“Sa herë gjurmët e qytetërimit evropian gjenden në Shqipëri, një horizont i ri reflektimi hapet, por sa herë qytetet simbol të qytetërimit e përparimit artistik janë gdhendur nga duart e artistëve shqiptarë, të gjithë horizontet ngarendin tek një shpirt artistik që mishëron populli ynë”.
Dom Artur Jaku, famullitar i Katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër, sjell në vëmendje një ngjarje të veçantë për artin e historinë shqiptare. Ai sjell imazhe të veprave të realizuara nga një skulptor shqiptar në Venecia shumë motmote më parë, vepra që kanë kaluar tangent nga vëmendja jonë, anipse, Luçia Nadin i ka përmendur në disa dalje të saj para mediave a para studiuesve tanë.
“Venediku ishte kryeqyteti ku ishin drejtuar sytë gjithë interes të zonës përreth, veçanërisht për sektorin e arteve figurative, ku skulptori dhe gdhendësi në dru më i madh në Venedikun e kohëve të Rilindjes, ishte shqiptari që për shumë kohë ishte neglizhuar si ‘veneciani’, Pal Kampsa (Kamsi)”, shkruan Dom Artu Jaku.
Sipas tij, këto vepra arti “gjurmë shqiptare” gjenden edhe sot në kisha të ndryshme ne Venezia, Padova, Vicenza etj.
Duke bërë një paralelizëm mes kohësh, vendesh e kujtesash, diku të bartua e diku të lëna në harresë, famullitari i Shën Shtjefnit shënon se “Venediku flet shqip, aq sa Shkodra kuadri i Zojës së Shkodrës flasin për ndikimin Venecian”.
Përkrah këtij shënimi që hedh dritë mbi Kamsin (në dokumente del Kampsa) Dom Arturi, sjell edhe disa imazhe të veprave të skulptorit, që gdhendi ‘shpirtra’ e figura, me dashurinë e një artisti.