Dokumentari/ Jeta dhe arti i Gjon Milit sipas atyre e që e njohën  

 

Portreti i Gjon Milit është skicuar nga Zhan Pol Sartri  në periudhën më krijuese të fotografit me origjinë shqiptare, vitet 40. Edhe dëshmitë e tjera të përdorura në dokumentarin “Dritë” të Yllka Gjolleshës dhe Suela Bakos, vijnë nga ata që e kanë njohur dhe punuar me Milin, përfshirë shënimet autobiografike të vetë artistit.

Yllka Gjollesha thotë se “kemi pasur dilemat tona nëse ia kemi arritur qëllimit apo jo për të sjellë si dokumentar jo tradicional, të treguarit tradicional të historisë së një personi.”

Ndërsa Suela Bako kujton se “jam përpjekur shumë të zbuloj dhe të kuptoj se çfarë është dokumentari. Nuk është se e kam gjetur por në këtë kërkim mendoj se dokumentari është pikërisht kërkimi.”

Bashkëpunëtorët e tij në revistat “Life” dhe “Time”, tregojnë se ai ishte unikal në përdorimin e dritës stroboskopike, por nuk e shfrytëzoi pa skrupuj famën që mund t’i jepte ky zbulim. Të mendosh që me këtë lloj dritë ai ka realizuar foto të pavdekshme të Pikasos, Matisit, Hiçkokut.

Sipas Gjolleshsës “ka pasur pak natyrë kapriçoze ashtu siç ishte një shqiptar që vinte nga malet e Shqipërisë, ashtu siç e thekson dhe Zhan Pol Sartri në esenë e tij. Dhe thuhej se historia e la mbrapa për shkak të natyrës së tij, ky është edhe një karakter tjetër shqiptar.”

“Mili duhet të zbërthehet përmes disa femrave, janë katër femra në dokumentar. Këto femra përcaktojnë vendin ku ato banojnë dhe përfaqësojnë atë periudhë të Milit që ne kemi nënvizuar në dokumentar”, thotë Bako

 

FEMRA

Figura e femrës ka qenë në focus të punës së Millit. Gjollesha e sheh “shumë interesante se si Gjon Mili e ka trajtuar figurën e femrës. Duket qartë në të gjitha fotot e tij sesa delikat është. Dhe thjesht menduam se kush më mirë sesa femra mund ta sillte një dokumentar për Gjon Milin.”

Imazhi i xhirimeve në Korçë, Rumani, dhe Nju Jork ka ruajtur frymën  e fotografisë së Milit. Gjollesha dhe Bako kanë ndërtuar një profil të qetë, të ekuilibruar, me shumë burime. Ato kanë lënë jashtë çdo mundësi shpërdorimi të krenarisë kombëtare me shkas rrënjët shqiptare, sëmundje e vjetër e filmit dokumentar shqiptar.  “Ashtu siç më ka ndodhur mua kur shoh fotot e Gjon Milit, besoj se duhet ti ndodhë çdo njeriu në botë që ka vizituar Shqipërinë sepse frymëzimin dhe dritën ai e ka nga Shqipëria padiskutim”, thotë ajo.

Në fund Bako shton se :  “ja kemi dalë të servirim një artist shqiptar duke i dhënë atij atë pjesë të Shqipërisë që ai sipas nesh ka gëzuar, pa e tepruar sepse në fund të fundit Mili ka ikur nga Shqipëria në moshën 5 vjeçare.”

“Dritë” është prodhim i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Pas premierave në Nju Jork, Korçë dhe mbrëmë në Tiranë, dokumentari do të ndjekë rrugën e festivaleve.(Oranews)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *