Beteja e parë e Sfetigradit u zhvillua në vitin 1448. Ajo ishte një nga betejat kryesore të ushtrisë shqiptare, e komanduar nga Skënderbeu, kundër ushtrisë osmane. U zhvillua prej 14 majit deri në fund të korrikut. Ushtria osmane komandohej nga vetë Sulltan Murati II.
Më 14 maj pararoja e saj arriti në Dibrën e Poshtme dhe rrethoi Sfetigradin. Skënderbeu, për të lehtësuar mbrojtjen e kështjellës, tërhoqi në grykën e Rovikut pararojën turke dhe e shpartalloi. Kur ushtria osmane mbërriti në Stefigrad, Skënderbeu e afroi gjithë ushtrinë disa milje larg kampit të saj. Murati II kërkoi dorëzimin e kështjellës, e bombardoi, por dështoi. Ndërkohë Skënderbeu e godiste kampin osman ditën dhe natën dhe bashkë me mbrojtësit e kështjellës e vunë armikun midis dy zjarreve. Trupat osmane, që ruanin shpinën e forcave të tyre kryesore, patën shumë të vrarë e të plagosur, midis të cilëve edhe komandantin e tyre, Firuz Pashën.
Natën e 22 qershorit, shqiptarët sulmuan dhe hynë thellë brenda në kampin turk. Vetëm kur osmanët gjetën ujësjellësin e kështjellës dhe i prenë asaj ujin, mbrojtësit u detyruan të dorëzohen, me kusht që të dilnin të lirë e të largoheshin të armatosur prej saj. Megjithëse e pushtuan Sfetigradin, për shkak të humbjeve të shumta dhe zgjatjes së rrethimit për më shumë se dy muaj e gjysmë, osmanët u detyruan të ndërprisnin mësymjen dhe të tërhiqeshin, të ndjekur këmba-këmbës nga ushtria shqiptare.