Nostalgji harapiane

Át Anton Harapi në ligjëratën “Nji kushtrim për kulturë” mbajtë në janar të vitit 1944, jep udhëzimet për ngritjen e Institutit të Studimeve Shqiptare. Këto mendime janë bazat e nji akademie të mirëfilltë shkencore. Udhëzimet janë të vlefshme edhe sot, shkruhet nga “Botimet Françeskane”

Nostalgji harapiane
Me ketë ligjëratë, të mbajtun në selin e Institutit të Studimevet Shqiptare, në prani të Këshillit të Naltë dhe të pjestarvet t’Institutit qi ndodheshin në Tiranë, Shkelq. P. Anton Harapi, të cilit i u mbështet Instituti në fjalë, çili mbledhjen e parë, tue dhânë udhëzimet e para për bazat e reja me frymë krejt shqiptare të këtij, organi. Sh. i R.

[…] Porsi përfundim të këtyne vrejtjeve po vi ndër parime e norma, të cilat due të jenë të vendueme dhe të mirren për bazë t’Institutit:
1. Instituti tash e mbrapa ka të drejtë për t’u quejtë: INSTITUTI SHQIPTAR PËR STUDIMET DHE ARTET, dhe jo mâ; Instituti i Studimeve Shqiptare.
2. Fizjonomia dhe statuti i deritashëm i Institutit nuk i përshtaten gjendjes dhe aspiratave të sotëshme. Duhet të mirren në dorë, dhe të përpilohen simbas programit të zgjanuem dhe simbas nevojëvet t’ona të kohës.
3. Instituti në zhvillimin e veprimtarisë së vet nuk do të kufizohet vetëm në letërsi apo ndonji grimë histori, por njikohësisht dhe paralelisht, me të njêjtin rythëm do të veprojë si në lamën letrare, ashtu dhe në lamën shkencore dhe artistike.
4. Në vështrimin mâ të plotë të fjalës, Instituti do të jét apolitik. I vetmi movent qi do t’i japë jetë dhe lëvizje këtij organi do të jét shpirti Shqiptar i drejtuem në kulturën e përbotëshme, për t’i a mbërritjun kulturës Shqiptare.
5. Duhet t’a vendojmë mirë, nji herë e përgjithëmonë, se ky nuk âsht Institut nderi ase opurtuniteti, as nuk âsht vend ku do të pasqyrohen meritat e njênit apo të tjetrit; këtu vetëm do të peshohen dhe do të vleftësohen fuqit e veprat e dijes dhe t’artit shqiptár.
6. Parim dhe kujdes i parë i yni do të jét, qi mos të lamë mbas dore kurrnji faktuer shqiptár. Të gjithë të zotët do t’i shtijmë në punë dhe do t’i shfrytsojmë, qi vepra të dalë sa mâ e plotë, dhe t’i mbërrihet qellimit sa mâ mirë.
7. Në ketë vepër as nuk do të na rritet mendja, as nuk do të na leshojë zemra. Në njênën anë do të jemi modestë, tue e pá kjartë se misjoni i ynë âsht vetëm preliminár: të gatojmë elementat fillorë të nevojshëm për të mëkambë Akademín shqiptare; t’a krijojmë kulturën e mesme shqiptare, dhe t’a çojmë deri te praku i kulturës së naltë, e cila ka për të qênë vepër e breznivet t’ardhshme.
8. Në tjetrën anë, të jemi të sigurtë se shpirti shqiptar âsht për kaq. Me ndërgjegje të plotë dhe ngultas le të besojmë se i a dalim, për të vetmen arsye, pse mundemi dhe duem përnjimend.
9. Kryefjala e Institutit do të jetë: Pro cultura.
10. Po caktoj katër vetë për t’a shqyrtue fizjonomín dhe statutin e Institutit: zz. Aleksandër Xhuvani, Xhevat Korça, Karl Gurakuqi dhe Odhisé Paskali. Këta kam për t’i thirrun vetë e kam për t’u dhanë udhësimet e duhuna.
11. Jam i sigurtë për bashkëpunimin e sinqertë t’uejin, sikurse jam i bindun se e kuptoni të tanë randsín e këtij organi, nepër të cilin do të hyjmë në rendin e popujvet të kulturuem, do t’i a rrisin nderin kombit e fisit t’onë dhe do të peshojmë randë për fatin e lumtunin e Shqipnís në t’ardhëshmen.

Marrë prej veprës: Át Anton Harapi., Naltimi i ndergjegjes kombtare, Botime Françeskane, Shkodër 2017. (Në proces botimi)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *