Dy banesa më çardak dhe një histori nga 1800-a

Restaurimi i banesës së Stavri Duhanxhiut dhe Bedri Merkos në lagjen “Goricë”, në Berat po vijon.
Pas dekadash harrese dhe braktisje, më në fund  u ndërhy në një nga banesat më me vlera në lagjen “Goricë”.
Bashkëpunimi midis DRKK – Berat dhe CHWB – Abania, krahas leksioneve teorike specialistë të DRKK -së – Berat dhe praktikantët e kursit (të cilët po përgatiten si restauratorë të ardhshëm) filluan ndërhyrjet në banesën kategori e parë të Stavri Duhanxhiut dhe  Bedri Merkos në lagjen “Goricë”.
Monumenti në pjesën perëndimore paraqitej në një gjendje të degraduar për shkak edhe të braktisjes nga ana e pronarëve.

Faza e parë e ndërhyrjes konsistoi në pastrimin e territorit nga bimësia e ulët dhe e lartë si dhe zbërthimin e elementëve të degraduar të çatisë. Kjo çati që po restaurohet është pjesa që mbulon ambjentet e banesës së Bedri Merko.

Projekti është hartuar nga specialistët e DRKK-Berat dhe miratuar nga institucionet e specializuara vendimarrëse (Këshilli Shkencor i IMK-së dhe Këshilli Kombëtar i Restaurimit pranë Ministrisë së Kulturës – Tiranë).Në vijimësi të punimeve do të ofrojmë të gjitha proceset që janë ndërmarrë dhe do të vazhdojnë të kryen në këtë banesë.

Disa të dhëna me interes mbi historikun dhe arkitekturën e kësaj banese.
Në vitin 1972 janë kryer punime restaurimi dhe konservimi për vlerësimin e kasaj banese të tipit me çardak. Kjo banesë është një nga shembujt më tipikë, se si banesa me çardak, e cila u ndërtua në Berat deri nga çereku i parë i shekullit të XIX, fillon të pësojë një sërë ndryshimesh. Këto ndryshime qëndruan kryesisht në shtimin e ambjenteve të rinj; dhe sidomos në trajtimin e pamjes kryesore me një gjuhë arkitektonike të re.
Për arritjen e përfundimeve mbi ndryshimin e shumë elementëve të veçantë funksional dhe arkitektonike, autorit të studimit dhe restaurimit të kësaj banese, Ing.rest. Genci Samimi iu desh të bënte një sërë vrojtimesh dhe sondazhesh, të cilat i dhanë një mbështetje të shëndoshë për arritjen e një analize mbi transformimet që ka pësuar në kohë kjo banesë. Një e dhënë me rëndësi, për të vendosur në kohë këtë ndërtim, është data 1864 shënuar në sterën e ujit, e ndërtuar në krahun e djathtë të katit. Duke u bazuar në formulimin arkitektonik të pamjes së jashtme që mori banesa në fazën e fundit të ndërtimit, e cila lidhet me rikonstruksionet që pësuan shumë banesa të vjetra të qytetit të Beratit, duke filluar aty rreth çerekut të parë të shekullit XIX.

Mendohet se pikërisht viti 1864 i përket fazës së tretë të ndërtimit. Ndërsa kjo banesë duhet të jetë ndërtuar gjatë gjysmës së dytë të shek.XVIII. Ndryshimet që ka pësuar ky ndërtim, duke u kthyer nga një banesë me çardak në një banesë të mbyllur, reflekton ndryshimet që filloi të pësojë jeta ekonomike dhe shoqërore në qytetin e Beratit, sidomos gjatë çerekut të tretë të shekullit XIX. Banesa jonë është një shembull tipik, për të treguar se si ndërtimet e vjetra gjatë shek.XIX filluan të modifikohen si në aspektin funksional, ashtu dhe në përpunimin arkitektonik dhe dekorativ. Humbja e funksioneve të çardakut, zvogëlimi i tij gradual dhe, së fundi, mbyllja e tij, e cila përbën një ndryshim me shumë rëndësi në zgjidhjen planimetrike të kësaj banese, duhen shpjeguar me largimin përherë e më tepër nga ekonomia bujqësore, e cila gjatë shek.XIX, siç duket, nuk zinte një vend me rëndësi në jetën ekonomike të qytetit.
Në trajtimin arkitektonik të pamjes së jashtme, shikojmë një kujdes të madh, për t’i dhënë asaj një pamje sa më të mirë.
Referenca: (Genci Samimi, Studimi dhe restaurimi i një banese karakteristike në Berat, “Monumentet” 5-6, 1973,Tiranë: Mihal Duri, f.161-176)

FB_IMG_1494243679162

FB_IMG_1494243683168 FB_IMG_1494243664624

FB_IMG_1494243691259

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *