Rrok Zojzi (1910-1995), etnolog, profesor.
Rrok Zojzi lindi në Shkodër. Punoi si arsimtar në fshatrat dhe në qytetin e Shkodrës, si dhe në Kosovë. U mor për shumë kohë me alpinizëm dhe propagandoi vlerat turistike të Shqipërisë së Veriut. Në vitin 1947 krijoi bërthamën e parë etnografike në Institutin e Shkencave, hodhi bazat e shkencës etnografike të institucionalizuar në Shqipëri, dha ndihmesë themelore për ngritjen e Muzeut Arkeologjik-Etnografik në qershor të vitit 1948.
Si punonjës në institucionet pasardhëse të Institutit të Shkencave, ndërmori ekspedita kërkimore në shumë krahina të vendit, krijoi, pasuroi dhe sistemoi fondet e kulturës materiale, fototekën, skicotekën, fondet me shkrime të mbledhura në terren, kartotekën, si edhe dokumentacionin përkatës për çdo kategori.
Botoi një varg studimesh e artikujsh ndër të cilat me vlera të veçanta monografia “ Ndamja krahinore e popullit shqiptar”, botuar së pari në “Etnografia shqiptare”, I, 1962; po ashtu studimi “Traditat e lundrimit detar të popullit shqiptar” (1959); “Gjurmët e një kalendari primitiv” (1949). Rrok Zojzi ka qenë ideator i serisë së botimeve ilustruese “Arti popullor në Shqipëri” dhe autor i parathënieve studimore të tyre; themelues dhe kryeredaktori i parë i përmbledhësit “Etnografia shqiptare”; ideator dhe realizues i disa ekspozitave etnografike brenda dhe jashtë vendit, bashkautor dhe bashkërealizues i Muzeut Kombëtar të Armëve, bashkautor i ekspozitës etnografike “Kultura Popullore Shqiptare” dhe i disa muzeve etnografik në rrethe.