Historia  frymëzuese e Arbrit që po investon në Qendrën Historike Përmet:  Shqipëria, vendi që të ofron më shumë se kudo tjetër!

Kandidatja e PS-së për qarkun e Gjirokastrës, Mirela Kumbaro ka vijuar takimet e saj në Përmet, ku është ndalur në lagjen  vjetër të qytetit, e cila tashmë gëzon statusin e qendrës historike.  Në takimet e bëra në këtë  pjesë të qytetit, Kumbaro ka marrë mbështetjen e banorëve, të cilët u shprehën të lumtur për vendimin e Ministrisë së Kulturës, për rijetëzimin e shtëpive të tyre, sipas modelit tashmë të aplikuar me sukses në qytete të tjera.
Kumbaro u tha banorëve se Përmeti do të përfitojë shumë nga ky model, i cili ndërthur trashëgiminë me turizimin dhe ekonominë. “Përmeti ka tani më shumë se kurrë, shansin të kthehet në një pikë të rëndësishme të turizmit me investimin që nis së shpejti”, – u tha Kumbaro banorëve, duke ndarë me ta  lajmin e mirë  se Qendra Historike e Përmetit është  pjesë e programit të Bankës Botërore prej 71 milionë dollarësh që nis brenda vitit, bashkë me 3 qytete te tjera ku futet Gjirokastra, Saranda dhe Berati.
Në lagjen e vjetër, Kumbaro u ndal tek një investitor i ri, Arbër Goga, i cili ka marrë guximin dhe nismën të blejë një ndërtesë të vjetër tipike përmetare për ta kthyer në hotel tradicional, së bashku me gruan e tij të re italiane Maria.
Gjatë bashkëbisedimit me kandidaten Kumbaro, Goga tha se “Shqipëria është vendi që të ofron më shumë se kudo tjetër”. Ai rrëfen se fillimisht i është dashur të bëjë një studim të thellë të tregut shqiptar për të investuar më pas kursimet e një jete në emigracion.
Unë kam qenë për kohë të gjatë në Greqi dhe Itali dhe kam parë se nuk kanë asgjë më shumë sesa Shqipëria, e cila të ofron shumë  më tepër. Fillimisht jam kthyer me kohë të pjesshme  për të studiuar tregun shqiptar dhe për të parë nëse Shqipëria kishte potencial për të investuar. Konkludova se mund t’ia dal mbanë. Bleva këtë objekt në Përmet dhe parashikoj të nxjerr 14 dhoma të arreduara brenda të gjitha standardeve evropiane”, – tha ai teksa nuk ka pa shprehur edhe gëzimin ku mori vesh në janar lajmin për shpalljen e qendrës historike të Përmetit.
Kumbaro tha se shpallja e qendrës historike në Përmet nuk ka qenë vetëm për arsye të ruajtjes së trashëgimisë kulturore, por edhe rijetëzimit të saj.
“Arsyeja kryesore pse shpallëm qendrën historike në Përmet ka qenë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, por shohim se trashëgimia kulturore ruhet përmes rijetëzimit dhe kjo inisiativë e jotja është një shëmbull konkret” – tha ajo.
Ajo që e bën të veçantë këtë investim në qytetin dikur të harruar të Përmetit është ruajtja e elementeve tradicionalë në ndërtim. Goga pohon se ustallarët të cilët punojnë në bujtinën e tij e cila ka filluar të formësohet, janë ustallarë të vjetër të traditës.
“Kemi zgjedhur ustallarë të vendit, që tradicionalisht kanë punuar gurin dhe qëllimi ynë është të bëjmë një banesë sipas traditës përmetare. Unë kam një vizion të ndryshëm nga hotelierët e tjerë të cilët u japin përparësi dhomave me arredime moderne. Ruajtja e traditës është qëllimi kryesor i investimit tim” – shton ai.
Dikur i harruar dhe i braktisur edhe nga vetë banorët e tij qyteti i Përmetit tashmë është kthyer në një prej qendrave kryesore turistike në vend. Investimet e nisura këto tre vitet e fundit kanë bërë që banorët e zonës të kthehen dhe të investojnë në krijimin e bujtinave dhe hoteleve familjare duke e kthyer turizmin në kryefjalën e zhvillimit të tyre ekonomik.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *