Ndoc Gjetja
O vajzë që të njoha në jetë kaq vonë!
Ti gjithë qenien time e bëre lëmsh,
ti më ktheve shumë prapa në kohë
ti më zbrite një tridhjetëvjetsh.
Në vitin kur ti ke ardhur në jetë
në botën time sapo hynte femra,
e sheh ç’hon kohe kemi ndërmjet
vogëlushja ime e madhe sa ëndrra?
Më kot shpenzova pas një Dulqinje
gjithë jetën time si Don Kishoti,
dhe tash më shfaqesh krejt papritur
si një tallje nga vetë Zoti.
Sa herë ta ndiej frymëmarrjen afër,
humbas në qiellin magjik të syve
dhe befas përmendem e bie ashpër
te rëndomësitë e jetës sime.
Ti vjen dhe ikën dhe mbetesh ëndërr
se ylli im nuk ndizet më
me muzgun e moshës jam mbështjellë
dhe ndihem i lodhur e dua… të flë.