e Tjetërsimit, nuk është një ngushëllim për romancierët e rinj e të vjetër ndaj lexuesit mungues të tyre të humbur prej diktatesh, por është një tregues për abundancën si evazion të lexuesve që dikush tjetër, me mjete pushteti, mund të sigurojë, të cilin thjesht për rimë me emrin roman, po e quaj Rahman.
Le të supozojmë se Rahmani ka korrur dy mijë për qind signifikancë totale te një shoqëri lexuesish në vite, me hir e me pahir. Ky evazion, përveç krefjes së egos së Rahmanit, është provë e mbulimit me kast të të gjithë variablave të tjerë artistikë që shoqëria prodhon në formë veprash letrare prej autorësh, për të dhuruar ndërgjegje me art me anë të leximit. Sistemet sociale dhe ato letrare me sa duket kanë një mekanizëm ndërlidhës, i cili bëhet më i vështirë për krijuesin, në vendet me liri të kufizuar.
Tautologjia e vazhdueshme e një vetëmandatimi: Rahmani që ndërhyn herë pas here në opinione letrare me politikë, duke siguruar me to vazhdimësinë absolutiste të veprës së vet e uzurpuar tërë hapësirën e publikimit e reklamimit, ku i përkushtohet: kritika, distribucioni, përkthimi i librit në gjuhë të huaja, deri në panaire ndërkombëtare, tregon për censurën selektive të këtij mekanizmi.
Kjo krijon më pas një precedent tjetër të dëmshëm: zvordhjen e dëshirës së autorëve për të hyrë e signifikuar në një arenë- rrenë, ku të gjithë tundin kokën se është e vërtetë, e duartrokasin, por dinë se është një gënjeshtër.
Letërsia Shqipe nuk ka pasur asnjëherë, madje, aq më tepër, nuk ka, vetëm një romancier. Le ta themi hapur se gjenia e prozës shqipe është kaq e larmishme dhe e një dimensioni kaq kompleks, sa mund të habiste edhe një shoqëri me kulturë fuqie.
Po në vazhdim ndodh frustrimi i autorësisë letrare, prej një egoje të universalizuar me mjete pushteti – një fenomen po aq tiranik sa edhe frustrimi i së drejtës së fjalës në regjimin totalitar të shkuar. Duket e pabesueshme por kemi prodhuar shkrimtarin Perëndi që tani prodhon veten duke na bërë politikë për art, madje edhe kur i drejtohet artit; le të shohim në intervistën e fundit të tij te Mapo, për konkursin e romanit, me emrin e tij, se si shprehet.
Nga njëra anë pohon se nuk ua njihkemi mirë jetën shkrimtarëve të shquar shqiptarë të së kaluar për arsye të regjimit (thua se nuk patën njerëz e familje për të treguar për ta edhe pas çerek shekulli demokraci), nga ana tjetër akuzon mbi të kaluarën e jetës së tyre me informata të dyshimta, të paverifikuara. Kështu e quan kuriozitet që nuk u dënua një shkrimtar, dhe “duhet t´i zbulojmë këto kuriozitete”. Flet për individualitetin e një autori, që nuk e kuptoj përse i duhet gjindur ceni biografik në vend që të vlerësohet vepra. Përmend për të fjalën “dënim” që as regjimit, si duket, nuk i vajti mëndja t´ia adresonte. Kërkon luftë klase në letërsi. Thotë: “…ne që e kishim aq të lehtë për të dënuar gjithkënd”. Kush ne?! Dhe fut si pa dashje emrin e Kutelit në këto kontekste , dhe me një gur qëllon shumë zogj.
Për fituesin e çmimit me emrin e tij, të sivjetmë, thotë se është shkrimtar serioz. Ky term nuk përdoret në kritikën letrare. Fituesi i çmimit lidhka trevat shqiptare me shqipen dhe kjo është e rëndësishme, po nëse romani paska vlerë artistike plus, aq më mirë. Nuk mund ta kuptoj këtë shkujdesje deri në arrogancë ndaj principit letrar: zëvendësimin me politizime të opinioneve letrare. Do të doja që këto lajthitje të ishin naivitet i pasionit kombëtar, por ai e përdor pasionin kombëtar të shqiptarëve për të forcuar poltronën e vjetër.
Ndryshe foli përkthyesi gjerman, Hans Joachim Lanksch, të njëjtën ditë, në MAPO, për letërsinë shqipe, në shkrimin me titull: “Ne përpiqemi të përhapim letërsinë shqipe, por…”
Me altruizëm dhe patriotizëm shpirtëror ai u lutet shqiptarëve ( ndërsa kulturat e tjera u luten përkthyesve të huaj) që: “Fakti se me përjashtim të veprës kadareane letërsia shqipe është një terra inconita në Gjermani, Austri dhe Zvicër, është një pengesë e madhe për ne përkthyesit” dhe më pas, sikur të qe ai shqiptar e ne gjermanë, na drejtohet: “Të dashur miq, falmani për ca fjalë shqipe troç, nuk dua të jem mësuesi i Shqipërisë, mirëpo institucionet përkatëse duhet ta kuptojnë se kultura, sidomos letërsia, është pjesë e përpjekjeve për përmirësimin e imazhit të vendit tonë në botën e jashtme”.
Do t’i përgjigjem zotit Lanksch se shumë autorë këtu e ndiejnë frustrimin dhe shtypjen direkte apo të tërthortë të shkrimtarit që amalgohet me pushtetin, dhe të pushtetit që ia shpërblen, siç e ndjej edhe unë, edhe në rastin kur u përpoqa të përktheja me çdo kusht një nga veprat e mia “Gruaja Halucinante” (Roman, OMBRA GVG, 2006), në Gjermanisht, në vitin 2007, vepër e cila në shqip rrëshqiti pa ndonjë qëndrim të kritikës. Joachim Roem, përkthyesi i mrekullueshëm i poezive të mia të dikurshme të sapo-hapjes së Shqipërisë në nëntëdhjetën, më la në baltë. Rahmani e kishte përvetësuar përkthyesin dhe ai nuk mund të bënte pa lejen e tij. Këtë mund të them edhe për Jusuf Vrionin, të cilin e pati ekskluzivisht të vetin; Jusufi më kërkoi vetë të përkthente librin tim me poezi ”Delirium” e pastaj u tërhoq.
E botova Romanin Gruaja Halucinante dy vjet më pas, me ndihmën e Kultur- Kontaktit, në Austri, me shumë sakrifica, e pengime nga Rahmani. Por në katalogun e Panairit Ndërkombëtar të librit në Messe të Austrisë,( jemi në vitin 2009 tani), isha e vetmja autore që poshtë fotos kisha një reklamë në vend të librit. Dhe kjo nuk ishte rastësi. Kjo pengonte kalimin e librit tim në një gjuhë tjetër, në anglisht, frëngjisht, pasi botuesit që kishin ardhur nga bota e Perëndimit nuk do ta gjenin librin të kataloguar. E shoqja e Rahmanit kishte edhe ajo një libër në të njëjtin panair me mua, të kataloguar bukuri. Aty kuptova se pushteti i Rahmanit për të penguar ishte transnacional!
Romani i gjelbër shqiptar ka një lëvizje kaq të gjerë e të pasur dhe ende nuk ka një adresë ku të korelojë dhe jo të censurojë vlerën. Sepse ai është spontan dhe jo i programuar për kopjim politik. Për romanin modern shqiptar nuk mund të mos përmend kryeveprën e shkrimtarit Henrik S. Gjoka “Simfonia e fundit në ishullin Simon” që më pati tronditur me artin e shkrimit dhe domethënien, që e lexova para disa vitesh. Jeta dhe vepra e këtij autori lidhen pashmangshmërisht me njëra-tjetrën te romani “Gjuetia e Pëllumbave”. Modele të reja perceptimi. Me qendër njeriun. Por edhe te fillestarët: si romani “Bërthama”, e autores Eir Plasari, që fitoi çmimin Migjeni, që ende ka mbetur vetëm në shqip dhe një seri autorësh të tjerë, plot rijësi, që i takova në botimet e “Mapo”, por dhe gjetkë.
Shkrimtarë si Kuteli, Poradeci, Fishta, Ballanca, Trebeshina, e të tjerë, që shkolla e realsocit i brryloi, që çdo letërsi tjetër do t’i kthente në muza të një identiteti letrar dhe jo vetëm aq, edhe më të vonët autorë të tjerë, tregojnë variacione narrative autentike, por nuk stimulohen, përkundrazi.
Ndërkohë Rahmani iu thotë lexuesve se Marksi nuk e ka mirë kur propozon se shkrimtarët duhen përkëdhelur. Për veten e tij i mori maksimalisht përkëdheljet e regjimit, i shiti për disidencë në Perëndim dhe nuk po le gjë pa bërë të mos ngrenë krye krijuesit!
Ka ardhur koha të zbythet e të lërë vend edhe për autorët e tjerë, madje duhej me kohë ta kish bërë, edhe për bashkëmoshatarët e tij, të cilëve padrejtësisht iu absorboi krejt mjedisin e lexuesve, në vite, me talent dhe makiavelizëm; por edhe më të rinjve fare le t´u hapë udhë. Të mos zgjedhë e propozojë për përkthime në gjuhë të huaja autorë që nuk ia përcikin hijen.
“Tutori” quhet romani që paraqita në konkurs sivjet, një vepër e vogël por e madhe për nga dimensioni letrar dhe sublimimi i viteve që m´u deshën për ta përftuar duke e jetuar, por u habita kur më thanë se ishte e ndaluar pjesëmarrja e autorëve në Razëm, ku deklarohej çmimi!
Jam fituesja e Festivalit të parë Ndërkombëtar të Poezisë, San Remo, Itali, organizuar nga RAI, ku m’u dorëzua Palma e Artë në transmetim direkt, por as edhe një televizion i yni nuk mori mundimin një herë të marrë atë segment filmimi të fitores që e panë italianët, e t’ua tregojë shqiptarëve, pasi është dhe e tyrja.
I them Rahmanit se shkrimtari i madh mbahet mend, para së gjithash, nga bonsensi, nga mënyra se si e pranon tjetrin dhe veten te tjetri! Taktikave që përdor për posedim letrar me politika ka kohë që u ka dalë era…Do të ishte mjerim për çdo lloj arti dhe artisti që të përdorte truket e pushtetit për t’u bërë tërheqës!