“Dashnori” i sendeve të rralla që i ringjall së vdekuri me restaurim, Frederik Stamati, studiues në qendrën e Studimeve Albanologjike, sjell përshtypjet për Sarkofogun e Meleagrit, i zbuluar në Durrës dhe i transportuar në Stamboll në kohën e pushtimit turk.
“Në etiketën shpjeguese të këtij sarkofago thuhet se është i periudhës romake dhe i përket gjysmës së parë të shek. II pas Krishtit”, thote Stamati duke theksuar se “Në qendër paraqitet Meleagri i vrarë nga Apolloni dhe që mbartet drejt familjes nga dy vëllezërit dioskurë. Në të djathtë duket motra e tij, e cila ka vrarë veten”.
Më tej Stamati kujton se ndonja 40 vjet më parë arkeologu Vangjel Toçi më tregoi se si rreth vitit 1908, tek po hapej një rrugë në Durrës, u gjet ky sarkofag, me i bukuri i zbuluar në Shqipëri.
Së bashku më sarkofagun u gjet edhe një thesar me monedha të arta. Si sarkofagu, ashtu edhe monedhat prej ari u çuan në Stamboll, si qendër e Perandorisë dhe u ekspozuan në muze.
“Gjatë kohës që vizitova muzeun, disa pavione të tij ishin në rikonstruksion, kështu që nuk pata rast të shikoj thesarin dhe as kupën e artë të zbuluar ne vitin 1901 në fshatin Vrap të Tiranes”, rrëfen Stamati.
Historia e Meleagrit i takon mitologjisë. Ai ishte djali i mbretit të Kalidonit, Ojne, dhe i Altesë. Por kur lindi djali prindërit harruan t’i bënin flijimin Artemidës, e cila nga zemërimi dërgoi një derr-përbindësh për të rrënuar Etolinë.
Derri u vra, por plasi grindja se kush do ta merrte lëkuren. Në grindje e sipër Meleagri vrau dajallarët e vet, duke nxitur zemerimin e së ëmës.
Sipas një varianti tjetër, kur lindi Meleagri, Altenë e vizituan Moirat, të cilat përcaktonin fatin e njeriut dhe paralajmëruan të ëmën se Meleagri do të jetonte aq, sa të digjej ura në zjarr.
Altea e hoqi urën nga zjarri dhe e futi në një arkë. Kur u rrit, Meleagri mori pjesë në gjuetinë e derrit të egër. Në gjueti mori pjesë edhe një gjahtare e re, Atalanta.
Kjo e plagosi e para derrin, pastaj Meleagri e vrau. Lëkurën e derrit Meleagri i a dha Atalantës, por kjo zemëroi dajën e tij Pleksipin, i cili i a mori me forcë lëkurën Atalantës.
Meleagri, i zemëruar për fyerjen qe i u bë të dashurës së tij, e vrau dajën e vet.
Altea, e dëshpëruar për vrasjen e të vellait, nxorri nga arka urën dhe e ndezi dhe kur ura u dogj, Meleagri vdiq.
Altea vari veten. Motrat e tij qanë kaq shumë, sa që Artemides i erdhi keq. Ajo i shnderroi ato në zogj, që quhen meleagride dhe që kanë në pendët e tyre njolla të bardha, që duken si lot.
Kjo është një legjendë që është varrosur në atë sarkofag, larg prej vendit ku u zbulua dhe ku ka lindur vet legjenda, në Durrës dhe që flet për një qytetërim të hershëm të këtij qyteti.
Ai, duhej të ishte në Muzeun Arkeologjik të Durrësit ku dhe vizitorët apo historianët ta shihnin në vendin ku ka lindur legjenda.